Ruud Gullit ishte një nga anomalitë më të mëdha të futbollit. Në një kohë kur pozicionet në fushë ishin shumë më të përcaktuara se sot, holandezi mund të luante pothuajse kudo dhe të ishte po aq i rëndësishëm. I gjatë, jashtëzakonisht atletik, me shpejtësinë e një sprinteri, teknikë të rafinuar dhe një elegancë të veçantë, Gullit u bë një prej figurave më ikonike të futbollit evropian.

Ajo që e bënte edhe më të veçantë ishte fakti se askush nuk mund ta përcaktonte saktësisht pozitën e tij. Ai luajti si libero (mbrojtës qendre i lirë), mbrojtës qendre tipik, mesfushor defensiv, mesfushor ofensiv, anësor dhe sulmues. Madje, edhe pasi u shndërrua në një prej mesfushorëve ofensivë më të mirë të botës dhe fitoi gjithçka me Milanin dhe Holandën, vazhdoi të kthehej në mbrojtje.


“Ai kishte aq shumë fuqi fizike sa mund të luante kudo. Herën e parë që e pashë, ishte në një turne në Barcelonë dhe luante si libero. Pastaj e pashë në krahun e djathtë, në mesfushë, si sulmues të dytë dhe në çdo pozitë tjetër”, ka kujtuar ish-bashkëlojtari i tij te Milani, Roberto Donadoni.


Ish-bashkëlojtari i Gullitit te PSV, René van der Gijp, shkoi edhe më larg: “Mendoj se ai është i vetmi lojtar në botë që ishte më i miri në çdo pozitë. Mbrojtës i djathtë, qendre, libero, mbrojtës i majtë, mesfushor defensiv, mesfushor ofensiv, sulmues, anësor i djathtë – nuk kishte rëndësi”.

Gullit e solli në futbollin profesionist atë kulturë të futbollit të rrugës së Amsterdamit, ku talenti, improvizimi dhe guximi ishin po aq të rëndësishme sa disiplina taktike. Fuqia fizike dhe shkathtësia e tij e çuan deri në majën e futbollit evropian.

Madje, një tjetër legjendë, George Best, e vlerësonte pikërisht mënyrën se si Gullit e shijonte futbollin. Në vitin 1990, Best e përshkroi holandezin si një lojtar që nuk kishte frikë të provonte gjëra me topin dhe që dukej sikur po shijonte çdo sekondë në fushë. Për Bestin, kjo ishte ajo që e bënte Gullitin edhe më të mirë se Diego Maradona.

Ronald Koeman gjithashtu ka thënë se kishte një periudhë në fund të viteve ’80 kur Gullit rivalizonte Maradonën për statusin e lojtarit më të mirë në botë – dhe këtë e bënte duke qenë në gjendje të luante si mbrojtës qendre, anësor, mesfushor apo sulmues.

Por përpara se të fitonte Topin e Artë, të dominonte Evropën me Milanin dhe të bëhej kapiten i Holandës, Gullit ishte thjesht një adoleshent 16-vjeçar nga Amsterdami që priste një ofertë nga Ajaxi.

Nga mbrojtës në sulmues

Historia e Gullitit nisi të ndryshojë kur trajneri uellsian Barry Hughes vendosi ta transferonte atë te Haarlem. Në vitin 1977, Hughes shkoi në shtëpinë e familjes Gullit për të bindur prindërit që ta lejonin djalin e tyre të bashkohej me klubin.

Babai i Gullitit shpresonte që një ditë në derë do të trokiste Rinus Michels dhe do ta merrte djalin te Ajaxi. Nëna e tij, ndërkohë, ishte më e shqetësuar për edukimin e tij.

Hughes e kuptoi këtë dhe i premtoi familjes se do t’i siguronte shkollimin në Haarlem. Ai madje u kthye pikërisht në ditën dhe orën që kishte premtuar një vit më parë. Kështu, Gullit përfundoi te Haarlem.

Pothuajse një vit më vonë, ai debutoi në moshën 16 vjeç e 245 ditë, duke u bërë në atë kohë lojtari më i ri në historinë e Eredivisies. Pozita e tij e parë ishte ajo e mbrojtësit të qendrës, pra shumë larg sulmit.

