Arti si terapi: Si e ndihmoi piktura Churchillin, në luftën kundër fashizmit

Nga: Nick Curtis (titulli: ‘Winston Churchill used art as therapy’: How painting helped the wartime leader in his fight against fascism)
Përkthimi: Telegrafi.com
Ai vështron me bisht të syrit nga tabloja, me tepen e kresë të rrethuar më dendur me flokë ngjyrë rëre dhe me trup më elegant sesa në vitet e mëvonshme të jetës, por nofulla e fortë dhe karakteristike, si e një bulldogu, është e pagabueshme: Winston Churchill, udhëheqësi dhe burrështetasi i madh britanik i kohës së luftës, duke përjetësuar veten në aktin e pikturimit në një autoportret të rrallë të vitit 1915.
Kjo pikturë qëndron në sallën e parë të një ekspozite të re në Koleksionin Uolis [Wallace Collection], e përqendruar te praktika artistike që Churchill përdorte si qetësim dhe shpërqendrim gjatë periudhave kur ishte brenda dhe jashtë pushtetit. Dhe, ndoshta, edhe si një mjet i fuqisë së butë, duke u dhuruar piktura aleatëve të kohës së luftës dhe miqve politikë. Ekspozita e paraqet Churchillin si një polimat - politikan, shkrimtar, artist - të cilin një kryeministër i mëvonshëm, Boris Johnson, u përpoq qëllimisht ta imitonte.
Lexo po ashtu:
- Fjalimi i “Perdes së Hekurt” i Winston Churchillit, që nisi Luftën e Ftohtë 80 vjet më parë
- Churchilli në karikatura: Satirizimi i një shtetari
- Arma sekrete e Churchillit në luftën kundër nazistëve!
- Churchilli, BBC-ja dhe beteja për paanshmërinë
- Kur Churchilli pikturonte me pseudonim
- Thënie të Churchillit: Më mirë është të kesh pushtet për të dhënë sesa të marrësh!
Churchilli iu përkushtua pikturës relativisht vonë, në moshën 40-vjeçare në vitin 1915, me nxitjen e kunatës së tij gjatë një periudhe izolimi politik pas dështimit të fushatës së Galipolit në Luftën e Parë Botërore. Menjëherë, i frymëzuar, ai u udhëzua dhe u inkurajua të pikturonte në natyrë [en plein air] nga miku i tij dhe portretisti Sir John Lavery. Pasi u rikthye në ushtri si nënkolonel i Pushkatarët Mbretëror të Skocisë, ai pikturoi në fushëbetejën belge në Plugstirt, përpara se të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar dhe në jetën politike.
Interierët e hershëm dhe natyrat e qeta të realizuara në vendlindjen e tij, Pallatin Blenhajm, si dhe peizazhet në shtëpitë e miqve dhe në rezidencën e tij fshatare, Çartuell - të blerë në vitin 1922 - ia lëshuan vendin pikturave më të gjalla dhe më të guximshme nga Italia, Franca dhe Maroku. Pas Laveryt, Churchill kërkoi udhëzime të mëtejshme nga William Nicholson dhe Walter Sickert, përfshirë mësimet mbi përdorimin e projektorit për të hedhur imazhin mbi telajo.
Ai shkroi për kënaqësitë dhe sfidat e pikturës në esetë e viteve 1921 dhe 1922, të mbledhura më vonë në librin Piktura si hobi [Painting as a Pastime] në vitin 1948. Megjithatë, ai i konsideronte veprat e tij si “lyerje” dhe i paraqiti ato me pseudonim në një galeri tregtare në Paris në vitin 1921, si dhe në Akademinë Mbretorore në vitin 1947.

Minarja e xhamisë Kutubia, së cilës i është dhënë vendi kryesor në ekspozitë, ishte e vetmja pikturë që ai realizoi gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër në Luftën e Dytë Botërore. Ajo u krijua për presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt dhe iu dhurua atij për të përkujtuar konferencën vendimtare të Kazablankës, pas së cilës Churchilli kishte këmbëngulur që aleati i tij, i paralizuar nga poliomieliti, të çohej në tarracën e një vile për të parë pamjen e Marakeshit. Piktura më vonë u bë pronë e Angelina Joliet dhe u shit prej saj në Christie’s në vitin 2021 për 8.28 milionë paundë, një rekord për një vepër artistike të Churchillit.
“Mendova se aty kishte një histori, dhe një histori që ia vlente të tregohej,” thotë Xavier Bray, drejtori i Koleksionit Uolis dhe bashkëkurator i ekspozitës së bashku me Lucy Davisin. Ai e konceptoi ekspozitën gjatë një vizite në studion e Churchillit në Çartuell, gjatë pandemisë së Kovidit, kur mbeti “plotësisht i mahnitur nga ngjyrat, kompozimet dhe vendet që ai kishte vizituar.” Veprat janë marrë nga Çartuelli, prej koleksionistëve privatë dhe nga Biblioteka Presidenciale Ajzenhauer.
Lidhjet e Churchillit me Koleksionin janë, në rastin më të mirë, të dobëta: Bray pranon se “vendi që vërtet duhet të organizojë një ekspozitë për të është Akademia Mbretërore,” ku ai u pranua në vitin 1948 (amatori i parë që mori këtë nder) dhe e cila organizoi një retrospektivë të veprave të tij në vitin 1959. Por, pasi përzgjodhi 60 nga rreth 600 veprat që dihet se Churchilli kishte pikturuar, Bray thotë se “ai qëndron shumë mirë si artist. E pranoj, kam ekspozuar punët e tij më të mira. Dua të them, ato të këqijat janë vërtet të këqija, por në një mënyrë interesante ...”
Për tregtarin e artit, pronarin e galerisë, shkrimtarin dhe transmetuesin Philip Mould, ekspozita përfaqëson një përmbledhje shumë të nevojshme të një figure që është parë “më shumë si një lloj amatori i famshëm sesa si një artist serioz.” Duke qenë “një nga njerëzit më të famshëm në botë që në moshë shumë të re, ai mund t’i tërhiqte njerëzit [si Lavery dhe Nicholson] në rrethin e tij” dhe të mësonte prej tyre, ndërsa ekspozita pasqyron përparimin e etshëm të një autodidakti.

