Afrikani i skllavëruar dhe i mbijetuar i një përmbytjes së një anijeje, u bë eksploruesi i parë i madh i ShBA-së.

Nga: Eliot Stein / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


Në vitin 1528, një burrë nga Maroku doli në bregdetin e Teksasit të sotëm, më shumë i vdekur sesa i gjallë. E kishte kaluar muajin e mëparshëm duke u endur në Gjirin e Meksikës, së bashku me një grup marinarësh spanjollë, në një barkë të brishtë shpëtimi, të lidhur me trungje pemësh, lëkurë kali dhe me atë që kishte mbetur prej rrobat të tyre të grisura. Kur një stuhi i la të bllokuar të mbijetuarit e përmbytjes së anijes, në një ishull pranë Galvestonit, ata pa e kuptuar u bënë njerëzit e parë nga Bota e Vjetër që hynë në Perëndimin Amerikan - dhe, kur ndodhi kjo, secili prej tyre ishte i uritur, i rraskapitur dhe i zhveshur.

Në javët që pasuan, të mbijetuarit filluan të vdisnin - një nga një. Shumë iu dorëzuan urisë, të tjerët kushteve të motit dhe disa sulmeve të fiseve indigjene. Nga rreth 600 burrat që kishin lundruar nga Spanja, një vit më parë - në këtë ekspeditë fatkeqe për të pushtuar Floridën e sotme dhe bregun e Gjirit, për Kurorën Spanjolle - vetëm katër mbijetuan: tre kapitenë spanjollë dhe, disi, marokeni i skllavëruar.

Gjatë tetë vjetëve të ardhshme, burri do të bëhej udhëheqësi de facto i grupit dhe do të niste një nga udhëtimet më të jashtëzakonshme të mbijetesës në historinë e eksplorimit. E, megjithatë, ne as emrin e tij të vërtetë nuk e dimë.

I njohur ndryshe si Esteban de Dorantes, Esteban Mauri ose - më së shpeshti - Estevanico, ky individ enigmatik ishte një nga afrikanët, folësit e arabishtes dhe myslimanët e parë të dokumentuar që shkelën në atë që sot janë Shtetet e Bashkuara, duke mbërritur gati 40 vjet para vendbanimit të parë evropian. Midis viteve 1528 dhe 1536, ai përshkoi afërsisht 2 250 milje (3 620 kilometra) drejt Perëndimit, nga Florida deri në bregun paqësor të Meksikës, duke përfunduar atë që besohet gjerësisht se ishte kalimi i parë i regjistruar i Amerikës së Veriut në histori dhe duke i paraprirë ekspeditës tokësore të Lewisit dhe Clarkut drejt bregut të Oregonit me gati 300 vjet.

Gjatë rrugëtimit, Estevanico u kap nga amerikanët vendas, mësoi gjuhët e tyre dhe u bë shërues, përpara se të udhëtonte edhe 1 300 milje të tjera (2,090 kilometra) drejt Jugut me tre të mbijetuarit e tjerë të përmbytjes së anijes - nga Gjiri i Kalifornisë deri në Meksiko-Siti. Më pas ai ndërmori një odise tjetër prej 1 500 miljesh (2 415 kilometra) drejt Veriut dhe u bë jo-amerikani vendas i parë i njohur që hyri në territorin e sotëm të Nju-Meksikos dhe Arizonës.

Estevanico ishte udhëheqësi i asaj që besohet të ketë qenë kalimi i parë i regjistruar i Amerikës së Veriut në histori(Foto: Serenity Strull)

“Estevanico ishte një nga eksploruesit më të jashtëzakonshëm, por të anashkaluar, në historinë e hershme të asaj që më vonë do të bëhej Jugperëndimi i Amerikës,” tha Dr. Hsain Ilahiane, antropolog dhe eksplorues në Universitetin e Arizonës, i cili ka kaluar vite duke studiuar eksploruesin. “Ai ndihmoi në hapjen e rrugëve, shtigjeve dhe njohurive gjeografike që më vonë orientuan depërtimet spanjolle [në Perëndimin e sotëm të Amerikës].”

Megjithatë, shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar kurrë për të - madje as në ShBA.

Tani, ndërsa ShBA-ja feston 250-vjetorin e saj dhe kthen vështrimin te origjina e saj, një numër gjithnjë e më i madh i muzeve, vizitave dhe monumenteve në të gjithë vendin po nxjerrin në pah trashëgiminë e tij pak të njohur.

