Nga: Gazmend A. Bakiu

Është e rëndësishme të dimë të vërtetën mbi ngjarjet dhe personalitetet e historisë sonë, sepse sidomos në këto kohë të trazuara, kjo na shërben. Matematikani francez, Pierre-Simon Laplace pohonte: “Nëse njohim saktë të kaluarën dhe të tashmen, mund të parashikojmë të ardhmen. Mirëpo, nëse kemi një përfytyrim të gabuar apo të rremë të së shkuarës, do të jemi të paqartë për të tashmen dhe të turbullt për atë që do të ndodhë në të nesërmen”. Në këtë kuptim, ndriçimi i ngjarjeve dhe i personazheve kryesore që lidhen me historinë e shtetit shqiptar merr një rëndësi të dorës së parë.

Veç vështirësive të natyrshme që ka studimi dhe interpretimi i historisë, problemi është komplikuar, sepse regjimi komunist e deformoi keqazi të shkuarën tonë, duke e vënë në shërbim të pushtetit të vet. Për këtë qëllim, përgatiti propaganduesit e tij, të cilët s’kanë ndër mend të heqin dorë nga zanati i tyre. Për periudhën 1912-1939, katër ishin gënjeshtrat e mëdha të regjimit të vjetër:

1. Haxhi Qamili kishte qenë hero.
2. Ahmet Zogu kishte shitur apo dhuruar Shën Naumin.
3. Në vitin 1924 kishte ndodhur revolucion demokratiko-borgjez.
4. Esat Toptani ishte tradhtar.

Le t’i cekim çështjet shkurtimisht me radhë. “Heroizmi” i Haxhi Qamilit dhe dumbabistëve, i artikuluar me porosi të vetë diktatorit, ra shpejt, pas vitit 1990. Çështja e Shën Naumit, e paraqitur nga historiografët e regjimit të vjetër, herë si shitje dhe herë si dhurim, është tashmë e argumentuar katërcipërisht, që s’ka qenë e tillë. Në qershorin e vitit 1924, minoranca parlamentare mori pushtetin me dhunë dhe qeverisi gjashtë muaj pa Parlament, në kushtet e një grushti shteti. Vetëm të palëçiturit dhe të indoktrinuarit vazhdojnë avazin e tyre, ndërsa këto tri çështje janë prej kohe krejt të qarta.

Mbetej tashmë problemi më i koklavitur dhe intrigues, ai i Esat Toptanit. Vështirësia për të zbardhur të vërtetën për të ishte e madhe, sepse:

1. Për gati 100 vjet nuk ishin bërë përpjekje sa ç’duhej për ndriçimin e figurës së pashait. Libri i Tahir Kolgjinit ,“Esat pasha patriot apo tradhtar”, dhe ndonjë tjetër, ishin të pamjaftueshëm dhe jo mbushamendës.
2. Përgojimi apo damkosja e Esatit kishin filluar më herët se vrasja e tij, si pasojë e luftës politike të kohës kur ai zhvilloi aktivitetin.
3. Shumë periodikë, arkiva e dokumente me rëndësi, që mund të hidhnin dritë mbi çështjen ndodhen jashtë vendit dhe në disa gjuhë të huaja.
4. Duhej një përpjekje e fuqishme nga një studiues mendjehapur dhe pa paragjykime.

Më në fund ndodhi që dy vite e gjysmë më parë patëm një zhvillim të ri, të mirëpritur. Gazetari Ilir Ikonomi, pas katër vjet pune, me botimin e librit “Esat Toptani, njeriu, lufta, pushteti” arriti të ndriçojë në tërësi dhe me paanësi gjeneralin Toptani. Për këtë libër pata botuar një artikull kritik në “Gazetën Shqiptare” (10.12.2016), ku përshëndesja arritjet e mëdha dhe parashtroja mundësitë për më tej.

Por, çfarë na rezulton?!

Rezulton se Esat Toptani e ka ushtruar aktivitetin e tij politik në kushte tejet të vështira, pak të imagjinueshme sot, pas 100 e kusur vitesh dhe nuk ka kryer asnjë tradhti. Ndërkohë, nuk kam lexuar asnjë kritikë apo replikë ndaj librit të Ikonomit, nga historiografët e shkuar, që mëtojnë të kundërtën. Në fakt pati një, por s’vlen të përmendet.

Natyrshëm lind pyetja: Përse gjithë ky mllef ndaj Esatit?! Siç nënvizova më lart, problemi ka qenë i komplikuar dhe shkon përtej gënjeshtrave që u thanë pas vitit 1945. Le t’i marrim me radhë ngjarjet në një analizë të shkurtër.

