Atletico Madridi pranon ta shesë Alvarezin, por vetëm te një klub i caktuar

Atletico Madridi raportohet se ka ndryshuar qëndrimin për të ardhmen e Julian Alvarezit dhe tani është i gatshëm të negociojë largimin e sulmuesit argjentinas, por vetëm nëse ai transferohet te Arsenali dhe jo te Barcelona.
Sipas Mundo Deportivo, Atletico Madridi e ka pranuar se situata rreth Alvarezit është bërë e paqëndrueshme, pasi sulmuesi e ka bërë të qartë, si publikisht ashtu edhe brenda klubit, dëshirën e tij për t’u larguar.
Megjithatë, klubi spanjoll vazhdon të mbajë një qëndrim të prerë kundër shitjes së tij te Barcelona.
Arsenali mbetet i interesuar për 26-vjeçarin dhe mund t’i ofrojë Atleticos një zgjidhje përmes Viktor Gyokeres, i cili është bërë i disponueshëm për disa klube. Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, raportohet se do ta mirëpriste sulmuesin suedez si zëvendësues të Alvarezit.

Megjithatë, Alvarez nuk duket i interesuar për t’u rikthyer në Angli. Argjentinasi raportohet se dëshiron transferimin te Barcelona dhe ka refuzuar mundësinë e rikthimit në Angli.
Barcelona vazhdon ta ketë Alvarez si objektivin kryesor për sulmin dhe dëshiron ta përfundojë marrëveshjen para mbylljes së afatit kalimtar.
Ndërkohë, Atletico Madridi ndodhet përballë një vendimi të vështirë, pasi është i gatshëm ta shesë yllin e skuadrës, por ka shumë pak kohë për të gjetur një zëvendësues të denjë./Telegrafi/












































