Periudha Edo në Japoni zgjati nga viti 1603 deri më 1867/1868. Gjatë kësaj kohe, vendi u sundua nga shogunati Tokugawa. Këto 250 vjet ishin një periudhë e paqes relative, pa luftë civile (ndonëse kryengritjet vazhdonin të ndodhnin). Paqja, së bashku me rendin e rreptë shoqëror dhe politikat izoluese, solli zhvillimin ekonomik i cili, nga ana tjetër, lejoi lulëzimin e arteve. Nuk ishte aspak një shoqëri e drejtë apo e barabartë, por as ato në të cilat jetojmë sot nuk janë të tilla. Bashkohuni me ne për të zbuluar më shumë rreth kësaj periudhe unike përmes dhjetë fjalëve dhe katër shkollave të artit.

Nga: Joanna Kaszubowska / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com


SHOGUN

Periudha Edo filloi kur Tokugawa Ieyasu u bë shogun dhe vendosi kryeqytetin e tij në qytetin Edo (Tokion e sotme). Shoguni ishte ai që sot do ta quanim diktator ushtarak, megjithëse emërohej ende nga perandori. Ndërsa perandori dhe oborri i tij mbanin gjithë prestigjin, ishte shoguni ai që mbante pushtetin dhe sundonte vendin. Titulli i shogunit ishte praktikisht trashëgues dhe, gjatë periudhës Edo, mbeti brenda familjes Tokugawa. Shoguni sundonte me ndihmën e zyrtarëve të njohur si bakufu (幕府, “qeveri në tendë”).

Lexo po ashtu:
- “Kalorësit legjendarë të së kaluarës”: Historia e vërtetë e samurajëve misteriozë të Japonisë
- Gravurat e famshme (të censuruara) japoneze
- Arti i posterëve japonezë gjatë shekullit XX
- Van Goghu dhe Japonia: Printimet që ndikuan në artin e gjeniut fatkeq


Utagawa Yoshitora, “Shoguni i parë i shogunatit Tokugawa” nga Mikawa Eiyu Den, 1873 Artelino

Tsukioka Yoshitoshi, “Shoguni Tokugawa Iemitsu duke pritur lordët (daimyo) në audiencë”, 1875Muzeu i Artit i Qarkut Los Anxhelos, Los Anxhelos, Kaliforni, ShBA

DAIMYO

Daimyo ishte bazik për pushtetin e shogunit. Japonia, gjatë periudhës Edo, ishte shtet feudal dhe daimyo-t zotëronin tokat. Të ndarë në tri grupe sipas afërsisë së tyre me familjen Tokugawa, ata ishin përgjegjës për qeverisjen lokale në zotërimet e veta. Fillimisht, taksat e vendosura mbi fshatarët i bënë shumë të pasur, por gradualisht mënyra luksoze e jetesës bëri që shumë prej tyre të hynin në borxhe ndaj tregtarëve të cilët, çuditërisht, nuk tatoheshin pasi konsideroheshin si një nga shtresat më të ulëta të shoqërisë japoneze. Shteti mendonte se ishte e papërshtatshme të tatoheshin aktivitetet kaq “parazitare” si tregtia.

Katsukawa Shunkō, “Ichikawa Danjuro i pestë si samuraj”, rreth vitit 1785Muzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

SAMURAJI

Samurajët ishin luftëtarë; disa prej tyre raportonin drejtpërdrejt te shoguni, ndërsa të tjerët mbaheshin si vasalë nga daimyo-t. Samurajët nuk zotëronin tokë dhe nuk punonin, sepse kjo konsiderohej poshtëruese për ta. Lufta ishte profesioni i tyre i vetëm, por në një periudhë aq paqësore sa ajo Edo, nuk kishte shumë beteja për të zhvilluar, ndaj shumë samurajë iu përkushtuan arteve. Ishte e zakonshme që samurajët të ishin të arsimuar dhe të gëzonin privilegje shoqërore. Menjëherë pas periudhës Edo, roli i tyre u bë i vjetruar, pasi ishte shumë më lirë të përdoreshin ushtarët e mobilizuar, si ata që njohim nga ushtritë moderne. Megjithatë, ata përdorën përvojën e fituar gjatë periudhës Edo në administrimin e pronave të daimyo-ve dhe shumë prej tyre kaluan në role biznesi dhe profesionale.

