"Nëse është përfshirë, ka gabuar rëndë, nuk i falet", Abdixhiku i çon “selam” Përparim Ramës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mund t’i kuptojë të gjithë ata që janë përfshirë në iniciativën për shkarkimin e tij, nëse veprimi i tyre ka ardhur nga bindje politike dhe shqetësime të brendshme.
Megjithatë, Abdixhiku ka thënë se situata ndryshon nëse në këtë proces janë përdorur mekanizma shtetërorë për të ndikuar në zhvillimet brenda partisë.
Pas rikonfirmimit të tij në krye të LDK-së, Abdixhiku tha se nga informacionet dhe përgjimet e publikuara ka krijuar bindjen se duhet të hetohet çdo mundësi e ndërhyrjes së jashtme në proceset e brendshme të partisë.
“Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai iu referua edhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e paralajmëruar për përgjegjësi nëse vërtetohet përfshirja e tij në përpjekjet për destabilizimin e partisë.
Abdixhiku theksoi se dallimi qëndron mes një debati të brendshëm politik dhe përdorimit të mjeteve apo institucioneve shtetërore për të ndikuar në një parti politike.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së të enjten e rikonfirmoi Abdixhikun në pozitën e kryetarit, duke rrëzuar iniciativën për shkarkimin e tij, e cila ishte iniciuar nga disa figura brenda partisë./Telegrafi.







































