Gjykata Themelore në Prishtinë ka publikuar aktgjykimin e plotë ndaj ish-ministrit të Industrisë dhe Tregtisë, Endrit Shala, i cili në qershor u dënua me dy vjet burgim për veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit, Shala ka marrë pjesë me dashje dhe në dijeni të rrethanave në vendimmarrjen për caktimin e një biznesi të lidhur me baxhanakun e tij si përgjegjës për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.


Gjykata ka vlerësuar se Shala ishte në dijeni për marrëdhënien familjare dhe për interesin financiar që mund të krijohej nga vendimi që ai kishte nënshkruar.

“Gjykata vërteton se i pandehuri, Endrit Shala, ka qenë plotësisht në dijeni për marrëdhënien e krushqisë me pronarin e operatorit ekonomik N. Sh. ‘E. I.’, me emrin e biznesit V. S. T. dhe për interesin financiar që ky i fundit do të përfitonte nga vendimi i nënshkruar prej tij. Për rrjedhojë, pjesëmarrja e tij në këtë vendimmarrje ka qenë e qëllimshme dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore që burojnë nga funksioni publik që ushtronte”, thuhet në aktgjykim.

Shala duhej ta deklaronte konfliktin e interesit

Sipas Gjykatës, ish-ministri kishte detyrim ligjor që të deklaronte konfliktin e interesit dhe të tërhiqej nga vendimmarrja.

Në aktgjykim thuhet se mosdeklarimi i interesit të personit të afërt dhe moslargimi nga procesi i vendimmarrjes, së bashku me nxjerrjen e vendimit që krijoi mundësi për realizimin e interesit financiar të tij, përbëjnë elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

“I pandehuri Endrit Shala, duke qenë person zyrtar dhe duke pasur dijeni për rrethanat që krijonin konflikt interesi, ka marrë pjesë në një çështje zyrtare”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Sipas aktakuzës, Shala kishte nxjerrë vendim me të cilin biznesi i baxhanakut të tij, N. Sh. “Euro Inspekt”, ishte caktuar për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.

Gjykata ka konstatuar se në këtë mënyrë ishin krijuar kushtet për realizimin e një interesi financiar nga personi i afërt me ish-ministrin.

Prokuroria: Biznesi përfitoi rreth 732 mijë euro

Sipas Prokurorisë Speciale, biznesi i baxhanakut të Shalës ishte pasuruar në mënyrë të kundërligjshme me rreth 732 mijë euro.

Rasti ka të bëjë me vendimmarrjen gjatë kohës kur Shala ishte në pozitën e ministrit të Industrisë dhe Tregtisë.

Për këtë rast, Shala u dënua në qershor me dy vjet burgim.

Në të njëjtën aktakuzë ishte përfshirë edhe ish-ministri Vesel Krasniqi, i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Malishevës.

Megjithatë, procedura ndaj Krasniqit është veçuar nga ajo ndaj Shalës, me qëllim të zhvillimit më efikas të procedurës penale.

Të dy, Shala dhe Krasniqi, në kohën kur ishin pjesë e Qeverisë së Kosovës, ishin pjesë e subjektit politik Nisma.