Mbi 2 mijë anëtarë do të jenë pjesë e ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit. Ky vendim u miratua në mbledhjen e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas vendimit të KQZ-së ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet subjekteve politike të evidentuar në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe në numërimin e votave të kandidatëve për deputet.


Ndërsa, Alban Krasniqi anëtarë i KQZ-së theksoi se gjatë kërkesës për nominime, KQZ-ja u ka kërkuar partive politike të mos propozojnë persona që kanë qenë të përfshirë në parregullsi gjatë zgjedhjeve të kaluara.

“Rekomandojmë emërimin e 2 mijë e 212 anëtarëve të cilët do të jenë pjesë e 508 qendrave të numërimit në 38 komunat e Kosovës. Dua të theksoj këtu gjithashtu faktin që KQZ-ja, kur ka dërguar njoftimet për nominimet e anëtarëve të këshillave apo të ekipeve të numërimit në QKN, ka kërkuar nga subjektet politike që ato të mos dërgojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në të themi parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të fundit. Dhe për këtë mbajnë përgjegjësi në këtë rast subjektet politike, nëse në ndonjë prej rasteve ato kanë dërguar persona apo individë që kanë mundësi të jenë të përfshirë. Natyrisht, ne si anëtarë të KQZ-së, po edhe sekretariati gjithashtu, pra aq sa ka mundur ka qenë i përfshirë në mospërfshirjen e tyre, por se në fund përgjegjësia natyrisht do t’iu mbetet subjekteve politike mbi përbërjen e listës së këtyre trupave që do të merren me procesin e numërimit të votave apo fletëvotimeve për kandidatë”, tha Krasniqi.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u akredituan edhe 72 organizata apo mbi 15 mijë e 700 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen këtë fundjavë.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tregoi se Radio-televizija Vojvodine nuk mund të akreditohet sepse nuk ka përmbushur kriteret e parapara.

“Bëhet fjalë për Radio-televizija Vojvodine e cila ka aplikuar si medie vendore me ç’rast në bazë të regjistrave zyrtare që posedon Kosova kjo medie nuk është e regjistruar si medie vendore”, deklaroi ai.

Gjatë mbledhjes së sotme organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor të 7 qershorit mori vendim edhe për emërimin e 153 anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta nga komuna të ndryshme për vendet e paplotësuara.

Në mbledhjen e kaluar (59), KQZ kishte vendosur për emërimin e 12,678 anëtarëve, 1,043 prej të cilëve rezervë, për tu angazhuar në 2,498 vendvotime për votimin e rregullt (911 Qendra Votimi), ndërkaq emërimi i pjesës tjetër ishte planifikuar të bëhej në mbledhjen e radhës. Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ emëroi 192 anëtarë të 52 Këshillave të Vendvotimeve me kusht (38 Qendra Votimi). Anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve të emëruar nga KQZ, përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjëse për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.

Po ashtu, KQZ miratoi edhe 66 persona si staf rezervë të Këshillave të Vendvotimeve dhe staf asistues që do të angazhohen në procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike i cili do të zhvillohet më 6 maj në 30 ambasada me gjithsej 47 vendvotime. /KP/