Zjarr në shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan, Policia nis hetimet për zjarrvënie

Një zjarr ka përfshirë gjatë natës një shtëpi në një lagje të Zveçanit, ku banon familja Berisha, e cila ishte kthyer në pronën e saj pas 28 vjetësh.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Erduan Baliqi nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës, i cili ka bërë të ditur se zjarri është raportuar rreth orës 00:10.
“Mbrëmë në mesnatë, rreth orës 00:10, një banor në një lagje në Zveçan ka vërejtur një zjarr në shtëpi”, ka deklaruar Baliqi.
Sipas tij, Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
“Menjëherë Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin”, ka thënë ai.
Baliqi ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa Prokurori kujdestar ka udhëzuar që rasti të iniciohet për zjarrvënie.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë. Prokurori kujdestar ka udhëzuar që rasti të iniciohet për zjarrvënie. Deri më tani rasti mbetet në hetim, ndërsa ende nuk dihen arsyet e zjarrvënies”, ka deklaruar Baliqi për Telegrafin.
Ndërkohë, anëtarja e familjes Berisha, Zana, ka thënë se familja dyshon se zjarri ishte i qëllimshëm.
“Natën e kaluar tentuan të na djegin shtëpinë, por fatmirësisht një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar”, ka deklaruar ajo.
Zana ka thënë se incidenti nuk do ta zmbrapsë familjen nga vendimi për t’u kthyer dhe për të jetuar në shtëpinë e tyre.
“Kjo për ne nuk do të thotë asgjë, nuk do të zmbrapsemi, pasi jemi në rrugën tonë të drejtë. Kjo ka ndodhur sepse ne nuk jemi 24 orë këtu”, është shprehur ajo.
Ajo ka shtuar se familja ka përkrahjen e institucioneve dhe se synon ta rinovojë shtëpinë.
“Kemi përkrahjen e institucioneve tona dhe ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm dhe shtëpinë do ta rinovojmë”, ka thënë Zana.
Familja Berisha ishte kthyer në shtëpinë e saj në Zveçan pas 28 vjetësh, pasi ishte dëbuar me forcë nga prona menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Gjatë procesit të kthimit, familja kishte ndarë me publikun përmes rrjeteve sociale fotografi dhe video nga puna dhe rikthimi në pronën e saj.
“Është një ndjenjë e keqe, pasi jemi zgjuar me një lajm të tillë, por kjo nuk do të na ndalë”, ka deklaruar Zana.
Rrethanat dhe shkaqet e zjarrit pritet të përcaktohen nga hetimet e autoriteteve. /Telegrafi/








































