Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me, siç thotë ajo, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.

Në komunikatën për media, OAK thekson se Kodi i Procedurës Penale përcakton afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve.


“Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve të Kosovës thekson se në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga gjykatat e instancave më të larta.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas OAK-së, në disa raste krijohen situata kur masa e paraburgimit vazhdohet pa u pranuar ende vendimi i Apelit nga palët.

“Ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, theksohet më tej. Oda shton se vonesa më të theksuara raportohen edhe në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

OAK vlerëson se respektimi i afateve ligjore është garanci themelore për të drejtat e njeriut.

“Respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike”, thuhet në reagim.

Në fund, Oda e Avokatëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve gjyqësore që këto raste të trajtohen me prioritet.

“Trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit duhet të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive”, thekson OAK, duke kërkuar forcim të besimit në sistemin e drejtësisë. /Telegrafi/