Policia ka arrestuar mërgimtarin cili nga Kuvendi i Kosovës gjatë të mërkurës ka bërë thirrje për pushkatim të deputetit, Ramush Haradinaj.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.


Sipas saj, ndaj të dyshuarit do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

Arrestimi ka ndodhur vetëm disa orë pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ndërmarrë veprime urgjente lidhur me kërcënimin ndaj Haradinajt.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se, menjëherë pas pranimit të informatave për kërcënimin, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm kishte autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme, për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme.

“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Gjatë të mërkurës, në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, një mërgimtar ka bërë thirrje për pushkatim të Haradinajt, duke deklaruar: “Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiqi me 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me 40 vjet, 50, 100 vjet. Duhet me u pushkatu”.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi.