LAJMI I FUNDIT:

Van Goghu dhe Japonia: Printimet që ndikuan në artin e gjeniut fatkeq

Van Goghu dhe Japonia: Printimet që ndikuan në artin e gjeniut fatkeq

Një ekspozitë e re zbulon se si artisti i famshëm huazoi teknika nga printimet japoneze dhe se si i inkorporoi në portretet e tij, shkruan Alastair Sooke, transmeton Telegrafi.

Në shkurt 1888, Vincent Van Gogh u largua nga Parisi, ku jetonte qe disa vjet, dhe u nis për në qytetin Arles në Provence të Francës jugore. I lodhur nga koha e kaluar në metropol, kërkonte jetë më të thjeshtë që do të ringjallte si veten ashtu edhe artin e tij.


Ai e shihte rrethin e tij të ri përmes prizmit të një vendi të largët: Japonisë.

Kur arriti në Arles, reshjet e mëdha të borës kishin transformuar ambientin. Fushat e bardha ia kujtonin “peizazhet e dimrit” të artistëve japonezë.

“Gjithmonë them me vete se këtu jam në Japoni”, i shkroi motrës së tij, në shtator 1888. “Veç duhet të hap sytë dhe të pikturoj”.

Dy javë më vonë i tha vëllait të tij: “Moti është akoma i mirë këtu dhe nëse do të ishte gjithmonë kështu do të ishte më mirë se parajsa e piktorëve – do të ishte krejt Japonia”.

Sipas Galerisë Kombëtare të Artit në Uashington, “Arles ishte ‘Japonia e Jugut’. Atje ndjeu se dielli do të forconte skajet e kompozimeve dhe do të reduktonte nuancat e ngjyrës në kontraste të gjalla”.

Duke lexuar letrat e Van Goghut, bëhet e qartë se Japonia ka pasë domethënie magjike dhe mistike për të. Në imagjinatën e tij, Toka e Lindjes së Diellit ishte burim hiri dhe mirëqenieje, një utopi e bekuar. Van Goghu dhe Japonia – ekspozita e madhe në Amsterdam – përcakton se përse ky vend i largët lindor që artisti kurrë nuk vizitoi kishte ndikim në imagjinatën e tij dhe ndikonte në artin e tij.

Van Goghu s’ishte i vetmi i fiksuar me Japoninë gjatë shekullit XIX. Kur në vitet 1850, pas më shumë se dy shekujve të izolimit Japonia u hap për tregtinë ndërkombëtare, një bollëk i mallrave japoneze importohej nga Franca. Kështu lindi një mani për gjërat japoneze. Dekorimi i brendshëm në mënyrën japoneze mbërtheu borgjezinë dhe dyqanet ofronin porcelan japonez, enë, çadra, fenerë, xhingërrima…

Artistët ndërkohë u magjepsën me printimet japoneze. Më 1880, romancieri francez Emile Zola vërejti se çdo artist me vlerë i studionte ato. Në fakt, disa artistë, përfshirë Claude Monet dhe James McNeill Whistler, kishin mbledhur të ashtuquajturat ‘ukiyo-e’ (piktura të botës së lundrueshme). Nga viti 1872, termi francez ‘Japonisme’ ishte krijuar për të përshkruar ndikimin e artit dhe dizajnit japonez në kulturën perëndimore, veçanërisht në artet pamore.

Van Gogh ishte i vonshëm në ‘Japonisme’: ai iu përshtat bukurisë së artit japonez teksa jetonte në Antwerp më 1885, ku kishte vënë një sërë printimesh bardhezi në muret e ateliesë, një vit apo më shumë para se të nisej me vëllain Theo për në Paris – qendrën e modernitetit. I nxitur nga diskutimet për artin japonez në gazeta, revista dhe novela, pasionet e tij u rritën shpejt.

Në dimrin e vitit 1886-87, Van Goghu bleu disa qindra printime të lira japoneze (përfundimisht i kishte më shumë se 600), nga një tregtari i artit në Paris. Përveç kënaqësisë nga estetika e tyre, shpresonte të fitonte pak para duke i shitur disa prej tyre: në pranverë të vitit 1887 kishte grumbulluar mjaftueshëm për të organizuar një ekspozitë me printime – secila në shitje me çmimin e një aperitivi – në kafenenë Le Tambourin që u drejtua nga dashnorja e tij Agostina Segatori, në lagjen e klasës punëtore Montmartre (Van Gogh më vonë e quajti ekspozitën si “katastrofë”.) Ai madje e pikturoi Segatorin, në një portret të vitit 1887, në një si kopje të printimit të geishës japoneze me ndihmësen e saj në sfond.

Ndikimi i printimeve japoneze në pikturën e Van Goghut gjatë kësaj periudhe është mirë i njohur. Më 1887 i bëri disa kopje të printimeve të artistëve japonezë, së pari një pamje të pemëve të kumbullës dhe pastaj një me njerëzit nën ombrellë në një urë gjatë të reshurave në mbrëmje, të dy këto nga Utagawa Hiroshige (1797-1858). Ai gjithashtu bëri një pikturë të kurtizanes japoneze të veshur me kimono të cilën e kopjoi nga kopertina e një reviste.

Edhe në Arles Van ai vinte në muret e ateliesë printime japoneze (ndërkohë kërkoi nga Theo të dërgonte fletë tjera nga koleksioni i tij në Paris), ku ndikimi i tyre në artin e tij u bë më i thellë. Atë kohë, në mendjen e Van Gogut Japonia ishte idealja, thotë Nienke Bakker, kuratore e ekspozitës në Amsterdam. Ishte “bota ndryshe ekzotike”… “një idil i bukur natyror, me shumë femra në kimono, lule dhe zogj”.

Van Goghu e cilësoi printimin japonez si model të shprehjes së pastër artistike.

“Arti japonez është diçka si primitivët, si grekët, si holandezët tanë të vjetër, Rembrandt, Potter, Hals, Vermeer, Ostade, Ruisdael”, i shkroi Theos në korrik 1888. “Nuk ka fund.”

Në vend që thjesht të kopjonte printimet japoneze, ai nisi të eksperimentonte me aspekte e tyre në pikturat e tij, përfshirë përdorimin e ngjyrave të ndritshme dhe diagonalet e forta, pamje nga afër, prerjet e pazakonta, shmangien e horizontit, izolimin e objekteve… I frymëzuar nga bota natyrore, pikturoi edhe lule, një si krahasim me “ëndrrën japoneze”. Ndërsa, me pikat dhe vizat u ndikua nga mjeshtri japonez Katsushika Hokusai (1760-1849), një nga vetëm dy artistët japonezë që përmend në letrat e tij (tjetri ishte Hishikawa Moronobu).

“Japonezët vizatojnë shpejt, shumë shpejt, si një rrufe”, shkroi Van Gogh, “sepse nervat e tyre janë më të mira, ndjenja më të thjeshta”.

Në verën e vitit 1888, Van Gogh e bëri autoportretin që, siç i shkroi Paul Gauguinit, “ishte një adhurues i thjeshtë i Budës së përjetshëm”. Ndërkohë, në autoportretin e famshëm me fashën në veshin që ka prerë (1889), përfshihet prapa printimi më i dashur japonez ku janë dy geisha.

Por, në Arles nis edhe degradimi i gjendjes së tij mendore. Më pak se pesë muaj pas krizës së parë nervore në dhjetor 1888, ai do të pranohet në një çmendinë në Saint-Remy-de-Provence – në maj të vitit 1889. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Kulture
Kultura dhe globalizmi

Kultura dhe globalizmi

Kulture
3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

Kulture
Kalo në kategori