Kitagawa Utomaru, “Ase o fuku onna (Gruaja duke fshirë djersën), 1798, shtypur mes viteve 1918 dhe 1923Biblioteka e Kongresit, Uashington, ShBA

SANKIN-KŌTAI

Sankin-kōtai ishte një politikë që i ndihmonte shogunët t’i mbanin miqtë afër dhe armiqtë edhe më afër. Ajo i detyronte daimyo-t të kalonin çdo vit të dytë në Edo, si dhe i detyronte familjet e tyre të jetonin aty përgjithmonë. Kjo mundësonte lidhje më të lehtë me pushtetin qendror, por ishte gjithashtu një formë e fshehtë e mbajtjes peng, në rast se daimyo-t do të komplotonin ndonjë kryengritje. Për shogunatin, kjo kishte edhe përfitimin shtesë të zbrazjes së burimeve financiare të daimyo-ve, pasi ata duhej të mbanin dy rezidenca luksoze; kjo i siguronte më tej që ata të mos nisnin luftën.

Torii Kiyomitsu, “Fëmijë duke aktruar procesionin e daimiove”, rreth vitit 1763Muzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

SAKOKU DHE RANGAKU

Periudha Edo ishte gjithashtu një kohë e izolacionizmit të madh në Japoni. Sakoku ishte një doktrinë që synonte t’i mbante perëndimorët jashtë Japonisë. Që nga vitet 1630, të huajve nuk u lejohej të shkelnin në tokën japoneze dhe shkelja e këtij rregulli dënohej me vdekje në vend. Gjithashtu, çdo japonez që dëshironte të largohej nga vendi nuk lejohej të kthehej më. Në periudha të caktuara gjatë periudhës Edo, ndërtimi i anijeve ishte i ndaluar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk kishte tregti të jashtme. Kishte tregti të gjerë me Kinën përmes portit të Nagasakit, në perëndimin e largët të Japonisë, ku ekzistonte një zonë banimi për kinezët. Politika përcaktonte se i vetmi ndikim evropian i lejuar ishte fabrika holandeze në Dexhima, në Nagasaki. Kjo prani nuk i shkelte rregullat e Sakoku-t, sepse Dexhima ishte një ishull artificial dhe, për rrjedhojë, nuk konsiderohej pjesë e Japonisë.

Katsushika Hokusai, “Gaifū kaisei (Erë e lehtë, mëngjes i kthjellët)” nga “Tridhjetë e gjashtë pamje të Malit Fuxhi”, rreth viteve 1800-1849Muzeu i Artit i Indianapolisit, Indianapolis, Indiana, ShBA

Dhe, këtu arrijmë te Rangaku (“mësimi holandez”). Sado që Japonia dëshironte t’i mbante të huajt jashtë, ajo ishte ende e etur të mësonte për përparimin që po bënin armiqtë e saj. Rangaku ishte një trup njohurish i zhvilluar nga Japonia përmes kontakteve të saj me holandezët dhe enklavën e Dexhimës, i cili i lejoi Japonisë të qëndronte e informuar mbi teknologjinë dhe mjekësinë perëndimore. Kjo e ndihmoi Japoninë gjatë Restaurimit Meiji që të arrinte shumë shpejt përparimin perëndimor.

Utagawa Kunisada, “Mitsuxhi në distriktin e kënaqësive Marujama të Nagasakit”, 1861Muzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

HANKŌ DHE TERAKOYA

E përmenda tashmë se samurajët ishin të arsimuar. Në përgjithësi, popullsia e Japonisë gjatë periudhës Edo ishte relativisht e kulturuar, veçanërisht shtresat e larta. Hankō, ose shkollat han, u krijuan për të arsimuar fëmijët e daimyo-ve dhe samurajëve në zotërimet lokale feudale. Këto ishin shkolla shtetërore dhe, fillimisht, programi mësimor përqendrohej në studimet konfuçiane. Megjithatë, me kalimin e kohës, qasja në shkolla u zgjerua përtej daimyo-ve dhe samurajëve dhe programi u zgjerua ndjeshëm për të përfshirë studimet klasike japoneze, mjekësinë dhe degë të ndryshme të dijes perëndimore, përfshirë matematikën, astronominë, shkencën ushtarake dhe balistikën.

Issunshi Hanasato, “Terakoja nga thesaret e përjetshme të letërsisë”, 1844-1848Biblioteka Metropolitane e Tokios, Tokio, Japoni

Terakoya-t ndryshonin nga Hankō-t sepse ishin shkolla private të destinuara për njerëzit e zakonshëm, kryesisht tregtarët, të cilët kishin para, por renditeshin ulët në shoqëri. Fillimisht, këto shkolla shpesh funksiononin brenda tempujve budistë, por më vonë gjetën vend edhe në shtëpitë private të shtresave të larta. Programi mësimor fillonte me kurse kaligrafie dhe më pas zgjerohej për të përfshirë llogaritjen me abak, historinë dhe gjeografinë. Ato mësonin gjithashtu për jetën e përditshme të njerëzve, rregullat e shtëpisë, aftësitë e bisedës dhe vlerat morale, si edhe tema historike dhe gjeografike, duke u dhënë nxënësve një pamje më të gjerë të jetës shoqërore.


