LAJMI I FUNDIT:

Arti i posterëve japonezë gjatë shekullit XX

Arti i posterëve japonezë gjatë shekullit XX

Në një ekspozitë të re në Poster House në Nju-Jork, po paraqiten një sërë posterash japonezë të kohës së luftës dhe të pasluftës, që tregojnë lëvizjet që nga patriotizmi e deri te konsumi dhe më gjerë. Dizajnerët përdorën posterë për të trajtuar çështjet kryesore kulturore – nga ndryshimi i klimës deri te çarmatimi bërthamor. Posterët e zgjedhur nga ditorja The Guardian, Telegrafi i sjell si më poshtë.


Oseni me fundin e poshtëm: Një përrallë e harresës, 1966, Tadanori Yokoo
Ky poster për performancën e Jōkyō Gekijōs, Oseni me fundin e poshtëm [Petticoat Osen], është emblematike për qasjen e gjallë dhe subversive të Tadanori Yokoos ndaj dizajnit. Ngjyrat e ndritshme dhe kompozimi dinamik jo vetëm që kanalizojnë emocionet e fuqishme, energjinë dhe trimërinë e teatrit kabuki të periudhës Edo, por janë gjithashtu përfaqësuese të një stili artistik eksperimental që kombinon imazhet perëndimore me motivet, simbolet dhe fotografinë japoneze, duke krijuar një sintezë midis avangardës, kulturës së konsumit dhe objekteve të përditshme.
Foto: The Merrill C Berman Collection

Dyqani Micui në Suruga-ço në Edo, nga seria 36 pamjet e Malit Fuxhi, Hokusai Katsushika
Ky shtyp ofron një pamje të çatisë së Eçigojës (ndonjëherë e quajtur Dyqani i Rrobave Micui), një shitës me pakicë me pëlhura kimono që është themeluar në vitin 1673 dhe që ishte paraardhës i dyqanit të mallrave Micukoshi që u themelua në 1903. Shenjat në të dy anët e rrugës Suruga-ço bëjnë me dije për familjen Mitsui dhe kjo pikë e ngritur kontraston zhurmën – e numrit të madh të bizneseve me pakicë – me vetminë paqësore të Malit Fuxhi.
Foto: The Ronin Gallery, Nju-Jork

Japonia, 1988, Yūsaku Kamekura
Ky poster është bërë për Shoqatën Japoneze të Dizajnerëve Grafikë (JAGDA) që luajti rol vendimtar në zhvillimin e dizajnit të posterëve japonezë të pasluftës. Shkronjat që përbëjnë fjalën “Japoni”, në qendër të kompozicionit, janë referencë për përparimet teknologjike bashkëkohore, duke u bërë homazh formave tradicionale të artit japonez.
Foto: The Merrill C Berman Collection

Ngjyrat speciale të vajit nga Matsuda, c. 1961, autori i panjohur
Matsuda Gaso u krijua ma 1948 nga Matsuda Mokuhei dhe ende prodhon ngjyra vaji të cilësisë së lartë dhe materiale të tjera arti. Shumë artistë u ankuan se ngjyra japoneze e vajit ishte e cilësisë së dobët, për çfarë Matsuda lansoi ngjyrën e saj super [Super Oil] më 1952, duke përfshirë vaj lulekuqet e cilësisë së lartë për ta parandaluar zbardhjen dhe zbehjen. Në vitin 1961 lansoi gjithashtu ngjyra vaji me tharje të shpejtë [Speed Color].
Foto: The Merrill C Berman Collection

Qeliza, 1966, Kazumasa Nagai
Nagai Kazumasa prodhoi posterë për botimet japoneze të serisë së librave Life Science Library, botuar fillimisht mes viteve 1963 dhe 1967 nga Time Life. 26 vëllimet ishin në dispozicion me abonime nga revista Life, ndërsa për një audiencë më të gjerë prezantonin tema të shkencës natyrore. Ky poster promovon edicionin japonez të vitit 1966, Qeliza [The Cell], shkruar nga John E Pfeiffer, dhe pasqyron interesin e Nagait për abstraksionin dhe për ngjyrat psikodelike.
Foto: The Merrill C. Berman Collection

