Pavarësisht krizave globale, tensioneve gjeopolitike dhe presionit mbi bizneset, pagat në Zvicër pritet të rriten edhe gjatë vitit 2027. Kompanitë zvicerane planifikojnë një rritje mesatare nominale prej 1,2 për qind, sipas një sondazhi të Qendrës për Kërkime Ekonomike pranë Universitetit Teknik ETH Zürich (KOF), shkruan gazeta “Neue Zürcher Zeitung”.

Në sondazh morën pjesë rreth 3500 kompani të sektorit privat. Sipas KOF-it, inflacioni në vitin 2027 pritet të jetë rreth 0.5 për qind. Nëse ky parashikim realizohet, punonjësit do të përfitojnë një rritje reale të pagave prej afërsisht 0.7 për qind, që nënkupton një përmirësim të fuqisë së tyre blerëse.


Rritja e parashikuar shihet si e konsiderueshme në një perspektivë historike. Nga viti 2014 deri më 2023, pagat reale në Zvicër u rritën mesatarisht vetëm 0.2 për qind në vit.

Michael Siegenthaler, drejtues i kërkimeve për tregun e punës në KOF, vlerëson se parashikimet janë premtuese, veçanërisht duke pasur parasysh tarifat amerikane dhe tensionet ndërkombëtare që po rëndojnë mbi ekonominë zvicerane, thekson “Neue Zürcher Zeitung”.

Megjithatë, ekziston një dallim mes pritjeve të ekspertëve dhe atyre të kompanive. Ndërmarrjet e anketuara presin një inflacion prej 1.1 për qind. Në këtë rast, rritja reale e pagave do të ishte minimale. Ekspertët e KOF-it theksojnë se kompanitë zvicerane në të kaluarën kanë pasur prirje ta mbivlerësojnë inflacionin.

Në të njëjtën kohë, ritmi i rritjes së pagave nominale po ngadalësohet. Një vit më parë, kompanitë parashikonin rritje prej 1.3 për qind, ndërsa në vitin 2024 pritjet ishin 1.6 për qind. Ndër faktorët kryesorë përmenden rënia e inflacionit dhe ftohja e lehtë e tregut të punës që nga viti 2023.

Sektori i ndërtimit pritet të ketë rritjen më të madhe të pagave. Kompanitë e këtij sektori parashikojnë një rritje nominale prej 2 për qind, nga 1.6 për qind sa ishte parashikimi i një viti më parë.

Rreth 90 për qind e kompanive të ndërtimit planifikojnë t’i rrisin pagat me të paktën 1 për qind. Kjo lidhet me ecurinë e mirë të sektorit dhe mungesën e vazhdueshme të punëtorëve të kualifikuar, nënvizon “Neue Zürcher Zeitung” dhe bën këtë renditje:

Bankat: Rritja e parashikuar ka rënë nga 1.4 në 0.8 për qind. Në këtë zhvillim kanë ndikuar shkurtimet e vendeve të punës pas bashkimit të bankave UBS-së dhe Credit Suisse, automatizimi dhe konkurrenca nga shërbimet bankare online.

Industria kimike dhe farmaceutike: Kompanitë presin rritje prej vetëm 1 për qind, krahasuar me 1.5 për qind më parë. Sektori po përballet me tarifat amerikane, kostot e larta të energjisë dhe presionin për uljen e çmimeve të barnave.

Industria e eksportit: Dobësimi ekonomik në tregje të rëndësishme, veçanërisht në Gjermani dhe Kinë, vazhdon të ndikojë mbi pagat dhe punësimin.

Sindikatat zvicerane i konsiderojnë këto rritje të pamjaftueshme. Organizatat Travail Suisse, Syna dhe Transfair pritet të paraqesin kërkesa më të larta gjatë negociatave për pagat e vitit 2027. Ato paralajmërojnë se çmimet e konsumit mund të rriten sërish për shkak të konflikteve ndërkombëtare dhe kostove të energjisë.

Sipas sindikatave, rritja e produktivitetit për orë pune dëshmon se rritjet më të mëdha të pagave janë të nevojshme, të arsyeshme dhe të përballueshme. /Telegrafi/