Torii Kiyonaga, “Onna yu (Gra në banjë)”, rreth vitit 1780Biblioteka e Kongresit, Uashington, ShBA

UKIYO

Ukiyo, që do të thotë “bota lundruese”, është një term i përdorur për të përshkruar kulturën urbane që u zhvillua gjatë periudhës Edo. Gjatë asaj kohe, veçanërisht kur shtresat e larta u zhvendosën në qytete, paqja e kombinuar me përparimin ekonomik lejoi zhvillimin e kulturës së kohës së lirë. Shtresat tregtare, të vendosura në fund të rendit shoqëror, përfituan më shumë nga rritja e shpejtë ekonomike e Edos dhe filluan të shijonin e të mbështesnin teatrin kabuki, geishat dhe kurtizanet e distrikteve të kënaqësive; termi ukiyo filloi të përshkruante këtë mënyrë jetese hedoniste. Kultura ukiyo u zhvillua në Joshiuara, distrikti i licencuar i dritave të kuqe në Edo. Ishte një kulturë e përqendruar te shijimi i jetës dhe kënaqësisë.

Kitagawa Utamaro, “Dy gra”, rreth vitit 1790 Muzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

UKIYO-E

Ukiyo-e është një stil gravurash në dru që u zhvillua me ngritjen e kulturës ukiyo. Tematika përfshinte bukuri femërore; aktorë kabuki dhe mundës sumo; skena nga historia dhe tregimet popullore; pamje udhëtimesh dhe peizazhe; florë dhe faunë; si edhe skena erotike ose të dhunshme. Hishikawa Moronobu ishte një nga përfaqësuesit e parë të këtij stili në formën e tij të pjekur. Gravurat e tij ishin njëngjyrëshe ose të ngjyrosura me dorë, por shtypja me ngjyra u zhvillua shpejt më pas. Deri në shekullin XVIII, veprat e titanëve të tillë si Torii Kiyonaga, Utamaro dhe Sharaku ishin bërë shumë të njohura. Tradita vazhdoi në shekullin XIX me arritje të tilla si Pesëdhjetë e tri stacionet e Tokaidos nga Hiroshige ose Vala e madhe pranë Kanagavës e Hokusait. Fatkeqësisht, me vdekjen e këtyre dy mjeshtërve dhe fundin e periudhës Edo, përfunduan edhe ditët e ukiyo-e.

Utagawa Hiroshige, “Kavasaki: Trageti Rokugo” nga Pesëdhjetë e tri stacionit e Tokaidos”, rreth viteve 1833-1834Christie’s

KABUKI

Kabuki si zhanër teatror u zhvillua shumë herët gjatë periudhës Edo. Mendohet se e ka origjinën nga një trupë vallëzimi femrash themeluar nga Izumo no Okuni - gjë interesante duke pasur parasysh se në vitin 1629 grave iu ndalua të performonin në kabuki. Ai njihet për interpretimet shumë të stilizuara, kostumet shpesh madhështore të aktorëve dhe grimin e ndërlikuar kumadori që përdorej nga disa interpretues. Kabuki shpesh shfaqej në Joshivara dhe përbënte një pjesë thelbësore të kulturës ukiyo. Popullariteti i madh i kabuki-it shpesh bënte që njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore të mblidheshin për të parë shfaqjet, një dukuri unike që nuk ndodhte askund tjetër në qytetin Edo.

Tōshūsai Sharaku, “Aktori i Kabukit Ōtani Oniji III si Yakko Edobei”, 1794Muzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

BUNRAKU

Bunraku është një formë tradicionale japoneze e teatrit me kukulla, e themeluar në Osaka në fillim të shekullit XVII. Shfaqja përfshinte tri lloje artistësh: Ningyōtsukai ose Ningyōzukai - manipuluesit e kukullave, tayū - recituesit, dhe shamisen - muzikantët.

