LAJMI I FUNDIT:

Talibanët na shënjuan, na rrahën, na përzunë: Kështu e mbajmë gazetën tonë afgane në mërgim

Talibanët na shënjuan, na rrahën, na përzunë: Kështu e mbajmë gazetën tonë afgane në mërgim
Kabul (Afganistan), 24 maj 2002: Gazetarët afganë në një konferencë shtypi të talibanëve (foto: Kohsar/AFP/Getty Images)

Nga: Sakhidad Hatif / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në dy dekadat para se talibanët të ktheheshin në pushtet, Afganistani kishte një sektor të energjik mediatik. Kishte gazeta, kanale televizive, revista periodike, magazina e të tjera të cilat e gjallëronin diskursin publik, duke ua lejuar qytetarëve t’i shprehnin pikëpamjet e veta për çështjet kombëtare dhe lokale. Kjo tashmë është zhdukur – plotësisht.

Që nga viti 2022, kam qenë kryeredaktor i një prej gazetave më të mëdha në Afganistan, Etilaat Roz,. Kur në gushtin e vitit 2021 talebanët e shpërbënë sistemin republikan të vendit, duke e krijuar emiratin e tyre teokratik islamik i cili vazhdon, për mediat i imponuan kufizimet më të ashpra të mundshme. Kjo “goditje e fjalës së lirë” u pasua nga burgimi i gjatë, rrahja e tmerrshme dhe madje edhe vdekja e gazetarëve të cilët i sfiduan politikat e talebanëve kundër shtypit të lirë. Dy nga reporterët e mi në Etilaat Roz, u sulmuan rëndë dhe u ndaluan për të kryer punën e vet.


Sipas Reporterëve pa Kufij, shumica e grave gazetare dhe gjysma e burrave gazetarë e humbën punën në tre muajt e parë të marrjes së pushtetit nga talebanët. Jo vetëm se shumë gazetarë të talentuar e humbën mundësinë për të punuar, por shumë nga ata u detyruan të largoheshin nga vendi ose të fshiheshin për t’i shpëtuar persekutimit. Zyrat tona, të cilat dikur ndodheshin në zemër të Kabulit perëndimor, u mbyllën me forcë. Pothuajse i gjithë stafi ynë tashmë është larguar nga vendi dhe ata që kanë mbetur pritet të largohen në muajt në vijim.

Por, veprimtaritë të cilat u detyruan të largohen nga Afganistani, si kjo e jona, nuk iu nënshtruan vullnetit të talebanëve. Teksa jemi në mërgim, shumë gazetarë afganë u rigrupuan dhe i rifilluan mediat e veta – pavarësisht pasigurisë së madhe dhe presionit financiar. Derisa talebanët i shfuqizuan të gjitha mediat e pavarura dhe vakumi i informacionit brenda vendit u bë gjithnjë e më i thellë dhe më i gjerë, gazetat, kanalet televizive dhe platformat e tjera online që nisën nga gazetarët në mërgim, u bënë rreze drite – të vetmet burime të informacionit të besueshëm për njerëzit brenda Afganistanit.

Që nga viti 2021 kemi vepruar në periferi të Uashingtonit – për sigurinë e stafit tonë – me shtatë anëtarë të ekipit të vendosur atje. Megjithatë, ky tranzicion nuk ishte i qetë për ne. Sfida e parë ishte të mblidhnim guximin dhe forcën për të rigjallëruar punën tonë gazetareske pas kolapsit traumatik të shtetit, gjë që në mënyrë kaq të tmerrshme përmbysi jetën tonë profesionale. E dyta ishte regjistrimi i Etilaat Roz-it, gjetja e një zyre për të dhe shndërrimi i saj në një organizatë të qëndrueshme mediatike në mërgim, ndërkohë që një numër i stafit të saj ishin ende të shpërndarë në vende të ndryshme, duke u përpjekur që të vinin në ShBA.

Sfida e tretë ishte siguria e gazetarëve tanë në Afganistan të cilët, pavarësisht se kishin humbur të gjitha mbrojtjet ligjore, nuk hoqën dorë nga raportimi. Teksa u intensifikua goditja e talebanëve ndaj gazetarëve të pavarur, ishim të përhumbur se si do t’i mbronim reporterët tanë (ky shqetësim është ende i pranishëm). Sfida e katërt ishte mbledhja e fondeve të mjaftueshme për të mbështetur kostot operative të Etilaat Roz-it, brenda dhe jashtë Afganistanit, gjë që mbetet përpjekja jonë e vazhdueshme. Sfida e pestë ishte të sigurohej që Etilaat Roz-i të mbetej burim i besueshëm i informacionit në mërgim – ashtu siç kishte qenë brenda vendit. Ishte sfidë, sepse nuk e kishim më të njëjtën qasje në burimet të cilat ne i kishim në të kaluarën.

Në qendër të kësaj kanë qenë gazetarët e guximshëm të cilët qëndruan në Afganistan pas pushtimit nga talibanët. Raportimet e tyre nga terreni, për mediat afgane jashtë vendit – duke përfshirë Etilaat Roz-in dhe versionin e tij në anglisht, KabulNow – janë themeli i gazetave online, i kanaleve televizive dhe i platformave të tjera të mediave sociale.

