LAJMI I FUNDIT:

Viti 1942: Mustafa Kruja në Kosovë, vrasja e Vojo Kushit dhe Balto Stambollës

Viti 1942: Mustafa Kruja në Kosovë, vrasja e Vojo Kushit dhe Balto Stambollës
Pamje nga pritja e Mustafa Krujës në Kosovë

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1942?

Më 16 shtator 1942, krijohet Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Fjala është për mbledhjen e mbajtur në fshatin Pezë afër Tiranës. Të pranishmit, sipas Ymer Dishnicës, ishin: Abaz Kupi (përfaqësues i çetave nacionaliste), Ndoc Çoba (përfaqësues i katolicizmit nacionalist), Kamber Qafmolla (përfaqësues i xhandarmerisë, nacionalist), Ramazan Jarani (përfaqësues i intelektualëve nacionalistë), Halim Begeja (përfaqësues i rinisë nacionaliste), Ismail Petrela (përfaqësues i rinisë nacionaliste). Koço Tashko (përfaqësues i Partisë Komuniste), Enver Hoxha (përfaqësues i Partisë Komuniste), Nako Spiru (përfaqësues i rinisë komuniste), Baba Mustafa Xhani (përfaqësues i çetave të bektashinjve), Nexhmije Xhuglini (përfaqësuese e grave komuniste), Ramadan Çitaku (përfaqësues i Partisë Komuniste), Myslim Peza (përfaqësues i çetave komuniste), Muharrem Butka (përfaqësues i çetave komuniste të Korçës), Mustafa Gjinishi (pa votë, sekretar i mbledhjes – komunist), Mustafa Kaçaçi (dëgjues, komunist). Pra, në takim morën pjesë disa përkrahës të Mit’hat Frashërit që përfaqësonin rrymën që më vonë krijoi Ballin Kombëtar, si dhe mbështetësit e Ahmet Zogut, me Abaz Kupin në krye. Në takim, Dishnica akuzoi nacionalistët dhe vlerësoi Bashkimin Sovjetik, ndërsa Jarani tha se komunistët nuk e pranonin Shqipërinë etnike.


Shtëpia ku u mbajt Konferenca e Pezës

Një vit më vonë në Shqipëri arrihet Marrëveshja e Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë, për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike. Por, kjo marrëveshje kundërshtohet nga komunistët serbë. Sipas Xhelal Staraveckës, marrëveshja u prish sepse në atë kongres ishte shënuar fjala Shqipëri Etnike. Mirëpo, Dushani (Mugosha) dhe Milladini (Popoviq), nuk duronin që Kosova t’i hiqet Jugosllavisë. “Për këto o shokë u prish bashkimi i Mukajt. Jam ndodhur vetë me shumë shokë të Qendrorit në krye të të cilëve ishte druzhe Milladini, kur me një postë të jashtëzakonshme arriti proklamata e bashkimit të Mukajt. E hapëm proklamatën dhe e kënduam. Në fytyrën e lexuesit shndriti rrezja e gëzimit për sihariq të bashkimit. Të gjithë u gëzuam. Më vonë e mora atë proklamatë dhe duke e shpjeguar gjysmë shqip e gjysmë serbisht – pse unë nuk di serbishten, por edhe ai nuk di shqipen – por, sido i varfër nga serbishtja ia shpjegova dhe ai e kuptoi, e në fytyrën e tij menjëherë hipi një cerge e zezë dhe filloi të thotë: ‘Nuk pranohet ky bashkim, ne tani po forcohemi, do të fillojmë nga sëpata, e jo të bëjmë lidhje me qentë. Pastaj Skipëri etniçka, jebem ti majku’. Neve që qemë të tërë gjithë gaz morëm ngjyrë serioze duke thënë: ‘Po këta pizevenër nacionalistë do ta shohin tashmë sa të organizohemi dhe pak ditë se sëpatën do t’ua vëmë, e sa e sa të tjera duke thënë se dashkan Shqipëri Etnike. Ju e kuptoni që fytyrat tona ndërronin sipas asaj të druzhes’”.