Odisejada e Estevanicos

Meqenëse Estevanico nuk la asnjë dokument të shkruar, historianët e kanë rindërtuar jetën e tij kryesisht përmes rrëfimeve të mbijetuara të spanjollëve që udhëtuan përkrah tij. Ai lindi në fillim të viteve 1500 në Azemur dhe u skllavërua nga fisniku spanjoll Andrés Dorantes de Carranza, i cili e mori me vete në ekspeditën Narváez të Spanjës drejt Amerikave. Meqenëse - në ekspedita zyrtare spanjolle - myslimanëve u ndalohej të udhëtonin drejt Botës së Re, Dorantesi e pagëzoi atë duke ia ndryshuar emrin në Estevanico.

Udhëtimi me pesë anije dhe 600 persona nisi në qershor të vitit 1527 dhe ishte një katastrofë që në fillim. Rreth 140 burra e braktisën ekspeditën gjatë një ndalese në Santo Domingo dhe, ndërsa furnizoheshin në Kubë, një uragan fundosi dy anije dhe vrau edhe 50 marinarë të tjerë. Ekuipazhi përfundimisht u përpoq të lundronte drejt Meksikës, por stuhitë i shtynë drejt territorit të sotëm të Sent-Petersburgut në Floridë, në prill të vitit 1528.

Një pllakë përkujtimore tregon vendin ku Estevanico dhe anëtarët e tjerë të ekspeditës Narváez zbarkuan në Floridë(Foto: Florida Department of State)

Më pas, udhëheqësi i ekspeditës, Panfilo de Narváez, urdhëroi Estevanicon dhe disa qindra burra të marshonin drejt Veriut për të eksploruar brendësinë e Floridës. Pasi përshkuan me shumë vështirësi rreth 300 milje (480 kilometra) - nëpër këneta të mbushura me mushkonja - deri në atë që sot është Sent-Marks, në Floridë, dhe pasi ranë në pritë nga amerikanët vendas apalaçi, Estevanico dhe spanjollët e mbetur ishin aq të shkatërruar dhe të dëshpëruar, sa therën dhe hëngrën kuajt e tyre të fundit, ndërtuan pesë trape të improvizuara dhe lundruan përgjatë bregdetit me shpresën për të arritur në Meksikën e sotme.

Ndërsa burrat lëviznin të shtyrë nga rrymat drejt Perëndimit, ata u bënë udhëtarët e parë jo-indigjenë që panë grykëderdhjen e lumit Misisipi. Por, të njëjtat stuhi që përmbysën përfundimisht trapet e tyre pranë Galvestonit, do të vrisnin dy të tretat e spanjollëve të mbetur, përfshirë vetë Narváezin.

Ashtu si shumë nga të mbijetuarit e tjerë të përmbytjes, Estevanico u kap shpejt nga amerikanët vendas. Disi, njeriu me statusin më të ulët në Botën e Vjetër, arriti të mbijetonte në Botën e Re.

“Kur rendi i Botës së Vjetër u shemb, Estevanico kishte disa përparësi. Ndryshe [nga spanjollët], ai duhej të fliste gjuhë të tjera,” tha Laila Lalami, romani i së cilës, Rrëfimi i Maurit [The Moor's Account], bazohet te Estevanico dhe ishte finalist për Çmimin Pulitzer. “Meqenëse Azemuri ishte qytet amazig [berber] i kontrolluar nga portugezët, e dimë se ai ka të ngjarë të fliste tamazigshten, arabishten dhe portugalishten. Dhe, meqë ishte i skllavëruar nga një spanjoll, ai fliste edhe spanjisht.”

Gjatë afro pesë vjetëve të punës së rëndë nën fisin vendas Karankaua, Estevanico mësoi gjuhën e tyre të folur dhe gjuhën e shenjave që përdorej nga grupet e tjera të rajonit. Më pas, ai bashkëpunoi fshehurazi me një fis rival të tyre për t’u arratisur, së bashku me Dorantesin, ndërsa ndihmoi në lirimin e dy spanjollëve të mbetur.