Lufta e Shkodrës: Esati nuk mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Kësisoj, ai nuk mori aureolën e firmëtarit të pavarësisë, por zgjodhi të luftojë e të mbrojë Shkodrën nga malazezët dhe serbët. Lufta në qytetin verior ka qenë lufta më e madhe që është bërë në trojet tona që nga viti 1912 e këtej dhe Shkodra i mbeti Shqipërisë, pikërisht në sajë të saj dhe të presionit austro-hungarez. Kujtoj që edhe në Janinë u bë luftë e ashpër me forcat greke; qyteti u dorëzua më 6 mars 1913 dhe i mbeti Greqisë, por komandanti i Janinës nuk u quajt asnjëherë tradhtar. Ndërsa, Esati që luftoi thuajse shtatë muaj, në një rezistencë ekstreme, siç kanë dëshmuar Gino Berri dhe Hortense von Zambaur, në ditarët e tyre (“L’Assedio di Scutari” dhe “Die belagerung von Scutari”), për popullsinë që vdiste nga uria, kur ushtria nuk kishte më as municion dhe as me ç’të ushqehej, na quhet nga të indoktrinuarit, tradhtar që shiti Shkodrën. Shkodrën që i mbeti Shqipërisë.

Në fakt, Toptani u prit me nderime në Vlorë në korrik 1913 dhe mori postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit. Mos vallë, Ismail beu kishte pranuar në qeveri një tradhtar?! Ky është një absurditet logjik. E vërteta është ajo që ka shkruar Mihal Grameno, më 1925, në librin e tij të mbramë, “Kryengritja shqiptare”: “Evropa mbeti e habitur… me guximin e trimërinë e Esat pashës” (f.148).

Rivaliteti Esat pasha – Ismail bej: Në qeverinë e Vlorës u shfaq hapur rivaliteti mes Toptanit dhe Ismail Qemalit, me zakonin shqiptar se kush do të ishte i pari i vendit. Ne nuk duhet të biem pre e emocioneve pro njërit dhe kundër tjetrit, me këndvështrim paragjykues, të përciptë e bardhezi, aq më tepër që sipas Brancaçios, kundërshtarët bënë paqe më 1918 dhe Toptani i lidhi një pension mujor Ismail beut që ndodhej në vështirësi ekonomike. Gjithsesi, rivalitetin për kohën që po bëjmë fjalë e fitoi Esati, që shkoi në krye të delegacionit në Newvied për dhënien e kurorës, më 22 shkurt 1914, te princi gjerman që na caktuan Fuqitë e Mëdha. Në qeverinë e Turhan pashë Përmetit, që u formua në mars 1914, Esati ishte ministër i Brendshëm dhe i Luftës.

Wiedi, rebelët, serbët dhe Antanta: Princi i mirë Wied nuk e njihte realitetin shqiptar; legatat austriake dhe italiane ishin të përfshira në një rivalitet për dominimin e principatës së saponjohur, ndërsa princesha Sophie ishte fort aktive në punët që i takonin të shoqit. E, pikërisht në këtë situatë të trazuar, shfaqet kryengritja e rebelëve, e nxitur – siç na ka rrëfyer Gabriel Louis Jeray te libri i tij “Au jeune Royaume d’Albanie”, nga agjentë turq, por pse jo edhe nga serbë e grekë. Në situatën kur koloneli holandez Sluys nuk zbatoi një urdhër të tij, Esati dha dorëheqjen te princi, i cili nuk ia pranoi. Por, dy ditë më pas, më 19 maj 1914, intrigat e huaja kishin bërë të vetën dhe Esatin e etiketuar si filoitalian, e arrestuan dhe e përzunë jashtë vendit. Asnjë provë nuk u gjet për implikimin e tij me rebelët, asnjë tradhti ndaj shtetit nuk ishte kryer (lexoni Armstrongun, sekretarin e Wiedit), ndërkohë që princi humbi kësisoj njeriun e vetëm të aftë i cili mund të shtypte kryengritjen dumbabiste që në fillimet e saj.

Nën presionin e rebelëve dhe i mbetur pa përkrahjen e Fuqive të Mëdha që e fronëzuan, princi Wiedi u largua nga Shqipëria më 3 shtator 1914. Pikërisht në rrethanat që princi nuk qëndroi dot, mes kaosit, Esati u kthye në Durrësin e rrethuar, duke u rezistuar për muaj të tërë rebelëve. Ndryshe nga të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë që ishin pro Austro-Hungarisë, ai pati largpamësinë të rreshtohej pro Antantës pasi ajo, sipas tij, do ta fitonte luftën botërore që tashmë kishte filluar; vendi nuk duhej të bëhej palë me humbësit, sepse kjo do të sillte së paku humbje të tjera nga territori që i ishte lënë Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Për pragmatizëm politik dhe për pasojë të aleancës me Antantën, Esati bëri aleancë me serbët, armiqtë historikë, të cilët i shfrytëzoi për të shtypur rebelët, dhe ashtu ndodhi. Forcat serbe i thyen rebelët në Qukës, në qershor 1915, dhe pastaj Esati i kapi një e nga një krerët e tyre dhe ata u varën pas një procesi të rregullt gjyqësor. Më pas, aleancën me Antantën e respektoi duke ndihmuar të largoheshin forcat e mundura serbe nga Durrësi, në janar 1916, por do të etiketohej nga kundërshtarët e tij si proserb, proitalian etj. Nga ana tjetër, konfliktualiteti i tij me thuajse të gjithë politikanët e rëndësishëm të kohës do të bënte të vetën, dyshimet dhe opinioni negativ (madje demonizimi) ndaj tij do të ishin në ngritje.