Në vitin 1942, Ferdinand Milone – gjeograf dhe pedagog në Universitetin e Napolit dhe të Romës – në revistën “Rrugët e Italisë” boton esenë me titull “Shqiptarët dhe Shqipëria”. “Populli shqiptar është i ndarë në fe të ndryshme. Subjekt i ndikimeve të Romës dhe Bizantit, e dominuar për më shumë se katër shekuj nga pushtuesit myslimanë, kjo popullsi ka në mënyrë të dallueshme tri fe të mëdha: katolike, ortodokse dhe myslimane. Por, kjo treshe besimi nuk e ka dëmtuar unitetin e popullit. Shumica myslimane jeton në tolerancë të plotë me ortodoksët dhe katolikët. Është e dukshme që për të kuptuar se kush është në të vërtetë populli shqiptar, elementi më domethënës i dallimit është ai gjuhësor”, ka shkruar ai. Por, shqiptarët më 1942 ishin pikë e pesë. Madje edhe në Amerikë. Po më 1942, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia. Dy udhëheqës të shqiptarëve të Amerikës, Fan Noli i “Vatrës” dhe Kostë Çekrezi i “Shqipërisë së Lirë”, ulen të bisedojnë në kishën shqiptare të Bostonit, për të ngritur një front të bashkuar me përkrahjen e Amerikës. Faik Konica nuk merr pjesë, sepse as Nolin dhe as Çegrezin nuk i duronte. Mirëpo, Noli dhe Konica në krye të frontit të bashkuar donin Zogun, që jetonte në Londër. Çekrezi nuk e duronte Zogun, i cili dikur e kishte dënuar me vdekje në mungesë. Më 12 korrik, rreth 15 veta u ulën në tryezën e gjatë të kishës. “Sado i keq të ketë qenë Zogu për Shqipërinë, puna e do që ta vëmë edhe një herë në krye të lëvizjes kombëtare për formimin e një qeverie në mërgim”, ka thënë Noli. Çekrezi tha se Zogu nuk përfillet as nga Amerika dhe as nga ndonjë prej aleatëve të saj. Fjalët e Çekrezit e ngacmuan Nolin dhe gjakrat u nxehën. Noli i ra tryezës me grusht, ndërsa Çekrezi reagoi: “Po të ishte për të bërtitur e për të rrahur tryezën, njerëzit e mi dinë ta godasin atë më fort se ju”. Asgjë e dobishme nuk rrodhi nga ky takim. Ndërsa, Noli, si më parë ashtu edhe më vonë mbështeti komunistët.

Mustafa Kruja në Kosovë

Më 1942, mbret i Shqiptarëve ishte Viktor Emanueli III, ndërsa kryeministër Mustafa Kruja. Kruja në qershor të këtij viti vizitoi Kosovën. Në fjalën e mbajtur në Pejë, sipas Eugjen Merlikës, Kruja ka thënë: “Si shqiptar do të kishem fluturue këtu qysh ditën e parë qi ora e pavdekshme e fisit arbnuer deshti me ia kthye tekembramja këto vise të bekueme prej të Madhit Zot, atij qi i përkasin: Kombit shqiptar. Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj. Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë. Qe pse jam kenë, jam e do të des italofil. Italofil jo për interesë personale, por për nji ideal, italofil pa pallate e pa çifliqe. E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem” (sic.).

Kryeministri përsërit, pothuaj në çdo fjalim, nëpër shumë qytete, keqardhjen për vonesën e kësaj vizite, dëshirën e zjarrtë për të qenë aty që në ditët e para të marrjes së përgjegjësisë shtetërore.

