Çfarë mendonin gjermanët e zakonshëm për ngritjen dhe rënien e nazistëve

Në historinë e saj të shkëlqyer, Katja Hoyer e sheh qytetin e Vajmarit si një mikrokozmos perfekt të një vendi që lëkundet buzë greminës së errësirës.
Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Titulli i librit të Katja Hoyer është dhe nuk është çorientues. Mund të duket si një histori e Republikës së Vajmarit, pasardhëses së Rajhut të Dytë, që mori emrin nga asambleja që u mblodh në qytetin historik të Turingisë, në vitin 1919, për t’u pajtuar për një kushtetutë të re pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Madhe [Luftën e Parë Botërore]. Ai është i tillë, por vetëm në mikrokozmos. Vajmari: Jeta në prag të katastrofës [Weimar: Life on the Edge of Catastrophe] është, për të qenë i saktë, një histori e jetës në qytetin e Vajmarit nga viti 1914 deri në vitin 1939 dhe - përmes syve të disa prej banorëve të tij - një kronikë e tragjedisë që i ndodhi gjithë Gjermanisë në ato vite.
Vajmari është zgjedhje e duhur jo thjesht për shkak të lidhjes së tij me kushtetutën që dështoi. Ai është gjithashtu, siç thekson Hoyer, një qytet sinonim me kulturën gjermane: me Gëten [Goethe] dhe Shilerin [Schiller], të dy të varrosur në Jenën e afërt, dhe Niçen [Nietzsche] - motra e të cilit, Elisabeth, jetoi në Vajmar deri në vdekjen e saj në vitin 1935 dhe shërbeu si kujdestare moralisht e dyshimtë e kujtimit të vëllait të saj dhe arkivit të tij. Qyteti kishte Teatrin Kombëtar Gjerman dhe ishte qendër për artet pamore dhe operën.
Lexo po ashtu nga Simon Heffer:
- Cili ishte motivi i rrethit të brendshëm të Hitlerit?
- Kush e nisi Luftën e Madhe?
- Historia e jashtëzakonshme e Orkestrës së Grave të Aushvicit
- Rezistenca e fundit e përgjakshme gjermane në Itali
- Mirë se vini në Bashkimin e vërtetë Sovjetik - primitiv, brutal dhe racist


Dhe, ashtu siç klasa politike po formësonte kushtetutën e saj të re - dhe të mallkuar - një lëvizje e re artistike, Bauhaus, po vendosej në qytet nën drejtimin e Walter Gropiusit. Fillimisht mungesa e fondeve dhe më pas politika - Bauhausi mishëronte atë që nazistët e quanin “art i degjeneruar” - e detyruan lëvizjen të largohej nga Vajmari dhe, pasi Hitleri mori pushtetin në vitin 1933, nga gjithë Gjermania. Një efekt i rrallë pozitiv i këtij ekstremizmi të çmendur ishte se, në mërgim, Bauhausi mund të bëhej një nga lëvizjet estetike më me ndikim të epokës.
Rënia e një qyteti gjerman - dikur të qytetëruar - në barbarizëm, fillon me konventën kushtetuese dhe më vonë atë vit me përfundimin e Traktatit të Versajës. Hoyeri paraqet - por, me arsye nuk përpiqet t’i japë një përgjigje përfundimtare - çështjen e drejtësisë së Versajës dhe se deri në çfarë mase traktati shkaktoi tmerret e viteve që pasuan. Disa banorë të Vajmarit, në dukje të arsyeshëm, nuk mund ta kuptonin pse Gjermania po ndëshkohej kaq ashpër kur ajo kishte zhvilluar një luftë “mbrojtëse”: arsyeja për këtë pikëpamje, me sa duket, ishte reagimi i Rajhut ndaj mobilizimit të ushtrisë ruse në korrik 1914. Por, kjo harron me lehtësi se përgjigjja gjermane nuk ishte thjesht të hynte në luftë kundër rusëve, por edhe të sulmonte francezët, përmes Belgjikës.

Hoyeri përqendrohet në jetët e disa banorëve të Vajmarit që lanë pas një trashëgimi ditarësh dhe letrash, nga të cilat ajo mundi të ndërtonte pasqyrën e saj të shoqërisë ndërmjet dy luftërave në qytet. Kryesori ndër ta është Carl Weirich, i cili jetoi nga viti 1885 deri në 1978, duke jetuar më gjatë se dy bashkëshortet e tij dhe, më shqetësuese, se dy djemtë e tij. Weirichu ishte shitës i materialeve për zyre dhe i librave i cili e bleu biznesin e tij pak para Luftës së Madhe. Ai i mbijetoi hiperinflacionit të fillimit të viteve ‘20 të shekullit XX dhe u rimëkëmb në kohë për t’u kërcënuar nga kriza pas vitit 1929; por, arriti të ringjallej sërish nën nazizëm. Kjo bëri që Weirichu të kishte mirënjohje ndaj Hitlerit për atë që ai mendonte se ishte transformim i ekonomisë.
Megjithatë, shkëlqimi po zbehej edhe para vitit 1939. Hitleri ishte i lidhur me Vajmarin pjesërisht për shkak të vendit të tij qendror në kulturën gjermane, por edhe për shkak të lidhjes së tij sentimentale me qytetin pas një tubimi të hershëm nazist - dhe shumë të suksesshëm - që u zhvillua atje në vitin 1926. Nga fundi i viteve ’30 të shekullit XX, Weirichu u përball me pamjen e kolonave të trupave me uniformë që marshonin nëpër qytet: një simbol i hapur dhe frikësues i pushtetit nazist. Ai dhe banorët e tjerë të Vajmarit u shqetësuan gjithnjë e më shumë nga raportet për dhunën dhe brutalitetin ndaj kundërshtarëve të regjimit.


