LAJMI I FUNDIT:

Churchilli, BBC-ja dhe beteja për paanshmërinë

Churchilli, BBC-ja dhe beteja për paanshmërinë
Ilustrimi Bill Butcher / FT

Nga: Jack Thorne / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala

Kur isha fëmijë, ia dola me një të gjë rëndësishme – nëse pretendoja se isha i interesuar për lajmet, deri vonë mund të rrija zgjuar.


Kur isha fëmijë, nuk më pëlqenin gjërat fëmijërore; kisha njëfarë interesimi për miqtë, isha mesatarisht i interesuar për shkollën, por dashuria ime e vërtetë ishte televizori. Babait tim nuk i pëlqente t’i shikonim [serialet] Neighbours apo Home and Away, por motra ime dhe unë i donim dhe rrinim me radhë në dritare në kohën kur ai zakonisht kthehej në shtëpi, duke ia mundësuar tjetrit ta shikonte televizorin pa frikën e zbulimit. I shpenzoja dy orë e gjysmë në javë duke shkuar nga dritarja, në mënyrë që të kaloja dy orë e gjysmë në javë duke i parë [aktorët] australianët.

Për ta shtuar kohën e shikimit për më vonë në mbrëmje, bëja dush në hapësirat e reklamave të çdo gjëje që jepej në orën 20:00. Sekreti është ta vendosh shamponin në flokë kur ato ende janë të terura, të mos shqetësohesh shumë për larjen e tyre dhe të jesh mjaft të guximshëm për ta përballuar stigmën sociale të zbokthit. Por, ajo që vërtet doja të bëja ishte ta kaloja orën 21:00. Kjo për mua ishte koha e gjumit.

Kështu, si 10-vjeçar nisa të shtirem se interesohem për lajmet televizive.

Funksionoi. Prindërit e mi janë të fiksuar pas çështjeve sociale; të dy e çonin jetën duke bërë fushata për çështje të ndryshme: babai ishte kryetar i sindikatës, nëna ime shkoi në burg për fushatën për çarmatimin bërthamor. Pra, ishin të mahnitur nga magjepsja e fëmijës së tyre me diçka kaq të rëndësishme dhe nuk mund ta vërenin se në fakt isha një gënjeshtar i vogël i ndyrë.

Strategjia funksionoi kaq mirë saqë, në netët kur prindërit e mi donin të shikonin çfarëdo drame në ITV, në orën 21:00, më linin të rrija zgjuar edhe më vonë, për t’i parë lajmet e ITV-së në ora 22:00.

Shikoja The Chief, The Governor, Prime Suspect, Cracker. Ishte kohë e bukur.

Por, kjo gjithashtu do të thotë se kam parë shumë lajme, që në moshë të re. Dhe, gjithashtu rashë në dashuri me këtë. Në fakt, rashë aq shumë sa përfundova duke diplomuar në politikë.

As politika, as përcjellja e lajmeve për çdo natë, deri tash nuk e ka ndihmuar karrierën time. Në fakt, mendoj se do të isha autor më i mirë për shfaqjen e parë televizive të cilën e shkrova, Skins; nëse do të kisha pak më shumë interes për miqtë; nëse do të dilja më shumë dhe do të kuptoja se si argëtohen njerëzit të cilët nuk janë vetëm të interesuar që ta shikojnë kryeveprën më të fundit të [shkrimtares dhe skenaristes] Lynda La Plante.

Pastaj, rreth pesë vjet më parë, teksa bija në gjumë – kam pagjumësi të tmerrshme – e dëgjoja audio-librin A History of Modern Britain të [autorit] Andrew Marr. Kur zgjohem, kam nevojë për diçka ku vërtet mund të përqendrohem – diçka vërtet e mirë – në mënyrë që truri im të fillojë të funksionojë. Isha duke e marrë mirë veten derisa Marr nuk nisi të flasë për një betejë mes John Reithit dhe Winston Churchillit. Një betejë mbi atë se çfarë lajmesh duhet të transmetojë BBC-ja gjatë Grevës së Përgjithshme të vitit 1926. Një betejë për paanshmërinë.

Churchilli, atëherë ministër i Thesarit, besonte se BBC-ja duhet ta mbështesë qeverinë. Reith, menaxher i përgjithshëm i transmetuesit [ende] të mitur, besonte se BBC-ja duhet ta dëshmojë ekuilibrin. Por, gjetja e këtij ekuilibri – përcaktimi se zërat e kujt duhet të dëgjohen në BBC dhe kujt kjo duhet t’i mohohet – ishte punë e vështirë.

Dukej sikur ky ishte cepi i vogël i historisë që na shpjegon aq mirë se ku jemi; se e kaluara ishte e mbushur me një lloj drite të çuditshme. Më dukej se është diçka që do të më ndihmonte të kuptoj – dhe që do ta ndihmojë audiencën të kuptojë – se cili është roli i televizionit në këtë vend.

