Dyshohet se i kishte ofruar 100 mijë euro për të kryer një vrasje, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka paraqitur pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së parabugimit ndaj E.H. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Përgatitje të veprës penale “Vrasje e Rëndë””.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri E.H. për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin M.D., e cila kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021, në bashkëpunim me A.D. (tashmë i akuzuar), kishte planifikuar vrasjen e të dëmtuarit, me motiv hakmarrjeje.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, kishte arritur marrëveshje me të akuzuarin A.L., në këmbim të shumës së parave prej 100 mijë euro, me qëllim që ky i fundit të angazhonte persona të tjerë për privimin nga jeta të të dëmtuarit M.D..”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas njoftimit, PSRK ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas arrestimit të të dyshuarit E.H. në Gjermani.








































