SHBA-ja ndan mbi 206 milionë dollarë për Forcën në Gaza, Kosova e Shqipëria pajisen të parat

Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë shtetet që kanë zotuar trupa për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza (ISF), sipas një raportimi të Reuters.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 206 milionë dollarë për mbështetjen e kësaj force, edhe pse plani i paqes për Gazën vazhdon të jetë i bllokuar.
Sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Shtetit, të siguruara nga Reuters, 200 milionë dollarë do të përdoren për pajisje, infrastrukturë, automjete dhe shpenzime operative të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ndërsa rreth 6.3 milionë dollarë janë paraparë për përshtatjen e nëntë automjeteve të blinduara amerikane për këtë mision.
Në mesin e shteteve që kanë konfirmuar gatishmërinë për të kontribuar me trupa janë Kosova, Shqipëria, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër trajnimin e forcave policore palestineze.
Një element i rëndësishëm për Kosovën dhe Shqipërinë është se të dyja vendet janë paraparë të jenë përfitueset fillestare të automjeteve të blinduara amerikane që do të përshtaten për përdorim nga Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit. Sipas Reuters, nëntë transportues të blinduar, të destinuar fillimisht për Nepalin, do të ridrejtohen për mbështetjen e misionit.
Forca e propozuar ndërkombëtare është pjesë e planit 21-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën. Ajo pritet të ketë rol në sigurinë e territorit, mbështetjen e procesit të çmilitarizimit, sigurimin e dërgimit të ndihmave humanitare dhe materialeve për rindërtim, si dhe në trajnimin e forcave të reja policore palestineze.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të mund të dislokohen trupat e vendeve pjesëmarrëse. Plani ka hasur në pengesa të mëdha për shkak të mospajtimeve mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas Reuters, Izraeli kërkon që Hamasi të çarmatoset plotësisht para tërheqjes së forcave izraelite, ndërsa Hamasi kërkon që Izraeli fillimisht të ndalë sulmet dhe të tërheqë trupat nga Gaza. Bisedimet e fundit nuk kanë sjellë ende një marrëveshje përfundimtare.
Megjithë ngecjen politike, administrata amerikane e konsideron financimin si një hap fillestar drejt zbatimit të planit për Gazën.
Për Kosovën dhe Shqipërinë, përfshirja në këtë strukturë do të nënkuptonte pjesëmarrje në një mision të rëndësishëm ndërkombëtar të sigurisë, ndërsa pajisjet amerikane të blinduara pritet të jenë pjesë e kapaciteteve të tyre në kuadër të rolit të paraparë në ISF.
Reuters raporton se ende nuk ka një afat të përcaktuar për dislokimin e trupave, pasi vetë përbërja përfundimtare e forcës është ende duke u negociuar.





