Kokat dhe duart e kukullave tradicionale gdhenden prej specialistëve, ndërsa trupat dhe kostumet shpesh ndërtohen nga manipuluesit e kukullave. Kokat mund të jenë teknikisht shumë të sofistikuara. Në shfaqjet me tema mbinatyrore, një kukull mund të ndërtohet në atë mënyrë që fytyra e saj të shndërrohet shpejt në atë të një demoni. Kokat më pak komplekse mund të kenë sy që lëvizin lart-poshtë, anash ose mbyllen, si dhe hundë, gojë e vetulla që lëvizin. Bunraku ka shumë tema si kabuki. Në fakt, shumë drama u përshtatën si për interpretim nga aktorët në kabuki, ashtu edhe nga trupat e kukullave në bunraku. Bunraku është veçanërisht i njohur për dramat mbi vetëvrasjet e dashnorëve. Historia e 47 roninëve është gjithashtu e famshme si në bunraku, ashtu edhe në kabuki.

Utashige, “Teatri japonez bunraku”, rreth shekullit XIXBritannica

Tani, le të hedhim një vështrim më nga afër mbi katër shkollat e arteve pamore që u zhvilluan gjatë periudhës Edo, përveç asaj ukiyo-e.

Hon’ami Kōetsu, “Poemë nga Kamo no Chōmei me pikturë të luleve të qershisë në sfond”, 1606Muzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

SHKOLLA RINPA

Shkolla Rinpa u zhvillua në fillim të periudhës Edo, kryesisht si përgjigje ndaj kërkesës në rritje për art nga shtresat tregtare. Artistët e Rinpa-s punonin në formate të ndryshme, veçanërisht në paravane, erashka, letra, libra të shtypur me gravurë në dru, punime me llak, qeramikë dhe tekstile kimonoje. Tematika dhe stili ishin mjaft konservatorë. Shpesh përfshinin motive të thjeshta natyrore si zogj, bimë dhe lule, me sfondin e mbuluar me fletë ari. Dy nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shkollës Rinpa ishin Hon’ami Kōetsu (1558-1637) dhe Tawaraya Sōtatsu (vdiq rreth vitit 1640). Këta artistë bashkëpunuan me sukses për të kombinuar kaligrafinë elegante të Kōetsus të shkruar mbi pikturat dekorative të Sōtatsut, duke krijuar vepra me një ndjenjë të fortë ritmi, modele të mbivendosura dhe elegancë të rafinuar.

Tawaraya Sōtatsu, Hon’ami Kōetsu, “Antologji me lejlekë”, rreth viteve 1602-1620Muzeu Kombëtar i Kiotos, Kioto, Japoni

Shkolla Rinpa u ringjall gjatë periudhës Genroku (元 1688-1704) nga Ogata Kōrin dhe vëllai i tij më i vogël Ogata Kenzan, bij të një tregtari të pasur tekstilesh nga Kioto. Risia e Kōrinit ishte paraqitja e natyrës në mënyrë abstrakte, duke përdorur shumë gradacione ngjyrash dhe nuancash, përzierje ngjyrash mbi sipërfaqe për të arritur efekte të pazakonta, si dhe përdorimin bujar të materialeve të çmuara si ari dhe perlat. Të përhapura përmes librave me modele dhe manualeve, veprat e vëllezërve Ogata frymëzuan shumë artizanë të tjerë.

Ogata Kōrin, “Lule kumbulle të kuqe dhe të bardha”, rreth shekullit XVIIIMuzeu i Artit MOA, Atami, Japoni

SHKOLLA KANŌ

Shkolla Kanō është një nga shkollat më të famshme të pikturës japoneze. Shkolla Kanō e pikturës ishte stili dominues i pikturës nga fundi i shekullit XV deri në periudhën Meiji. Shkolla fillimisht pasqyroi ndikimin e ripërtërirë nga piktura kineze dhe vazhdoi, gjatë viteve, të prodhonte piktura monokromatike, me penel, në stilin kinez. Megjithatë, njëkohësisht ajo zhvilloi një stil me ngjyra të ndezura dhe konture të theksuara për tablo të mëdha, që pasqyronin tradita qartësisht japoneze. Shkolla mbështetej nga shogunati, duke përfaqësuar në mënyrë efektive stilin zyrtar të artit. Piktorët Kanō punonin kryesisht për fisnikërinë, shogunët dhe perandorët, duke mbuluar një gamë të gjerë stilesh, temash dhe formatesh.

Kanō Masanobu (i atribuohet), “Pema e kumbullës dhe zogjtë e ujit”, rreth shekullit XVIMuzeu Metropolitan i Artit, Nju-Jork, ShBA

Shkolla u themelua nga Kanō Masanobu (1434-1530), i cili jetoi shumë gjatë dhe babai i tij ishte Kagenobu, një samuraj dhe piktor amator. Masanobu trajnoi djemtë e tij Kanō Motonobu (1476-1559) dhe më të riun Yukinobu (ose Utanosuke). Kanō Eitoku (1543-1590), nipi i Motonobusë dhe ndoshta nxënësi i tij, ishte piktori më i rëndësishëm i këtij brezi dhe besohet se ishte i pari që përdori sfondin me fletë ari në pikturat e mëdha.

