Një i mitur, 15-vjeçar, ka ndërruar jetë pasi është therur me thikë në Prizren, gjatë natës së 27 gushtit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka konfirmuar për Telegrafin se më datën 27 gusht 2026, rreth orës 23:45, Policia ka pranuar informatën për një incident në Prizren, ku një i mitur ishte therur me thikë.


“Patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe në vendngjarje ka hasur ekipin e Emergjencës, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë viktimës, një mashkull i mitur rreth 15-vjeçar, dhe e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejmë. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, viktima nuk ka arritur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”, tha ai.

Bytyqi më tej bëri të ditur se pak më larg vendngjarjes është identifikuar dhe arrestuar një i dyshuar, mashkull i mitur rreth 17-vjeçar.

“Gjatë kontrollit te i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar thika, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, përfshirë hetuesit dhe ekipin e krim-teknikës, ndërsa rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren”, u shpreh Bytyqi.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa i dyshuari i mitur është ndaluar për 24 orë.

Për shkak të moshës, si viktima dhe I dyshuari nuk kanë pas ndonjë rast të më hershëm të regjistruar në evidencat policore.

Rasti mbetet nën hetim. /Telegrafi/