Gjuriq: Serbia do të hapë konsullatë në Shkodër, Shqipëria në Bujanoc

Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili tha se dakordësia është arritur gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.
Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriç deklaroi se hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Më gëzon fakti që pata bisedime të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, tha Gjuriç, transmeton euronews.al.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri serb u shpreh se Serbia ka përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me agjendën e Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në BE mbetet një interes kombëtar i Beogradit.
Sipas tij, pjesa më e madhe e shkëmbimeve ekonomike të Serbisë zhvillohet me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit, ndaj, siç tha ai, është e rëndësishme që Serbia të jetë pjesë e proceseve vendimmarrëse evropiane.






