Sugoroku, 1914, Ryūshi Kawabata
Sugoroku është një lojë e famshme japoneze, e luajtur me një grup zaresh. Shembujt këtu janë nga një version i lojës i njohur si sugoroku, që përbëhet nga tabelat e ilustruara. Shumë lojëra sugoroku të fillimit të shekullit XX u reklamuan, u shtypën në letër me madhësi posteri dhe u përfshinë si shtesë për revistat e njohura të grave.
Foto: The Merrill C Berman Collection

Apelet e Hiroshimës, 1983, Yūsaku Kamekura
Ky është posteri i parë nga seria Apelet e Hiroshimës, një fushatë posterësh të krijuar nga JAGDA dhe nga Fondacioni Ndërkombëtar Kulturor Hiroshima. Posteri synonte ta përhapte shpresën për paqe pas bombardimeve shkatërruese të Hiroshimës. Kjo seri vazhdoi deri në vitin 1990, duke rezultuar në gjithsej 21 posterë. Nëpërmjet përdorimit të krahëve të ndezur me ngjyra të ndryshme, Kamekura Yūsaku kap momentin e marrjes së flakës, duke aluduar kështu në shpërthimin e papritur që përfshiu Hiroshimën më 6 gusht 1945, në një nga dy bombardimet atomike në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Foto: Koleksioni Merrill C Berman

Rikyū, 1988, Kōichi Satō
Në këtë poster për filmin Rikyū të vitit 1989 (për mjeshtrin e shekullit XVI të çajit, Sen no Rikyū), Satō krijon një atmosferë rreth motivit qendror të një tasi çaji me shkallëzime ngjyrash. Rikyū u shoqërua me uabi-ça, një stil i ceremonisë së çajit që u karakterizuar nga thjeshtësia, vetëpërmbajtja dhe bukuria. Imazhi i Satōs i një tasi çaji me raku-uare – enë shumë e çmuar për ceremoni çaji e bërë nga balta e pjekur në temperaturë të ulët – shoqërohet nga një tekst poetik që përkthehet si “bukuria është e palëkundur”.
Foto: Koleksioni Merrill C Berman

Ekspo ’70, 1967, Yūsaku Kamekura
Në vitin 1970, pas reagimit pozitiv ndërkombëtar për Lojërat Olimpike të Tokios më 1964, Japonia mirëpriti Ekspozitën e saj të parë Botërore, duke tërhequr një rekord prej 64 milionë vizitorësh. Dizajni fitues i Kamekuras për posterin zyrtar për përdorim jashtë shtetit, përshkruan interpretimin e tij minimalist gjeometrik të pesë petaleve të lules së lulëzuar të qershisë – simbol kulturor i Japonisë, i çmuar për bukurinë kalimtare.
Foto: The Merrill C Berman Collection

PB Grand Prix, 1968, Keiichi Tanaami
Ky poster është një version i një tabele loje sugoroku që Tanaami e projektoi si shtojcë për edicionin japonez të Weekly Playboy të 9 korrikut 1968. “PB” në titull qëndron për Playboy, dhe e para që fitoi lojën ishte aktorja Matsuoka Kikko. Në çdo pozicion të numëruar, lojtarët udhëzohen të kryejnë detyra të ndryshme qesharake.
Foto: Collection of Peter Kahane

Suntory Orange 50, 1978, Tadanori Yokoo
E themeluar fillimisht më 1899, Suntory është i famshëm për zhvillimin e shijes japoneze për alkoolin e stilit perëndimor. Ajo gjithashtu ofroi markat e veta të prodhimit vendas të uiskit dhe të birrës. Përveç pijeve alkoolike, Suntory është prodhues kryesor i pijeve joalkoolike, duke përfshirë Orange 50 – një pije me shije portokalli që u bë midis viteve 1974 dhe mesit të viteve 1980 (“50” nënkupton 50 për qind lëng portokalli)
Foto: The Merrill C Berman Collection

Gostia e vallëzimit, 1973, Tadanori Yokoo
Ky poster reklamon dramën televizive Gostia e vallëzimit [Dance Party], e vendosur gjatë epokës Meixhi (1868–1912) dhe e përshtatur nga një romani misterioz i Sakaguchi Angos.
Foto: Koleksioni Merrill C Berman

/Telegrafi/