Detaje të reja nga Europol për aksionin “White Star” - hetim ndaj 42 personave dhe rrjet kriminal me pasuri prej 80 milionë euro


Europol ka publikuar detaje të reja lidhur me operacionin e përbashkët ndërkombëtar të zhvilluar sot në pesë qytete në Kosovë, në kuadër të të cilit u arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe pastrim parash.
Sipas Europol-it, aksioni është rezultat i një hetimi trevjeçar që ka zbuluar një rrjet të krimit të organizuar me bazë në Kosovë, i cili dyshohet se ka operuar në disa shtete evropiane dhe ka grumbulluar pasuri kriminale me vlerë rreth 80 milionë euro.
“Informacioni i mbledhur gjatë një hetimi tre-vjeçar kulmoi më 9 qershor në një ditë aksioni të koordinuar në Kosovë, ku autoritetet arrestuan pesë anëtarë kyç të organizatës kriminale”, thuhet në njoftimin e Europol-it.
Sipas agjencisë evropiane të zbatimit të ligjit, zbulimi i rrjetit është bërë përmes analizimit të komunikimeve të shkëmbyera në platformën e koduar SKY ECC.
“Mesazhet e shkëmbyera në platformën e koduar të komunikimit SKY ECC ekspozuan një rrjet të krimit të organizuar me bazë në Kosovë, të përfshirë në trafikim në shkallë të gjerë të drogës, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash në Evropë”, thuhet në njoftim.
Europol bën të ditur se grupi kriminal përdorte platforma të koduara për të koordinuar dërgesat e drogës në disa vende evropiane, ndërsa qendrën operative e kishte në Kosovë.
“Grupi i krimit të organizuar përdorte një platformë të koduar komunikimi për të koordinuar aktivitetet e trafikimit të drogës në disa vende evropiane, duke e mbajtur qendrën operative në Kosovë. Prej aty, anëtarët e lartë drejtonin aktivitetet kriminale, koordinonin dërgesat ndërkombëtare të drogës dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme”, thuhet më tej.
Sipas Europol-it, gjatë hetimeve janë identifikuar anëtarët kryesorë të rrjetit, infrastruktura kriminale dhe rrjedhat financiare të lidhura me aktivitetet e paligjshme.
“Duke kombinuar këtë inteligjencë me informacionin operacional të mbledhur në disa vende, hetuesit identifikuan anëtarët kyç të rrjetit, hartëzuan infrastrukturën e tij kriminale dhe gjurmuan rrjedhat financiare të lidhura me aktivitetet e trafikimit të drogës”, thuhet në njoftim.
Agjencia evropiane njofton se që nga fillimi i hetimit janë hetuar 42 persona, janë kontrolluar 76 lokacione dhe janë sekuestruar pasuri kriminale me vlerë rreth 80 milionë euro.
Operacioni është realizuar në kuadër të Task Forcës Operacionale LIMIT, me pjesëmarrjen e autoriteteve të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kosovës, ndërsa Europol ka ofruar mbështetje analitike dhe operative gjatë gjithë hetimit. /Telegrafi/





