“Kryeministri i juej ka vonue ndoshta me ardhë ndër juve me u gëzue në Bajramin e lirís së juej, por punët e Shtetit nuk më kanë lanë me ardhë përpara; punët e Shtetit janë të popullit dhe pra të juejat. Arsyeja ma e parë qi më ka pru në Kosovë asht qi të marr pjesë në gzimin tuej, n’atë gzim qi nuk asht gzim i nji feste familjeje, as gzimi i nji djali qi lèn, nuk asht gzimi i nji martese, por asht gzimi i të tanë nji Kombi, asht gzimi i këputjes së zinxhirave të hekurt të nji robnije 30-vjeçare” (sic.), tha ai në Ferizaj. Ndërsa, në Rahovec i tha këto fjalë: ““Kjo pritje madhështore qi qyteti juej i vogël i Rahovecit i ban kryeministrit dhe ministrave të vet, difton e provon se sa i madh asht enthuziazmi e se me sa padurim ka pritë ky popull me pa me sy nji kryeministër shqiptar e jo nji kryeministër të huej qi ka pasë nji emën, dikur Pashiq, dikur Jeftiq, dikur Stojadinoviq, gjithmonë me iq … Vuejtjet e të këqijat e kësaj robnije nuk mund të dëftehen me gojë. Anmiqtë t’onë thojshin me ngulje se Kosova asht e tyneja. E pse asht e tyneja ? Vetëm sepse asht vramë në fushë të Kosovës i pari i tyne, vetëm sepse kanë pasë ngrehun do kisha në Deçan, Sverçan e Graçanicë. Të tana të drejtat e tyne mbështeten pra vetëm mbi gjakun e nji mbreti të tyne të vramë në Fushën e Kosovës dhe mbi nj’a tri a katër ndërtesa kishtare. Por, sa pare bajnë këto ndërtesa? E kujt asht Kosova? Kosova asht vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipnís edhe këte e dishmojnë shqiptarët me feste të bardha mbi krye. Kjo asht nji diftesë e gjallë; nuk janë diftesa të vdekunit dhe ndonji ndërtesë, sepse të drejtat nuk fitohen me të vdekunit, por me të gjallët” (sic.).

Në fjalimin e fundit të udhëtimit, në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, Kruja deklaroi: “Kosovarë, Ju e keni fitue lirinë kombtare me armët e Boshtit, por edhe me gjakun qi keni derdhun ju e bijt t’uej, gjyshat, stërgjyshat e skatërgjyshat t’uej brez mbas brezi për me mbetun shqyptarë. As Dushani, as Sulltani, as shkau, as tyrku s’ka mujtun me jua ndërrue kombsinë t’uej. Por, në koftë se me lirinë e fitueme keni kujtue se u çelën menjiherë dyert e xhenetit për jue, e keni pasë gabim. Mjerisht, lirija kushton shtrenjt. Kushton gjak, mjerime e mundime. E bash pse kushton shtrenjt asht aq e çmueshme … Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash. E bash për këtë arsye mos u çuditni në kjoftë se ju them qi asht ba edhe ma e zorshme, ma e mërziçme se lufta e vërtetë ku luftohet e diset burrnisht, ashtu si ju jeni mësue me luftue e me dekun. Duhet pra, or burra të fortë, të dijmë jo veç me dekun, por kur e don puna si sod edhe me durue të këqijat e luftës vigane qi ka marrë të tanë botën me të thatë e me të njomë. Ju prej Shqipnis së lirë s’i keni pasun deri sod të gjitha të mirat qi keni pritun. Ndoshta ka me ju u dashtun të pritni edhe bajagi do kohë për me i pasun. Por, pasha Zotin or burra mos i a veni fajin Shqipnís. Shqipnija asht nana e jonë. E nana kurrë nuk i a don të keqen bijve të vet. S’e ka fajin Shqipnija, e ka fajin lufta qi i a ka ngatrrue lamshin tanë botës. Kurrgjâ nuk do të rrinte mangut këtu në Kosovë sikur të mjaftonte vetëm vullneti i mirë i yni e i jueji. Nuk po hyj me i tjerrë gjatë të tana punët e dertet nji ka nji. Veç po ju them e po ju siguroj se të mira e të këqija ça të kemi do t’i dajmë bashkë, do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë” (sic.).