Pika e fundit për Weirichut ishte kur nazistët propozuan të shembnin shtëpinë e tij - dhe të të tjerëve në rrugën e tij - për të ndërtuar një hyrje madhështore drejt një salle të re të madhe. Weirichu kishte frikë, me të drejtë, se arkitektura monumentale moderne do të ishte e papërshtatshme në Vajmarin e vjetër. Për fatin e tij, shpërthimi i luftës në vitin 1939 bëri që plani të mos zbatohej kurrë: por, një pjesë e madhe e qendrës së Vajmarit u shkatërrua gjithsesi në vitin 1945, në një bombardim masiv amerikan. Vetëm një version i rrënuar i dyqanit të Weirichut mbijetoi.
HoyerI përqendrohet gjithashtu në një çift të martuar - ai “arian”, ajo hebreje - që arrijnë sukses me një hotel lokal të rrënuar. Pasi nazistët erdhën në pushtet, Rosa, gruaja, e mbajti të fshehtë prejardhjen e saj për aq kohë sa mundi; por, në fund ajo u ndalua dhe u vra në Aushvic. Sapo Hitleri mori pushtetin, ndryshimet erdhën me shpejtësi: një djalë hebre u përjashtua nga shkolla e qytetit; një dyqan i madh në pronësi hebreje u konfiskua në mënyrë efektive nga Rajhu; në Natën e Kristaleve në vitin 1938, një dyqan lodrash në pronësi të një zonje të moshuar hebreje u shkatërrua plotësisht. Kaq për djepin e qytetërimit.

Disa u përpoqën të rezistonin, por në fund u kapën: ata më me fat u arratisën jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër në përgjithësi vdiq. Vdekjet e dhëna nga regjimi nuk ishin të fshehta. Buhenvaldi u ngrit pak jashtë qytetit dhe trupat e viktimave silleshin në Vajmar për t’u djegur në arkivole të lira prej druri. Gestapoja hapi selinë në një shtëpi me një bodrum me izolim për zë për të fshehur britmat e atyre që torturoheshin. Një kazermë e SS-it u ngrit në qytet. Ajo që ndodhi në Vajmar pasqyronte tërësinë me të cilën nazistët kontrollonin gjithë Gjermaninë dhe se si çdo kundërshtim jo vetëm shtypej, por zhdukej plotësisht.
Libri fillon dhe përfundon me Weirichun dhe banorët e tjerë të Vajmarit që çohen në Buhenvaldin të çliruar - si për t’u përballur me ligësinë gjermane, ashtu edhe për të ndihmuar në pastrimin e pasojave të saj. Weirichu tronditet, por Hoyeri arrin në përfundimin se ai, pavarësisht pafajësisë së tij të dukshme, kishte qenë bashkëfajtor në nazizëm; ai e pranoi atë për aq kohë sa mund të ruante biznesin e tij dhe mbajti kokën ulur gjatë gjithë luftës. Por, atëherë Gjermania ishte një komb që mbante kokën kolektivisht ulur, me vetëm disa përjashtime të shquara; kjo është ajo që lejoi ligësinë e nazizmit të mbizotëronte në atë masë. Turpi i atyre që mbyllën sytë në Vajmar ishte turpi i atyre që mbyllën sytë në gjithë Gjermaninë.

Hoyeri e përfundon librin me një përshkrim të asaj që u ndodhi banorëve të Vajmarit që ajo paraqet. Një tjetër rast i trishtë është djali i Weirichut, fëmijërinë e të cilit e ndjekim gjatë librit, i cili thirret në ushtri në moshën 18-vjeçare në vitin 1944, por më pas bie rob në duart e rusëve kur amerikanët ua dorëzojnë atyre pushtimin e qytetit. Ai vdes në robëri, siç ndodhi me një pjesë të madhe të robërve të Vermahtit që u dërguan në Lindje. Viktimat ishin në të gjitha anët.
Vajmari: Jeta në prag të katastrofës është inteligjent, origjinal dhe i hulumtuar mirë. Herë pas here Hoyeri shkruan për disa skena në jetën e personave që paraqet në libër - si për shembull kur njëra prej tyre lind - sikur të ishte në dhomë me ta, gjë që padyshim nuk ishte. Kjo e bën rrëfimin më të gjallë, por nuk është histori dhe e zbeh cilësinë e shkëlqyer të librit të saj. Gjithashtu, teksti është redaktuar në mënyrë të pamjaftueshme - një problem gjithnjë e më i zakonshëm këto ditë - dhe duket se është shkruar në anglishten amerikane (dëgjojmë vazhdimisht për “stacione treni”). Por, nëse mund t’i anashkaloni këto mangësi, ky është një pasqyrim shembullor i një kapitulli të zymtë në historinë gjermane. /Telegrafi/




















