Sa më shumë që gërmova, aq më shumë gjëra gjëja. Rrëfime të kohës nga vetë Reithi, rrëfime nga më të afërmit e tij. Por, më e mira nga të gjitha ishte Arkivi i BBC-së që përmbante skenarët origjinalë nga transmetimet që shkonin deri në nismën e BBC-së më 1922. Pikërisht ajo që Reithi dhe kompania kishin thënë. Pikërisht ajo që ishte në të gjitha ato kohërat tjera. Papritmas e mora brumin e asaj që u bë shfaqja ime teatrale.

Deri në Grevën e Përgjithshme, BBC-ja kishte rol të kufizuar në transmetimin e lajmeve. Pronarët e gazetave ishin të bindur se nëse lajmet jepen falas në radio, atëherë askush nuk do t’i blinte gazetat e tyre, kështu që BBC-së i lejohej të transmetonte vetëm pas orës 19:00. Por, me transportin dhe shtypshkronjat që ishin në grevë, gazetat mezi shtypeshin. BBC-së iu dha mundësia të jepte buletine në intervale të rregullta, gjatë ditës.

Pyetja ishte se cila do të ishte përmbajtja e buletineve. Kujt do t’i jepej mbulimi dhe kujt jo.

Churchilli, si shumëkush në qeveri, ishte i ngurtësuar në qëndrimin se paqëndrueshmëria e punëtorëve do të çonte në revolucion. Kjo nuk ishte krejtësisht e paarsyeshme. Rusia Sovjetike kishte nëntë vjet [ekzistencë], duke kërkuar zgjerimin dhe investimin në Partinë Komuniste të Mbretërisë së Bashkuar. Greva e Përgjithshme ishte mosmarrëveshje tregtare, që nisi duke u solidarizuar me industrinë e minierave të qymyrit, por ai besonte se paraqet rrezik.

Duke punuar nën kujdesin e kryeministrit Stanley Baldwin, e nxori një gazetë qeveritare, The British Gazette. Qëllimi i tij ishte të propagandonte linjën e qeverisë dhe të kthehej kundër grevistëve. Kur u sulmua për këtë në Parlament, ai tha: “Refuzoj të jem plotësisht i paanshëm mes të zjarrfikësve dhe zjarrit”. Ai nuk ndiente se ishte i anshëm në aspektin partiak, meqë besonte se pala e qeverisë kishte nevojë për përparësi e jo sindikatat.

Pikëpamjet e tij gjithnjë e më shumë u trajnuan në BBC.

Kur ndodhi Greva e Përgjithshme, Reith kishte vetëm tre vjet e gjysmë në atë post. Para se t’i bashkohej BBC-së, as ai nuk e dinte se çfarë ishte transmetimi. Shumë shpejtë do të krijojë diçka elektrifikuese. Një entitet të vogël që do të ketë dominim kombëtar. Radio shpërtheu në të gjithë botën, por Reith arriti të bënte diçka mjaft të veçantë në Mbretërinë e Bashkuar. Me inxhinierin kryesor në krah, Peter Eckersley, dhe me Arthur Burrowsin që kontrollonte programet, kishte sjellë Shekspirin te masat, kishte mbikëqyrur krijimin e [emisioneve] Orës së Fëmijëve dhe Orës së Grave dhe e kishte çuar BBC-në në transmetimet e jashtme për të incizuar orkestrat dhe për t’i kapur gjërat aq të thjeshta, si për një bilbil që këndon në kopshtin e dikujt. Të gjithat për një çmim vjetor të cilën çdo familje mund ta përballonte ta paguajë.

Greva e Përgjithshme, pozicionin e tij të përgjegjësisë e bëri papritmas edhe më të përgjegjshëm.

A do të anonte kah Churchilli dhe a do të bëhej zëdhënës i qeverisë? Apo, do t’i dëgjonte thirrjet e sindikatave dhe do ta sfidonte qeverinë, drejt një dëmi të mundshëm për të ardhmen e BBC-së?

Paanshmëria është bishë e gjallë. Është bishë tepër e komplikuar. Isha dëshmitar i ligjëratës magjepsëse të gazetares Emily Maitlis [MacTaggart], në Festivalin Ndërkombëtar të Televizionit të Edinburgut, në vitin e kaluar, në të cilin ajo foli për dështimet e paanshmërisë, në veçanti “të të dyja palëve” që ajo ndjen se e kanë prekur punën e saj.

Paanshmëria nuk është gjithmonë e dukshme. Është sfidë e vazhdueshme. Nuk mund të futet në një kompjuter dhe nuk është shkencë. Paanshmëria kërkon mendim, kërkon që dikush të vendosë se çfarë është paanshmëria. Është gjykim, si çdo gjë tjetër; është vlerësim për të gjitha argumentet. Ndoshta nuk mund të jeni vërtet të paanshëm; se thjesht e bëni gjykimin tuaj më të mirë se çfarë mund të jetë paanshmëria. Kjo i shtyn njerëzit që të marrin vendime jashtëzakonisht të rëndësishme.

