"Keqpërdorimi i pozitës", një muaj paraburgim për gjyqtarin e arrestuar Avdirrahman Gashi

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjyqtarit të arrestuar, Avdirrahman Gashi.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, nën dyshimin se Gashi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që, nëse lihet i lirë, i pandehuri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale, përfshirë asgjësimin, fshehjen, ndryshimin apo falsifikimin e provave, si dhe ndikimin te dëshmitarët.
Në vendimin e saj, gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe natyrën e veprës për të cilën dyshohet, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, si dhe pozitën zyrtare të të pandehurit.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.G., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në komunikatë.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/








