Sulmi britanik ndaj forcave naziste në Betejën e Dytë të El Alameinit në Afrikën veriore

Më 1942 bota ishte në luftë. Ngjarjet më të mëdha të kësaj lufte këtë vit ishin: fitorja britanike në Afrikë kundër trupave gjermane të gjeneralit Erwin Rommel dhe fillimi i Betejës së Stalingradit që do t’ia japë tatëpjetën Gjermanisë naziste.

Më 1942 lindën muzikantët Aretha Franklin, Paul McCartney, Brian Jones, Lou Reed, John Cale, Barbra Streisand, Isaac Hayes, Brian Wilson dhe Jimi Hendrix; regjisori Martin Scorsese; kritiku i filmit, Roger Ebert; aktorët Harrison Ford, Terry Jones dhe Ian McShane; shkrimtarja Isabel Allende; astrofizikani Stephen Hawking; legjenda e boksit, Muhammad Ali; diktatori libian, Muammar Gaddafi; sekretari i NATO-s në kohën e çlirimit të Kosovës më 1999, Javier Solana, si dhe presidenti i 46-të amerikan, presidenti aktual Joe Biden. Më 1942 lindën edhe veprimtari dhe biznesmeni i dalluar shqiptar në ShBA, Xhim Xhema; shkrimtari për fëmijë, Vehbi Kikaj, dhe dramaturgu Ruzhdi Pulaha.

Më 1942 vriten komunisti i Kosovës, Emin Duraku, si dhe ai i Shqipërisë, Qemal Stafa. Po ashtu, vritet komunisti nga Shkodra, Hero i Popullit në Shqipëri dhe në Jugosllavi, Vojo Kushi. Kushi ishte malazez, por pushteti i Zogut ua kishte hequr serbëve dhe malazezëve prapashtesën “viq” e “iq” prej mbiemrave. Ai i takonte grupit komunist të Shkodrës, si Vasil Shanto dhe Branko Kadija. Nga ky grup, Jordan Misja ishte serb. Kushi ishte pjesë e grupit që ka vrarë më vonë të birin e Isa Boletinit, nënkolonelin Adem Boletini. “Vrasja e babait tim, nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri”, ka thënë i biri Ademit, Isa. “Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime. Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet më 1944, vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu, në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqija mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë derisa vdiq”. Në kohën kur kryetar i Prishtinës ishte Shpend Ahmeti, një rrugë në Prishtinë emërohet me emrin e Vojo Kushit.

Rruga “Vojo Kushi” në Prishtinë

Më 1942 vritet edhe Balto Stambolla që ishte vrasësi i Luigj Gurakuqit. Vrasja e tij thuhet se ndodhi kështu: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen kryeministër të z. Mustafa Kruja, ky i kërkoi Qeverisë italiane që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fier, gjoja ‘për siguri’ larg Shkodres. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-katër policë shqiptarë. Një ditë, gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2-3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet” (sic.). Mustafa Kruja këtë storje ia ka treguar Kol Radovanit, babait të shkrimtarit Fritz Radovani (i cili më vonë e dëgjon nga e ëma, Viktoria). “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit” (sic.).

Më 1942 vdesë Abdi bej Toptani, veprimtar i çështjes kombëtare, prijës çetash, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministër Financash në qeverinë e parë shqiptare. /Telegrafi/

Letra e Balto Stambollës: “Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? ‘besa’ ndihma” (sic.) Stambolla ka lënë të kuptohet se prapa vrasjes së Gurakuqit më 1925 qëndronin kryeministri i atëhershëm Ahmet Zogu, kunati i tij Ceno bej Kryeziu dhe konsulli i Shqipërisë në Bari, Çatin Saraç.