Hetohet fotografimi i votës kryesisht nga diaspora - Prokurori i Shtetit dhe Policia aktivizohen në parandalimin e keqpërdorimeve të votave

Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Prokurorisë së Shtetit.
Tutje thuhet se pas pranimit të këtyre informatave Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.
“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili prej tyre do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre. Po ashtu, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës fton qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në vazhdën e takimeve për procesin zgjedhor, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari janë takuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, i shoqëruar nga kolonel Florie Hajra nga Departamenti i hetimeve nga Policia e Kosovës dhe nga drejtori i departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës, nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Në këtë takim u diskutua lidhur me planifikimin, vlerësimin dhe angazhimin e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi se tashmë janë të caktuar ekipet kujdestare nga prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka caktuar ekipet kujdestare policore, të cilët do të kujdesen të ofrojnë siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
Në fund të takimit të dyja palët shprehën përkushtimin e tyre që edhe Prokurori i Shtetit edhe Policia e Kosovës në të gjitha fazat e procesit zgjedhor do të veprojnë në kohë, në parandalimin dhe trajtimin e secilit keqpërdorim të mundshëm. /Telegrafi/










