Vitin e kaluar u paraqita në Kohën e Pyetjeve të BBC-së, pjesërisht sepse më pyetën, pjesërisht sepse doja të kuptoja se si funksiononte. U nervozova shumë dhe humba peshë duke u djersitur. Por, ishte magjepsëse të takoje mendjet e ndritura që qëndronin prapa këtij emisioni politik, të drejtuar nga audienca, dhe të gjithë ata ishin të shkëlqyer teksa punonin me të tjerët për të zbuluar se si ta nxjerrin më të mirën prej jush, duke u përpjekur që ta krijojnë një televizion të mirë dhe të ekuilibruar.

A e menaxhojnë gjithmonë atë ekuilibër? Sigurisht që jo. Twitter-i [i tyre] shpërthen çdo javë, por ishte vërtet interesante të shihje se çfarë përpiqeshin të bëjnë. Ishte vërtet interesante të shihje personalitetet e tyre në punë.

Maitlis në fjalimin e saj tha: “E tregojmë paanshmërinë tonë kur raportojmë pa frikë apo a favore, kur nuk kemi frikë të kërkojmë llogari nga pushteti, edhe kur ti nuk ndihesh mirë për këtë”.

Reith ishte në pozicion të pakëndshëm. Ai nuk e dinte se çfarë roli duhet të luante BBC-ja – nëse duhej ta qetësonte popullsinë apo ta emociononte atë. Nuk e dinte se çfarë qëndrimi do të marrë për “sugjerimet” e qeverisë se kush duhet të ftohet në transmetimet në radio e kush jo. Dhe, më e rëndësishmja, nuk e dinte se sa i vendosur ishte. BBC në atë kohë ishte Kompania Britanike e Transmetimeve. Komiteti “Crawford” rekomandoi që të bëhet korporatë publike, por kjo ende nuk kishte ndodhur. Reithi e njihte akullin e hollë mbi të cilin ecte – marrja e valëve ajrore nga qeveria në të majtën e tij, e ardhmja e komerciale për BBC-në në të djathtën.

Reith kishte besim të madh në demokracinë e radios, në faktin se, siç thoshte ai, klasa e parë dhe e treta e merrnin saktësisht të njëjtin shërbim nga BBC-ja, diçka që mungonte në pjesën tjetër të jetës. Por, kjo demokraci kishte kuptim vetëm nëse ishte demokratike ajo që ai prodhonte. Futemi brenda trurit të tij të trazuar, brenda torturës së tij, teksa e shohim duke u përpjekur për të lundruar nëpër krizë; teksa vendoste se si do të luftojë për të ardhmen e BBC-së. Veprimet e tij gjatë grevës e krijuan trashëgimin për të sotmen.

Ndoshta është e pamundur të ndahen zgjedhjet e bëra për hir të paanshmërisë, prej personit që i bën ato zgjedhje. Me siguri, nuk mund ta ndash personin Reith nga Reithin si drejtor i përgjithshëm, ashtu siç nuk mund t’i ndaj zgjedhjet e mia si shkrimtar nga ai 10-vjeçari në divan që rrinte ulur me prindërit e vet radikalë. Gjatë krizës shkojmë në vendet tona më të errëta. Ajo që Reithi bëri atë vit ishte zgjedhja e bërë nga personaliteti i tij.

E dua BBC-në, si për atë që është dhe për atë që mund të jetë. Shfaqja ime, When Winston Went to War with the Wireless, është një shënim dashurie për të. Por, nuk është pa pyetje. Teksa ciklet e lajmeve kanë ardhur dhe kanë shkuar, ne vazhdimisht kemi menduar: “Oh jo, e kemi humbur momentin tonë” – vetëm nëse do të ishim atëherë, apo në atë kohë. Gary Lineker, prezantuesi i futbollit që në mars u largua për kritikën e politikës qeveritare për refugjatët, e ka rikthyer pyetjen në qendër të vëmendjes në këtë kohë të rëndësishme, por e vërteta është se pyetja nuk është kurrë larg: çfarë duhet të jetë BBC-ja? Çfarë do të thotë në të vërtetë paanshmëria? Dhe, kush duhet të vendosë? /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
VETMI

VETMI

Fjala+
Tedi Papavrami: Krijimtaria e lartë, fryt i vuajtjes njerëzore

Tedi Papavrami: Krijimtaria e lartë, fryt i vuajtjes njerëzore

Kulture
TI MË GJETE

TI MË GJETE

Poezi
ZEMRA IME

ZEMRA IME

Poezi
“Njeri i madh”, si shaka …

“Njeri i madh”, si shaka …

Kulture
Mendja e robëruar

Mendja e robëruar

Fjala+
Kalo në kategori