Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1960?
Viti 1960 karakterizohet me shembjen e themeleve të “dashurisë” ruso-shqiptare dhe të lindjes së një “dashurie” të re shqiptaro-kineze. Si shkas i prishjes së këtyre marrëdhënieve ishte denoncimi i politikës së Josif Stalinit nga Nikita Khrushchevi dhe vendosja e marrëdhënieve, nga ky i fundit, me Jugosllavinë e Josip Broz Titos.
Me vdekjen e Stalinit, në shumë shtete të Bllokut socialist ndodhën përmbysje të pushteteve staliniste, duke i vendosur ata që mbështesnin frymën e re më liberale sovjetike – si Wladyslaw Gomulka në Poloni, Janos Kadar në Hungari, Todor Zhivkov në Bullgari etj. Nuk mungonin as eliminimet dhe kjo gjë e frikësonte Enverin. E, njëri nga ata që e donte përmbysjen e Enverit ishte miku i ri i Khrushchevit – Titoja.

Në nëntor të vitit 1960, në Moskë u organizua mbledhja e 81 partive komuniste. Fjalimin e parë, më 10 nëntor, e mbajti lideri sovjetik, Khrushchevi. Pas tij e morën fjalën udhëheqës të vendeve tjera, që i mbështetnin politikat e reja të BRSS-së. Po atë ditë u takua delegacioni i Partisë Komuniste të BRSS-së dhe i Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSh). Në atë takim, nga pala sovjetike morën pjesë: Anastas Mikoyan, Frol Kozlov, Mikhail Suslov, Pyotr Pospelov dhe Yuri Andropov. Delegacionin shqiptar e kryesonte Enver Hoxha. Të pranishëm ishin edhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia. Në këtë takim u shfaqën hapur divergjencat në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Ndërsa, për herë të parë u fol edhe për bazën ushtarake të Vlorës, si dhe për mundësinë e daljes së Shqipërisë nga Pakti i Varshavës. Në këtë takim të tensionuar, Mehmet Shehu ndër të tjera thotë: “Rëndoftë turpi mbi ju, shoku Kozllov, që i lejoni vetes t’i jepni ultimatume Shqipërisë: Me ne, ose me Kinën!”.
Më 12 nëntor ndodhë një takim mes Enver Hoxhës dhe Khrushchevit, për t’i përafruar qëndrimet, por kot. Sepse, fjalimi i Enver Hoxhës, më 16 qershor, që zgjati hiç më pak se dy orë, përmbysi gjithçka.

“Në Moskë atëherë bënte shumë ftohtë. Po ai fjalim sikur i zbriti temperaturat shumë gradë nën zero. Sikur plasi një bombë në sallën Georgievskaja. Ata që kishin dhënë emrat për të folur, u tërhoqën dhe kërkuan kohë për t’i riparë fjalimet e tyre në kontekstin që ishte krijuar…”, ka thënë përkthyesi Myfit Mushi.
Të nesërmen, një fjalim denigrues ndaj Partisë së Punës së Shqipërisë dhe ndaj Enver Hoxhës, e mbajti sërish Khrushchevi.
“Khrushchevi tha: ‘E dini, shokë se ç’ka bërë Enver Hoxha në këtë sallë? Na leu me mut të gjithëve’! Unë po vonohesha në përkthim, por Enveri më tha: ‘Vazhdo përkthe’. Dhe, unë i thashë: ‘Ai tha se dje shoku Enver na ka lyer me të pëgërë të gjithëve’! Enveri vetëm sa tundi kokën, si të thoshte: Nga ky pritet gjithçka tani…”, thotë Mushi.
Khrushchevi më 1956 kishte deklaruar se Shqipërinë do ta bënte “një xhevahir që do të joshte botën myslimane”. Enverit i pëlqente kjo frazë, sepse “shembulli i Shqipërisë do t’i ndihmonte vendet e botës myslimane të shohin se marksizëm-leninizmi ishte fari ndriçues i jetës së begatshme e të lirë të popujve”! Por, pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, u tha se Khrushchevi donte ta bënte Shqipërinë “si kolonitë e bananeve”.
Në lidhje me përplasjet në Moskë, ceket se Khrushchevi e kërcënon Enverin e se ky i fundit ia kthen: “S’ke ç’na bën, se jemi 802 milionë” (dy milionë shqiptarë dhe 800 milionë kinezë)!
Pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, Shqipëria nis të jetë më aktive në çështjen e Kosovës, duke u infiltruar e shpeshherë edhe duke i ngatërruar organizatat e ndryshme ilegale që vepronin në Kosovë e në diasporë.
Më 1960 lindin: legjenda e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri si dhe mjeshtri i fjalës, poeti Xhevdet Bajraj.

