Një pleskavicë e ngrënë nga Dua Lipa në Prishtinë në orën 04:28 të mëngjesit - dhe bota digjitale serbe shpall gjendjen e luftës

Gjendje e jashtëzakonshme në Serbi. Dua Lipa ka postuar një video në të cilën shihet duke shijuar herët në mëngjes një copë bukë me mish. A ishte pleskavicë apo qofte? Shumë serbë nga distanca shohin vetëm një «pleskavicë». Dhe zemërohen. Mllefosen. Acarohen. Egërsohen. Protestojnë.
Një profil në rrjetet (a)sociale shkruan: «Pasi na e morën Gazivodën, tash po na e marrin edhe pleskavicën». Një tjetër: «Erdhën deri në Leskovc». (Leskovci, sipas bindjes së shumë serbëve, është i njohur për pleskavicën me shije djegëse dhe me qepë). Profili i radhës, anonim në platformën e Elon Muskut, bën thirrje madje për atentat ndaj Dua Lipës. Ka të tillë që tallen me autokratin serb A.V., i cili vite më parë thoshte: «Nuk do t’ua jap Gazivodën (shqiptarëve)». A do të thotë tani të njëjtën: «Nuk do t’ua jap pleskavicën»? Një tjetër profil ankohet se Dua Lipa edhe ajvarin e ka prezantuar si specialitet shqiptar, por ç’të bësh, vazhdon shkruesja, ajo, pra Dua Lipa, këndon gjithandej botës, ndërsa «pevaljkat» tona i këndojnë presidentit A.V. (Në shqip fjala «pevaljka» ndoshta do të mund të përkthehej kështu: këngëtaruce). Ka profilmbajtës që ruajnë nervat dhe kanë humor. Një nga ta shkruan: «A është shpallur tashmë gjendja e luftës?»
Dua Lipa është plotësisht korrekte në videon e saj kulinarike. Ajo thotë «balkan style», pra një specialitet ballkanik, diçka që u përket të gjithëve. Dhe kjo është shumë e vërtetë. Përveç pleskavicës së Leskovcit ekziston edhe pleskavica e Sharrit (e mbushur me kaçkavall), pastaj hajduçka pleskavica (me mish lope dhe me copëza mishi derri të tymosur) dhe pleskavica e Mostarit (e mbushur me djathë deleje, e shoqëruar me qepë të skuqura). Mund të ketë edhe dhjetëra variante të tjera rajonale. Hahet e shijohet nga Sllovenia në Maqedoni. Nga Bullgaria në luginat e Drakullës në Rumani. Nga Hamburgu në Zürich. Pleskavicë ka edhe në Amerikë.
Por për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Serbi, mjafton që një yll botëror i muzikës (madje shqiptare!) të ketë uri gjatë një nate të festivalit Sunny Hill në Prishtinë dhe të shijojë një specialitet ballkanik.
Ushtrisë digjitale serbe nuk i shkon ndër mend se gati krejt kuzhina, edhe ashtu modeste, ballkanike është zgjatim i kuzhinës osmane dhe persiane. Por kush merret me këso detajesh?
Dhjetë vjet më parë në mediat serbe populli serb u paralajmërua se në sallatën serbe ka depërtuar një armik i jashtëm: domatja shqiptare. Titujt si «Albanski paradajz u srpskoj salati» ende gjenden në rrjet. Po çfarë kishte ndodhur? Serbia kishte importuar domate nga Shqipëria. Domatet shqiptare janë të mira. Të shijshme. I duan edhe të tjerët. Ky është lajm i mirë për bujqit shqiptarë. Por nacionalistët serbë importin e domateve shqiptare e shohin edhe si një konspiracion të madh: domatja shqiptare është e dëmshme për sallatën serbe jo vetëm nga aspekti estetik, ngaqë perceptohet si një lloj fallusi kulinarik ilirian; jo, jo, domatja shqiptare, nga ky këndvështrim i çarshisë mediale beogradase, po e shkatërron edhe bujkun serb.
Bujku serb është pjesëtar i popullit krenar, heroik e punëtor serb, i cili lavdërohet me «gjenetikën e lavdishme». Këtu duhet cituar nga një kolumne e publicistit kroat Boris Dezhulloviq, botuar vite më parë. Ai shkruan: «Së pari, siç do t’ju kujtohet, revista e nderuar shkencore “Kurir” botoi studimin e Nebojsha Drashkoviqit, kryetar i shoqatës “Poreklo”, me titullin: “Senzacionale! Ne jemi pasardhës të ilirëve, jo shqiptarët!” Në mostrën e vet gjenetike, të dërguar për analizë në Institutin e ADN-së në Huston, Drashkoviqi “vërtetoi” se haplotipi mashkullor serb është më i lashti në Evropë, saktësisht njëzet e tre mijë vjet i lashtë, gjë që sipas tij është provë se pasardhësit e ilirëve janë në të vërtetë serbët, e jo shqiptarët, me të cilët nuk ndajnë asnjë gjen të përbashkët.
Pastaj, revista po aq e nderuar shkencore “Informer” botoi rezultatet e një studimi mbi grupet e ADN-së së popujve evropianë, me titullin: “Tronditëse! Serbëve madje edhe rumunët e bullgarët u qenkan më afër se malazezët!” Analiza e publikuar tregoi, përkatësisht, se “popujt ballkanikë në përgjithësi kanë dallime të vogla në kodin gjenetik, por bie në sy afërsia e serbëve me rumunët, si edhe dallimi krejt i papritur në origjinën gjenetike të serbëve në raport me malazezët”.
Pastaj, i famshmi “Informer” (...) botoi edhe rezultatet e hulumtimit të një grupi ekspertësh të mbledhur rreth “Projektit serb të ADN-së”, me titullin: “Ekskluzive! Serbët me turqit nuk kanë asnjë gjen të përbashkët!” Milan Rajevac, drejtues i projektit të kryer në bashkëpunim me Fakultetin e Biologjisë në Beograd, deklaroi se hulumtimi ka vërtetuar pa asnjë dyshim se, në kundërshtim me paragjykimet, serbët pothuajse fare nuk janë përzier me turqit: “Në ADN-në serbe, gjenet turke pothuajse nuk gjenden as në gjurmë”».
Gjendja e jashtëzakonshme vazhdon. Rreziku i radhës tashmë duket në horizont: brigada vegjetarianësh, viganë si laistrogonët e Odisesë së Homerit dhe Christopher Nolanit, po bëjnë plane për t’i shpallur luftë pleskavicës.









