Estevanico dhe tre të mbijetuarit e tjerë ecën për tetë vjet nëpër Perëndimin Amerikan(Foto: Getty Images)

Gjatë dy viteve pasuese, katër të mbijetuarit ecën nga Bregu i Gjirit deri në Gjirin e Kalifornisë, duke u mbështetur te aftësitë gjuhësore dhe përshtatshmëria kulturore e Estevanicos për t’i udhëhequr nga një komunitet vendas te tjetri.

“Ai ishte udhëheqësi i grupit - përkthyesi, ndërmjetësi, zbuluesi,” tha Ilahiane. “Ata po lëviznin në një botë të re dhe nuk dinin se ku po shkonin, ndërsa Estevanico kishte një përparësi: informacionin.”

Gjatë udhëtimeve të tyre, Estevanico takoi një tregtar vendas dhe organizoi që ata të qëndronin në komunitetin e tij. Ndërsa ndodheshin aty, një person i sëmurë iu afrua vizitorëve dhe u kërkoi ta trajtonin. Duke ndërthurur rituale të krishtera - të marra nga spanjollët - me praktika vendase që Estevanico i kishte vëzhguar, burrat arritën disi ta bindnin gruan se ishte shëruar.

Ndërsa u përhap fjala për fuqitë e supozuara shëruese të burrave, komunitetet indigjene nisën t’i kërkonin dhe madje t’i ndiqnin gjatë udhëtimit të tyre drejt Perëndimit. Estevanico udhëtonte përpara spanjollëve, për të njoftuar mbërritjen e tyre, shpesh i zbukuruar me byzylykë guacash deti në krahë, zile që tingëllonin rreth kyçeve të këmbëve dhe duke mbajtur një vegël tingëlluese të bërë nga një kungull i tharë.

“Ai ma kujton një sufist rural maroken me njohuri mjekësore, që udhëtonte nga fshati në fshat, por ai gjithashtu përvetësonte këto aspekte [kulturore] nga amerikanët vendas dhe i përdorte si mënyrë hyrjeje te fiset e tjera gjatë bredhjeve të tij,” tha Ilahiane. “Në fund, kjo do të bëhej disi tragjike për të.”

Estevanico u bë personi i parë nga Bota e Vjetër që shkeli në Arizonë dhe Nju-Meksiko(Foto: Alamy)

Shtatë Qytetet e Arta

Pasi pushtoi actekët në vitin 1521, Spanja kishte krijuar një koloni në territorin e sotëm të Meksikës qendrore dhe jugore. Ndërsa katër udhëtarët po afroheshin te Kuliakan, në territorin e sotëm të Sinaloas, ata takuan një grup kalorësish spanjollë, të cilët i çuan 1 300 milje (2 090 kilometra) drejt Jugut, në kryeqytetin e Spanjës së Re (sot Meksiko-Siti). Atje, katër të mbijetuarit e përmbytjes së anijes treguan histori për qytete të praruara diku në shkretëtirën veriore, për të cilat fiset vendase i kishin folur Estevanicos - me shumë gjasa për t’i shtyrë të huajt të vazhdonin rrugën larg fshatrave të tyre.

I përcaktuar për të gjetur këto të ashtuquajtura “Shtatë qytete të arta”, mëkëmbësi i Spanjës së Re e dërgoi Estevanicon të udhëhiqte një grup fretërish spanjollë drejt Veriut, në territorin e sotëm të Nju-Meksikos dhe Arizonës, në vitin 1539. Me stoli bruzi rreth qafës dhe pupla në flokë, Estevanico ecte përpara grupit, duke shërbyer si zbuluesi kryesor për të mbledhur njohuri mbi këto qytete legjendare nga fiset vendase. Nëse ajo që mësonte ishte mesatarisht e rëndësishme, ai u dërgonte spanjollëve një kryq të vogël përmes një lajmëtari. Nëse ishte e rëndësishme, dërgonte një kryq të mesëm. Dhe, nëse ishte shumë e rëndësishme, dërgonte një kryq të madh.

Një ditë, pak pasi u bë i pari nga Bota e Vjetër që hyri në tokën e popullit zuni, Estevanico thuhet se dërgoi një kryq që përshkruhej “sa lartësia e një njeriu”. Të ngazëllyer, spanjollët nxituan për t’iu bashkuar, vetëm për të mësuar se, kur u përpoq të hynte në qytetin më jugor nga të ashtuquajturit Shtatë Qytete të Arta, në Hauikuh, ai ishte vrarë nga vendasit zuni.