Më 1960, pavarësinë e fitojnë këto shtete: Kameruni, Togo, Madagaskari, Republika Demokratike e Kongos, Somalia, Benini, Nigeri, Burkina Faso, Bregu i Fildishtë, Çadi, Republika Qendrore Afrikane, Republika e Kongos, Gaboni, Senegali, Mali, Nigeria dhe Mauritania. Më 23 maj, izraelitët pranojnë se kanë arrestuar, në Argjentinë, nazistin Adolf Eichmann. Filmi “Ben-Hur” e thyen rekordin e deriatëhershëm për çmimet Oscar, ndërsa grupi legjendar The Beatles e nis karrierën në Hamburg të Gjermanisë.
Më 4 janar 1960, në moshën 46-vjeçare, në një aksident trafiku vdesë fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Albert Camus. 60 vjet pas vdekjes së tij, italiani Giovanni Catelli thotë se ai u vra nga spiunët e KGB-së, në shenjë hakmarrjeje për retorikën e tij anti-sovjetike. Në veprën “Vdekja e Kamysë”, Catelli zbulon detaje në ditarin e poetit dhe përkthyesit të njohur çek, Jan Zabrana.
“Ai thoshte se agjentët e KGB-së i kanë shkaktuar dëmet në veturë të cilat në shpejtësi të madhe u bënë fatale. Urdhri thuhet të jetë dhënë nga Dmitri Shepilov, ministër sovjetik i Punëve të Brendshme, si reagim ndaj një artikulli që Camus ka shkruar më 1957 në gazetën ‘Franc-Tireur’ në mars 1957”, thotë ai.
Siç dihet, Camus kishte mbështetur kryengritjen hungareze të vjeshtës 1956 dhe ishte kritik ndaj reagimit sovjetik. Ai po ashtu kishte shkruar mirë për Boris Pasternakun që shihej si anti-sovjetik.

Më 6 gusht 1960, si kundërpërgjigje e embargos së ShBA-së, Fidel Castro i nacionalizon pronat e amerikanëve. E, kur jemi te revolucioni kuban, duhet thënë se më 5 mars 1960, Alberto Korda realizon një nga fotot më të famshme në botë – atë të revolucionarit Che Guevara. Fotografia origjinale e paraqet Guevaran mes një burri dhe një druri palme. Ajo është prerë për t’u shndërruar shpejtë në një nga imazhet më komerciale të botës. Kjo foto e bëri revolucionarin argjentinas idhull të rinisë e të rebelimit rinor, kudo në botë; e bëri simbol të luftës për drejtësi e për barazi. Por, e vërteta është se Che ishte i pamëshirshëm, apo siç e quajnë disa studiues: nënshkrues i certifikatave të vdekjes.
Më 1960 lindin rock-muzikantët e famshëm: Michael Stipe, Michael Hutchence, Adam Clayton dhe Bono; si dhe, aktorët: Antonio Banderas, Sean Penn, Hugh Grant, Colin Firth, Tilda Swinton dhe Kenneth Branagh. Ndërsa, vdes aktori i famshëm, Clark Gable. /Telegrafi/

Promo
Reklamo ketuSpeciale Kriza në Ukrainë
Më shumë
Dëshmi nga Beteja e Koshares: Oficeri i vrarë rus Vitali Bukharin, mercenar për një pjatë supë më tepër!

Teksa burrat e papunë ikin jashtë vendit, gratë shqiptare shfrytëzojnë liritë e reja

Mbi stilin

MBESA IME

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1920, 1930, 1940… 2020!?

Isa Boletini - Mohikani i Fundit

KiKxxl & evroTarget LLC

TapRrap

KEDS Energy

Fshati Gjelber

TapRrap

Zbritje – lokal me qira në lagjen “Aktash”, Prishtinë ID 160

Në shitje lokali 550m2 ID – 200

Shitet banesa 80m² në Arbëri, Prishtinë ID-199

Shitet banesa 121.27m² perfekte për ju në Prishtinën e Re – çmimi i pakrahasueshëm! ID-198

Shitet banesa 121.52m² në Pejë – zgjedhja juaj ideale! ID-197

Fillo verën duke blerë bluzën Magnum – Ellib Black

Disa arsye pse duhet t’i keni këto atlete Nike për basketboll

Disa fakte interesante rreth personazhit të animuar Mickey Mouse – një nga më të njohurit në Disney

Për të shmangur çdo lëndim të këmbëve gjatë lojës së futbollit fëmijët tuaj duhet t’i kenë këto atlete

Pse vajzat e vogla kanë nevojë për atlete me ngjyrë të bardhë dhe rozë?
Më të lexuarat

Këshilltari i Kurtit i reagon Escobarit: Një popull nuk i nënshtrohet një emisari

Krasniqi për takimin me Escobarin: Do të jetë ditë ogurzezë për Kosovën nëse SHBA përdor zyrtarisht fjalën “sanksion"

Përplasje e ashpër me fyerje ndërmjet Bahtirit dhe Matoshit

Benzema përmend Ronaldon në deklaratën e tij të parë si lojtar i Al Ittihad

Prezantuesja kroate dhe legjenda Hierro janë në pritje të fëmijës së parë të përbashkët

Real Madridi nxjerr në shitje Valverden