Kanō Motonobu, “Katër arritjet”, rreth shekullit XVIMuzeu Metropolitan i Artit, Nju Jork, ShBA

Stilet e guximshme dhe energjike që përdornin ngjyra të ndritshme mbi sfond me fletë ari ose ngjyrë ari, u pëlqyen shumë nga këta patronë dhe u aplikuan në paravane të mëdha të palosshme (byōbu) dhe në dyer rrëshqitëse (fusuma). Temat e zakonshme ishin peizazhet, shpesh si sfond për kafshë dhe dragonj, zogj, pemë ose lule, por pikturoheshin edhe kompozime me disa figura të mëdha, si dhe skena panoramike të mbushura me elemente të para nga një këndvështrim i lartë.

Kanō Sanraku, “Çift paravanësh me tigra të trembur nga një dragua i stuhisë”, shekulli XVIITempulli Myoshinji, Kioto, Japoni

SHKOLLA BUNJINGA OSE NANGA

Një tjetër rrymë e rëndësishme artistike gjatë periudhës Edo ishte shkolla Bunjinga ose Nanga, një lloj pikture letrare e ndikuar fort nga kultura letrare kineze. Ky zhanër filloi si imitim i piktorëve dijetarë-amatorë të dinastisë Yuan në Kinë, veprat dhe teknikat e të cilëve mbërritën në Japoni në mesin e shekullit XVIII. Pikturat - zakonisht me ngjyrë të zezë monokromatike, ndonjëherë me ngjyra të lehta dhe pothuajse gjithmonë duke paraqitur peizazhe kineze ose tema të ngjashme - modeloheshin sipas pikturave letrare kineze wenrenhua (文人畫). Poezia ose mbishkrimet e tjera ishin gjithashtu element i rëndësishëm i këtyre pikturave dhe shpesh shtoheshin nga miqtë e artistit, e jo nga vetë artistët.

Ike no Taiga, “Peshkim në pranverë”, 1747Muzeu i Artit i Klivlendit, Klivlend, Ohajo, ShBA

Përfaqësues të këtij stili janë Ike no Taiga, Uragami Gyokudo, Yosa Buson, Tanomura Chikuden, Tani Buncho dhe Yamamoto Baiitsu.

Uragami Gyokudo, “Borë e shoshitur përmes reve të ngrira”, shekulli XIXFondacioni Kawabata

ZENGA

Zenga është termi japonez për praktikën dhe artin e pikturës dhe kaligrafisë budiste Zen që u zhvillua gjatë periudhës Edo. Në shumë raste, si kaligrafia ashtu edhe imazhi bashkohen në të njëjtën vepër. Kaligrafia paraqet një poezi ose thënie që mëson një element të rrugës së Zenit; ndërsa piktura me penel është zakonisht e thjeshtë, e guximshme dhe abstrakte. Në përputhje me rrugët individuale drejt ndriçimit shpirtëror, pothuajse çdo temë mund të përdorej në Zenga; megjithatë, elementet më të zakonshme të paraqitura ishin ensō, shkopinjtë dhe Mali Fuxhi. Në Budizmin Zen, ensō është një rreth i vizatuar me dorë me një ose dy lëvizje të lira të penelit për të shprehur një moment kur mendja është e lirë dhe e lejon trupin të krijojë. Ensō simbolizon ndriçimin absolut, forcën, elegancën, universin dhe mu-në (zbrazëtinë) dhe karakterizohet nga një minimalizëm i lindur nga estetika japoneze.

Sengai Gibon, “Fusō saisho zenkutsu (Shpella e parë Zen e Japonisë)”, 1750-1837Terebess

Meqë periudha Edo ishte kaq e pasur në aspektin kulturor, është e vështirë të përmblidhet në vetëm disa paragrafë, por shpresojmë që t’ju ketë dhënë një vështrim të shpejtë mbi atë kohë dhe t’ju ketë zgjuar dëshirën për të eksploruar më shumë rreth kësaj periudhe magjepsëse - kur Japonia mbylli kufijtë për të huajt dhe lulëzoi nga brenda vetes. Arti që ata krijuan ishte aq thellësisht ndikues, sa pati ndikim të madh edhe mbi artistët në Perëndim. /Telegrafi/