Megjithëse spanjollët nuk gjetën kurrë qytete të praruara, udhëtimi i fundit i Estevanicos i çoi ata drejt asaj që u bë e njohur si “Tierra Nueva” (Toka e Re), e cila më vonë do të bëhej qendrore për zgjerimin spanjoll në Jugperëndimin Amerikan.

“Estevanico ndihmoi në formësimin e imagjinatës gjeografike të Perandorisë Spanjolle në Amerikën e Veriut,” tha Ilahiane. “Udhëtimet e tij përhapën njohuri mbi rrugët, popujt dhe mundësitë për zgjerim në rajonet që më vonë do të bëheshin Teksasi, Nju-Meksiko, Arizona dhe më gjerë. Ky udhëtim i fundit në territorin e zunive në vitin 1539 e nxiti Ekspeditën Coronado të vitit 1540 [e cila hapi rrugën për ekspeditat dhe vendbanimet spanjolle në gjithë Jugperëndimin Amerikan].”

Nga përhapja e sëmundjeve shkatërruese dhe zhvendosja e popullsive vendase deri te vendosja e katolicizmit, praktikave kulturore dhe kulinare, ky zgjerim spanjoll do të skaliste thellësisht të ardhmen e kombit që do të vinte më pas.

Një statujë e Estevanicos, që e përkujton atë si afrikanin e parë në territorin e sotëm të Teksasit, në Ostin(Foto: Travel Texas)

“Diçka në mes”

Për shekuj me radhë, Estevanico mbeti pak më shumë se një shënim në kronikat spanjolle dhe një figurë e harruar mes amerikanëve.

“Kjo sepse eksplorimi i tij nuk lidhet me mitin themelues të Shteteve të Bashkuara,” tha Lalami. “Është një nga ato gjëra që nuk përshtaten mirë me historinë e themelimit të ShBA-së që mësohet në shkolla - për 13 kolonitë dhe njerëzit që ikën nga përndjekja në Angli.”

Por, në dekadën e fundit, muzetë, monumentet dhe vizitat në të gjithë ShBA-në kanë filluar gjithnjë e më shumë të njohin rolin e tij në historinë e hershme të kontinentit.

“Ai pati një nga udhëtimet më të jashtëzakonshme në histori - drejt së panjohurës. Dikush duhet vërtet të bëjë tashmë një film për të,” tha David Anderson, pronari i Discover Florida Tours, e cila që nga viti 2017 organizon shëtitje historike të udhëhequra në Sent-Petersburg, aty ku zbarkoi Estevanico, dhe rrëfen odisejadën e tij epike.

Në vitin 2016, një statujë bronzi shtatë këmbë (2.15 metra) e lartë e Estevanicos u ngrit pranë Kapitolit të Shtetit të Teksasit në Ostin, për të përkujtuar rolin e tij si afrikani i parë që shkeli në Teksas. Që nga viti 2022, Muzeu i Historisë së El Pasos në Teksasin Perëndimor e ka rrëfyer rrugëtimin e Estevanicos në murin e tij digjital interaktiv, dhe eksploruesi zë vend të rëndësishëm në Muzeun e Historisë së Nju-Meksikos në Santa Fe dhe në Memorialin Kombëtar Koronado në Arizonë.

“Ky është një person që bëri diçka vërtet të jashtëzakonshme,” tha Diana Abouali, drejtoresha e Muzeut Kombëtar Arabo-Amerikan në Dirborn, Miçigan. “Në muze e paraqesim atë në fillim të ekspozitës sonë, Ardhja në Amerikë, për të treguar se folësit e arabishtes nuk janë të rinj në këtë vend. Gjuha dhe kultura arabe kanë qenë - në atë që sot janë Shtetet e Bashkuara - për një kohë shumë, shumë të gjatë.”

Për Lalaman, ajo që e bën Estevanicon kaq të rëndësishëm nuk është vetëm ajo që ai bëri - por, ajo që ai përfaqëson.

“Ai ishte afrikani i parë që përshkoi Amerikën e Veriut, por ajo që e bën kaq magjepsës është pozicioni i tij: ai nuk erdhi në ShBA si pushtues dhe nuk ishte pjesë e njerëzve që u pushtuan. Ai ishte diçka në mes,” tha ajo. /Telegrafi/