Promemoria dhe memorandumi: Përgjatë Luftës së Parë Botërore, si asnjë shqiptar tjetër, Esat Toptani u prit me nderime në Romë, Paris dhe Londër, duke marrë dekoratat që askush nuk i mori edhe më vonë. Kur mbaroi lufta, Esati paraqiti promemorjen te presidenti amerikan Wilson dhe memorandumin e 16 prillit 1919 drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, të cilat nuk janë përfillur nga historiografia shqiptare, por që mund t’i lexoni tek libri i Ikonomit. Aty nuk kërkohet as fare më pak se Shqipëria londineze dhe asnjë cedim mbi territoret shqiptare nuk ka. Këto dokumente të mbrame hedhin poshtë çdo akuzë që i bëhet.

Vrasja e pashait: Por, kanceleritë perëndimore ishin mërzitur nga kërkesat e Toptanit, si njeriu që kishte qenë pro Antantës. Nga ana tjetër, Kongresi i Lushnjës e kishte lënë Esatin jashtë tortës së pushtetit, gjë me të cilën ai nuk mund të pajtohej, prandaj kishte filluar kryengritja esadiste që mund të rrëzonte qeverinë. Autoritetet e Tiranës dërguan një delegacion në Paris për bisedime me Esatin, por ndërkohë i përgatitën një atentat. Paratë që iu gjetën vrasësit dhe investigimi i Kastriot Dervishit në librin “Plumba politikës” për porositjen, janë indicie të qarta (K. Dervishi, Plumba politikës, Tiranë, 2009, f.46).

Vrasja u krye më 13 qershor 1920. Ky ishte një gabim i rëndë i klasës së re politike të vendit, e cila mendoi të zgjidhte problemet politike përmes kobures. Habia e madhe ishte se gjyqi ndaj Rustemit përfundoi pa e dënuar dhe duke e liruar këtë të fundit nga burgu. Kjo të çon në deduksionin se shërbimet e huaja ishin të përfshira në këtë aferë dhe Fuqive të Mëdha u interesonte eliminimi i pashait. Por, marrëzi e madhe është se akoma edhe sot “i kërkojnë hesap” Esatit se ku është varrosur, ndërkohë që kjo “ngjarje” ka historinë e vet.

Pas 1920-s, ndodhi që vrasësi u fut në politikë dhe organizoi një atentat tjetër, por përfundoi vetë i vrarë. Deri në pushtimin italian, Rustemi ishte krejt i harruar, por për regjimet diktatoriale vrasësit janë heronj dhe kësisoj, edhe sot për të kemi një shesh që e pagëzuan fashistët, me një bust që e bënë komunistët. Uroj që “heroi” të mos jetë akoma frymëzim për kokat e nxehta shqiptare.

Konkluzion: Sipas dokumenteve dhe një analize logjike, të gjitha kolonat e rreme të gjoja tradhtisë kanë rënë. A nuk na kishte thënë Atë Zef Plumi te libri i tij “Rrno për me tregue”, ndërsa studionte letërkëmbimin e Esatit me Atë Pal Dodajn, në arkivin e françeskanëve se pashai “aty dilte në një dritë tjetër”?! (Rrno për me tregue, Tiranë, 2006, f.42)

Esati veproi në një kohë dhe terren të rrëpirtë, shumë të vështirë, kur thureshin intriga të panumërta nga italianët, austriakët, francezët, serbët, rebelët etj., në një periudhë kur shqiptarët akoma nuk kishin formësuar si popull, një ndërgjegje të qartë kombëtare.

Toptani ishte një ushtarak i aftë dhe një politikan pragmatist; ai parashikoi dhe kërkoi që Tirana të ishte kryeqytet që në vitin 1914. Duke qenë fort i fuqishëm, prodhoi gjithandej armiq, por kjo ka qenë edhe pasojë e karakterit të tij. Siç thoshte Mustafa Kruja: Abdi beu (Toptani) ishte i dashtun, ndërsa Esati ishte i drashtun d.m.th. e kishin frikë. Mendoj se në gjykimin ndaj tij, të anshëm dhe pezhorativ, rol ka pasur se ai vinte nga një familje e madhe, e pasur, tiranase.

Esat pashë Toptani pa dyshim nuk ishte as tradhtar, as hero, dhe ne duhet të lemë pas për këdo, etiketimet komunisto-folklorike. Toptani ishte një politikan i rëndësishëm, që ka kontributin e tij në historinë e shtetit shqiptar. Tashmë ai është pjesë e një historie të padeformuar, por çlirimi i mendjeve nga të paqenat që janë thënë për të (dhe jo vetëm për të), do të jetë një proces i gjatë.