Përfundon takimi, Abdixhiku: Numrat për zgjedhjen e presidentit, për momentin nuk janë

(E plotësuar) - Ka përfunduar takimi në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit Kurti nuk është deklaruar për media.
Derisa i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se e ka njoftuar Kurtin për zhvillimet e fundit brenda LDK-së, veçanërisht pas vendimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie për të mos e mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Abdixhiku e ka cilësuar takimin si një njoftim të rregullt ndërmjet dy liderëve politikë për zhvillimet në partitë e tyre.
“Është njoftim i rregullt pas zhvillimeve në të dy partitë. Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. Atë që ka ndodhur dje, e njoftova Kurtin dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e VV-së dhe të Grupit Parlamentar”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai nuk është ndalur gjatë te vendimi i gjashtë deputetëve të LDK-së që të mos votojnë për Sejdiun.
“Tash duhet t’i pyesni ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një situatë të paqartë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse do të vazhdojnë takimet me Kurtin, Abdixhiku ka thënë se përpjekjet do të vazhdojnë, por ka vlerësuar se aktualisht nuk ekzistojnë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Përpjekje do të ketë, por numrat për momentin nuk janë për të zgjedhur presidentin e vendit...Fatkeqësisht me aq sa po shoh po krijohet një situatë e pamundësisë numerike per të dal nga kjo gjendje’’, ka deklaruar kreu i LDK-së.
Ndërkohë, sa i përket mundësisë së takimeve me partitë e tjera politike, Abdixhiku ka thënë se një proces i tillë do të ishte i mirëseardhur.
Megjithatë, sipas tij, partitë e tjera janë distancuar nga përpjekjet për të zhvilluar takime të tilla.
Takohen Kurti e Abdixhiku
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë takuar sërish të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.
Takimi mes dy liderëve ka nisur rreth orës 16:00.
Në oborrin e Kuvendit shihet edhe vetura e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Një takim të tillë e kishte paralajmëruar edhe vetë Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kishte theksuar se do të zhvilloheshin takime të reja me Abdixhikun për të diskutuar hapat e mëtejshëm lidhur me situatën politike.
Takimi i sotëm vjen pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së rreth kandidaturës për president të Sejdiut dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike mes LVV-së dhe LDK-së.







































