LAJMI I FUNDIT:

Pasuria e shtatë kryetarëve të komunave të Kosovës (Dokument)

Pasuria e shtatë kryetarëve të komunave të Kosovës (Dokument)

Zyrtarët e shtetit, përfshirë këtu edhe kryetarët e komunave kanë përfunduar tashmë deklarimin e pasurisë për vitin 2019 në Agjencinë kundër Korrupsionit.

Telegrafi ka bërë një përmbledhje të pasurisë së deklaruar nga kryetarët e shtatë komunave kryesore të Kosovës.


raportin e deklarimit të pasurisë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se jeton në shtëpi të vëllait.

“Jam me banim të përkohshëm në shtëpinë në Lagjen NIC në Çagllavicë, në pronësi të vëllait. Është dokumentacioni në vitin 2014 sipas kërkesës së AKK. Banesa e prindërve e dhënë në shfrytëzim nga Teatri Krahinor në vitin 1973, është bërë padia në Gjykatën Themelore – jokontestimore në vitin 2013 dhe vendimi është marrë nga Gjykata në favor të prindit në vitin 2018. Pronësia nuk është bart ende te prindi”, thuhet në deklarim, shkruan Telegrafi.

Nga paga vjetore, Ahmeti ka deklaruar se merr 17,336 euro apo 1,400 euro pagë mujore, ndërsa 2,140 i ka marrë nga rimbursimi i shpenzimeve.

I pari i Prishtinës ka deklaruar se posedon një veturë të tipit “Skoda Superb” në vlerë prej 8 mijë euro të cilën e ka blerë nga të hyrat që i ka marrë nga punësimi në vitin 2009.

Ahmeti në pjesën e parave të gatshme ka deklaruar se posedon 4,200 euro në bankë, ndërkaq 2,000 i posedon bashkëshortja e tij.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasurinë e ka deklaruar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Harrojini politikanët – këta janë zyrtarët me pagat më të larta në Kosovë (Dokument)
Lexo po ashtu Harrojini politikanët – këta janë zyrtarët me pagat më të larta në Kosovë (Dokument)

Nga pasuria e paluajtshme, Haskuka ka deklaruar se ka shtëpi, banesë, lokal dhe tokë në vlerë të përgjithshme mbi 2.3 milionë euro.

Ai thotë se ka tri vetura në vlerë të përgjithshme prej 30 mijë euro. Në pjesën për detyrimet, Haskuka thotë se ka 40 mijë euro kredi dhe tremijë euro të kursyera, ndërkaq tremijë euro i posedon bashkëshortja e tij.

Në pjesën e pagës, i pari i Prizrenit thotë se merr pagë vjetore prej 19,461 euro.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se ka patundshmëri në vlerë prej 2.4 milionë euro.

Muhaxheri në deklarim të pasurisë në AKK, ka raportuar se ka dy vetura në emër të bashkëshortes në vlerë prej 26 mijë euro. Ndërsa, në pjesën e detyrimeve, ai thotë se ka kredi në vlerë prej 80 mijë euro dhe 19 mijë euro në emër të bashkëshortes.

Ai thotë se merr pagë vjetore prej 15,040 euro.

Ndërsa i pari i Mitrovicës, Agim Bashtiri, del të jetë më i pasuri për sa i përket patundshmërive.

Bahtiri thotë se ka pasuri në vlerë prej 7.5 milionë euro.

Ai në AKK thotë se ka në posedim një veturë “Audi Q7” në vlerë prej 10 mijë eurove, ndërkaq për sa i përket detyrimeve, Bahtiri tregon se ka marrë kredi për blerjen e shtëpisë në vlerë prej 450 mijë eurove.

I pari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej gati dy milionë euro.

Familja Haziri ka edhe para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare. Në emër të Lutfi Haziri janë rreth 116 mijë euro në institucione të ndryshme financiare në Kosovë. Po ashtu edhe prindërit e tij posedojnë rreth 79 mijë euro para të gatshme në njërën nga bankat në Zvicër. Mijëra euro janë deklaruar si para të gatshme edhe të fëmijëve të të parit të Gjilanit.

Haziri thotë se ka veturë “Hyunday Matrix” në vlerë prej tremijë eurove.

Ndryshe, vetëm nga paga e tij vjetore Haziri fiton 15,512 euro.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka deklaruar se ka tokë, shtëpi, truall dhe mal në vlerë prej 375 mijë euro.

Në pjesën e detyrimeve, ai thotë se ka 32,400 euro kredi.

Aliu në pjesën e pasurive ka deklaruar se ka dy vetura, njëra në pronësi të vetën në vlerë prej 5,500 euro dhe Citroën C3 në vlerë prej dy mijë euro.

Ai thotë se merr pagë vjetore rreth 1,300 euro apo 15,492 euro në vit.

Gjithashtu edhe kryetari i Komunës së Gjakovës ka deklaruar pasurinë.

Ardian Gjini, në deklarimin vjetor të pasurisë thotë se ka patundshmëri në vlerë prej 410 mijë eurove.

Gjini thotë se ka dy vetura në në pronësi të tij në vlerë prej 21 mijë euro.

Në pjesën e detyrimeve, ai thotë se ka 9 mijë euro kredi për blerje të pronës dhe 6 mijë euro të kursyera.

Në raport, Gjini ka vënë në pah se merr pagë vjetore prej 14,232.84 euro, apo rreth 1,200 euro në muaj.

Ndryshe, sipas njoftimit të AKK-së, në listën e zyrtarëve të lartë publik kanë qenë të përfshirë 4,819 persona, prej të cilëve 4,755 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë.

Prej numrit të përgjithshëm të atyre që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 35 zyrtarë të lartë publikë kanë deklaruar pasurinë pas afatit, 16 nuk e kanë deklaruar pasurinë me arsye, kurse 13 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani. /Telegrafi/