Bray shton: “Ai është konservator, por i pëlqen postimpresionistët, njeh Cézannein, zotëron një Monet. Por, ai nuk është modernist: Picasso nuk ishte dikush që ai e konsideronte artist të madh.” Nga ana tjetër, Picasso, pasi pa pikturën Folenë e dragoit [La Dragonnière] (gjithashtu pjesë e ekspozitës) në vitin 1948, u shpreh se Churchilli “nuk do ta kishte aspak të vështirë të fitonte jetesën” si artist, nëse nuk do të ishte i zënë duke shpëtuar Evropën nga fashizmi.
A është e mundur të ndahet aftësia artistike e Churchillit nga statusi i tij si figurë botërore? “Fama e individit shpesh është pjesë e mënyrës se si vlerësohen artistët,” thotë Mould, “dhe gjatë 50 vjetëve të fundit arti ka ndryshuar kaq rrënjësisht, saqë njerëzve nuk u kërkohet patjetër të gjykojnë piktorët dhe pikturat mbi bazën e mjeshtërisë teknike. Njerëzit duan një pjesë të individit, në mënyrë të ngjashme me traditën më të vjetër të zotërimit të një relikeje të shenjtë.”
Ai shton se Churchilli e përdorte artin si një mjet për të lehtësuar presionet e udhëheqjes dhe prirjen e tij ndaj depresionit, “për të pastruar ekranin mendor, për t’u rindezur, për t’u rikalibruar. Është një mesazh shumë i rëndësishëm të thuhet se Winston Churchilli e përdori artin si terapi. Madje, do të shkoja edhe më tej dhe do të thosha se, pa përfitimet që arti i dha atij, rreziku nazist fare mirë do të mund të kishte triumfuar.”
Për Brayn, Churchilli ishte gjithashtu një entuziast që dëshironte që të tjerët të kishin kënaqësinë që ai gjente në mjeshtërinë e pikturës, për “t’i lejuar njerëzit të ndjekin lumturinë e tyre.” Duke e paraqitur veten si amator modest, ashtu siç fliste për aftësitë e tij si murator, “ai e bënte veten të përulur, të afërt, njërin prej nesh.”
Kur ishte jashtë pushtetit, nga viti 1945 - përpara se të rizgjidhej kryeministër në vitin 1951 - “pati pothuajse një fushatë propagandistike rreth tij si piktor,” shton Bray. Ai sugjeron se Churchilli po theksonte faktin që kishte sjellë një paqe në të cilën artet mund të lulëzonin, ndërsa njëkohësisht po i thoshte vetes dhe publikut se “nuk ishte thjesht një politikan në pension.” (Në filmin Producentët / The Producers të Mel Brooksit, nazisti histerik Franc Libkind e shpërfill Churchillin duke e krahasuar me Fyrerin e tij: “Hitleri, ai po që ishte piktor. Mund të lyente një apartament të tërë brenda një pasditeje! Me dy shtresa!”)
Ekspozita sigurisht që e mbështet idenë e Churchillit si “diletant” i talentuar, siç e përshkroi EH Gombrich. Dhe, gjithashtu mbështet idenë që politikanët të kenë dhe të çmojnë një prapavijë kulturore. Si Eisenhoweri ashtu edhe George W. Bush u frymëzuan të pikturonin nga Churchilli. Tony Blair dhe Keir Starmer duken pothuajse të turpëruar nga interesi i tyre për muzikën.
Miqtë e Boris Johnsonit flasin me entuziazëm për pasionin e tij për pikturën, të mësuar nga nëna e tij artiste: kritikët sugjerojnë se ai pozoi në vitin 2021, posaçërisht për të nxitur krahasime me Churchillin dhe se foli për BBC-në në vitin 2019 rreth pikturimit të autobusëve mbi kuti vere për të penguar kërkimet në internet mbi autobusin famëkeq të “premtimit të Brexitit”. A do të shohim ndonjëherë një ekspozitë të madhe galerie me veprat e tij artistike, apo të ndonjë kryeministri tjetër? Dyshoj. /Telegrafi/










































