Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pretendoi se aktgjykimi do të jetë i tillë që dënimi eventual të mbulohet nga koha e kaluar në paraburgim, ndërsa, sipas tij, pjesa kryesore e akuzave që lidhen me krimet ndaj serbëve do të përfundojë me vendim lirues.

Vuçiq tha se, sipas informacioneve që pretendon se i ka nga shërbimet serbe të inteligjencës, vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të ketë një pjesë dënuese, por sipas tij jo për krimet e pretenduara ndaj serbëve.


“Duhet të ketë diçka dënuese, por jo për shkak të viktimave serbe, por do të ketë një dënim vetëm sa për të mbuluar kohën e paraburgimit. Por për krimet më të rënda kundër serbëve, Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm dhe i papërgjegjshëm për këtë”, ka thënë Vuçiq.

Ai pretendoi se një vendim i tillë do të përdorej nga Perëndimi për të përcjellë mesazhin se serbët janë të vetmit përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

“Na presin ditë jo të lehta politike. Të gjithë ata që morën pjesë në krime kundër serbëve në territorin e ish-Jugosllavisë gjithmonë liroheshin ose gjoja dënoheshin, ndërsa më pas në vendimet e shkallës së dytë merreshin vendime të tjera dhe këta njerëz liroheshin”, tha Vuçiq.

Vuçiq e lidhi këtë pretendim edhe me raste të tjera të gjykuara nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke përmendur lirimin e ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina dhe komandantit boshnjak Naser Oriq.

Sipas tij, vendime të tilla, përfshirë ato të shkallës së dytë, dëshmojnë atë që ai e konsideron si një qasje të “njëanshme ndaj krimeve të luftës”./Telegrafi/