Eurodeputeti austriak, Helmut Brandstetter i ka kërkuar Komisionit Evropian të pezullojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe të gjitha pagesat për këtë vend, pasi disa përfaqësues zyrtarë të Qeverisë së Serbisë publikisht kanë nderuar ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ai kërkoi gjithashtu që ky vendim të mbetet në fuqi derisa autoritetet serbe të distancohen qartë dhe pa mëdyshje nga glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, shkruan N1.


Deri atëherë, sipas Brandstetter, nuk duhet të ndërmerren as hapa të mëtejshëm në lidhje me integrimin e Serbisë në hapësirën Shengen.

Eurodeputeti austriak është pjesë e grupit liberal “Rinovo Evropën” dhe raportuesi në hije i Parlamentit Evropian për Serbinë.

“Ratko Mlladiq është dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Kur përfaqësues të autoriteteve të një vendi kandidat për anëtarësim në BE, pas vdekjes së tij, e glorifikojnë një person të tillë, është kaluar vija e kuqe. Kjo përbën tallje me viktimat dhe familjet e tyre dhe është në kundërshtim themelor me vlerat e Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Helmut Brandstetter ishte pjesë e delegacionit të Parlamentit Evropian që në janar qëndroi për dy ditë në Serbi për të vlerësuar situatën në këtë vend. /Telegrafi/