Këta gazetarë, burra dhe gra, rrezikojnë jetën e vet dhe sigurinë e familjeve për të dokumentuar dhe raportuar për atë që po ndodh në Afganistan nën sundimin e talebanëve. Po të mos ishin guximi dhe angazhimi i tyre për të zbuluar dhe raportuar të vërtetën, Afganistani do të zhytej në errësirë, ndërsa makina talebane e propagandës dhe e shtrembërimit do të kishte mbytur gjithë zërat kundërshtues.

Me kosto të madhe personale, ata kanë arritur të nxjerrin në dritë historitë e talebanëve që ngacmonin, ndalonin, torturonin dhe përdhunonin gratë disidente. Zbuluan vrasjet jashtëgjyqësore nga talebanët – të ish-oficerëve të ushtrisë dhe nëpunësve publikë, pavarësisht se kishin shpallur amnisti të plotë për ata. Dokumentuan dhe raportuan për fushatën talebane të zhvatjes, zhvendosjes së njerëzve nga shtëpitë e veta dhe të marrjes së pronave dhe tokës së tyre.

Talebanët vazhdimisht janë përpjekur që ta portretizojnë veten si më të moderuar se talebanët e viteve 1990. Por, vështirë se ka ndonjë shenjë të moderimit të supozuar të tyre – ata i kanë qëndruar besnikë kundërshtimit të fjalës së lirë dhe mediave të pavarura joshtetërore. Shërbimi i tyre i inteligjencës, i quajtur Estekhbarat në gjuhët lokale, ka qenë aktiv që nga dita e parë për gjetjen, marrjen në pyetje, ndalimin dhe torturimin e gazetarëve të pavarur.

Talebanët përhapin frikë dhe ankth në mesin e komunitetit mediatik, me dënimet e ashpra që u caktohen gazetarëve të ndaluar. E përdorin paraburgimin, torturën dhe gjobat financiare, si për të parandaluar kthimin e gazetarëve të arrestuar në aktivitetet e medias, po ashtu edhe për të frikësuar gazetarët e tjerë – duke sinjalizuar se çfarë mund t’i presë ata. Talibanët gjithashtu ngacmojnë familjet e gazetarëve, për të maksimizuar kështu presionin ndaj tyre. Për të legjitimuar mbytjen e shtypit të lirë, talebanët gjithashtu qëllimisht provokojnë në publik me ndjenjat fetare dhe ksenofobike. Vazhdimisht e promovojnë nocionin se gazetarët e pavarur janë mercenarë, të punësuar nga të huajt dhe të ngarkuar për të korruptuar dhe shkatërruar besimin islam, vlerat e familjes afgane dhe mënyrën tradicionale të jetesës në Afganistan.

Si rezultat i shtypjes së pandërprerë të shtypit të lirë në Afganistan, gazetarët po përballen me sfida të tjera – përveç çështjeve të sigurisë. Sfidat kryesore profesionale përfshijnë mungesën e qasjes në burimet e besueshme, vështirësitë në verifikimin e fakteve dhe verifikimin e informacionit, të dokumenteve dhe burimeve. Gazetarët janë gjithashtu në krizë të madhe materiale, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga brenda apo jashtë vendit.

Sot, media e pavarur afgane (që quhet “media mercenare” nga talebanët) është i vetmi burim informacioni për qytetarët e Afganistanit dhe për forcat e vetme të mbetura të cilat përpiqen të parandalojnë që vendi të bie në errësirën totale. Mbështetja e tyre ka rëndësi të madhe. Kjo mbështetje mund të jetë në formën e ofrimit të trajnimeve dhe të bursave për gazetari, për ata që aspirojnë t’i bashkohen kësaj lufte kundër tiranisë dhe errësirës; mund të jetë në formën e mbështetjes teknike dhe financiare për mediat e pavarura, për të rritur efektivitetin dhe shtrirjen e tyre – dhe për të dobësuar kontrollin e përgjithshëm të talebanëve mbi kanalet e informacionit.

Talibanët ashiqare përpiqen të asgjësojnë gjithë shtypin e lirë dhe mediat e pavarura në Afganistan – sepse mediat e pavarura janë kanalet e vetme të mbetura për diskurs civil, për diskutim demokratik dhe për rrëfimin e pacensuruar të së vërtetës. E ardhmja e Afganistanit, si shoqëri demokratike dhe e hapur, varet nga vazhdimi i dialogut kombëtar që mundësohet nga shtypi i lirë, se si ta çojmë vendin përpara drejt paqes, larg dhunës, drejt stabilitetit dhe zhvillimit. Zhdukja e mediave të pavarura do ta zhyste Afganistanin në tirani dhe në errësirë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Agjenti i dyfishtë i Luftës së Ftoftë: Si e mashtroi Tito, Perëndimin?

Agjenti i dyfishtë i Luftës së Ftoftë: Si e mashtroi Tito, Perëndimin?

Kulture
ELLIOT SMITH

ELLIOT SMITH

Poezi
“Idioti” i vërtetë i Dostojevskit!

“Idioti” i vërtetë i Dostojevskit!

Kritika letrare me (pa)ndërmjetës

Kritika letrare me (pa)ndërmjetës

Kulture
Çfarë mendonin për seksin, gratë e antikitetit?

Çfarë mendonin për seksin, gratë e antikitetit?

Kulture
Miladin Popoviqi pas lajmit për Marrëveshjen e Mukjes: Skipëri etniçka, j... ti majku

Miladin Popoviqi pas lajmit për Marrëveshjen e Mukjes: Skipëri etniçka, j... ti majku

Kalo në kategori