Por në sezonin e dytë ndodhi ndryshimi që do të përcaktonte të gjithë karrierën e tij. Haarlem vendosi ta zhvendoste në një rol më ofensiv. Gullit vetë e ka shpjeguar më vonë se kjo nuk ishte aspak e natyrshme për të.

“Unë nuk jam sulmues natyral, jam mbrojtës. Si mbrojtës, e di se çfarë dëshiron një mbrojtës që sulmuesi të bëjë”, kishte thënë ai.

Ai nisi të stërvitej çdo ditë pas përfundimit të stërvitjes së rregullt. Punohej me një ide të thjeshtë: ta marrë topin, ta prekë vetëm një herë dhe të gjuajë. Pastaj zbuloi diçka që do ta ndryshonte lojën e tij.

“E kuptova se nuk ishte e nevojshme ta godisja fort. Mjaftonte ta vendosja topin. Majtas, djathtas”.

Gullit nisi të shënonte rregullisht. Shënoi 14 gola dhe u shpall lojtari më i mirë i Eerste Divisie, ndërsa Haarlem u rikthye në elitë. Në sezonin pasues, ai shënoi sërish 14 gola, këtë herë duke luajtur nga mesfusha ofensive dhe krahu, ndërsa krijonte edhe raste për bashkëlojtarët.

Haarlem përfundoi i katërti, por ishte e qartë se Gullit e kishte tejkaluar nivelin e klubit.

Takimi me Johan Cruyffin

Në vend që të bashkohej me Ajaxin, Gullit bëri një zgjedhje që në atë kohë i habiti shumë njerëz: kaloi te Feyenoordi, një skuadër që kishte përfunduar vetëm në vendin e gjashtë.

Ai u pyet edhe në televizion përse po shkonte te një klub që konsiderohej më i dobët se Ajaxi. Përgjigjja e tij ishte e sigurt: nëse Feyenoordi bëhej kampion, ai do të kthehej në atë emision. Dhe pastaj ndodhi diçka e jashtëzakonshme.

Johan Cruyff, legjenda e futbollit holandez, u largua nga Ajaxi pas një mosmarrëveshjeje për kontratën dhe, në moshën 36-vjeçare, vendosi t'i bashkohej pikërisht Feyenoordit.

Shumë mendonin se Cruyff ishte shumë i vjetër për ta udhëhequr ekipin. Të tjerë besonin se Feyenoordi nuk kishte forcën për ta sfiduar Ajaksin. Ata e nënvlerësuan kombinimin e Cruyffit me Gullitin.

“Isha më shumë kureshtar se çdo gjë tjetër. Ai ishte 36 vjeç kur erdhi te Feyenoordi. Kishte momente kur mendoja: ‘Tani do t’ia marr topin’. Por nuk mundesha. Mendova: 36 vjeç? Imagjinoni sa i mirë duhet të ketë qenë në moshën 24-vjeçare?”, tregonte ai.

Cruyff mori kontrollin e ekipit. U jepte udhëzime bashkëlojtarëve gjatë ndeshjeve, vendoste ushtrimet në stërvitje dhe kishte ndikim të madh në formacion. Por mbi të gjitha, vazhdonte të ishte i paprekshëm me topin.

Gulliti i ri dhe Cruyffi veteran krijuan një dyshe që filloi të trembte të gjithë kundërshtarët.

Feyenoordi pësoi një humbje të rëndë 8-2 ndaj Ajaxit, por ajo ndeshje në vend që ta rrënonte ekipin, u bë një pikë kthese.

“Cruyff tha pas ndeshjes: ‘Djem, janë vetëm dy pikë’”, ka kujtuar Gullit.

Pas asaj disfate, Feyenoordi nisi të fitonte pothuajse çdo ndeshje. Në një tjetër përballje me Ajaxin, Gullit shënoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Cruyff shënoi golin e dytë në fitoren 4-1.

Feyenoordi humbi vetëm një tjetër ndeshje në Eredivisie dhe fitoi titullin kampion për herë të parë pas dhjetë vjetësh. Gullit gjithashtu shënoi dhe asistoi kundër Ajaxit në dy ndeshjet e Kupës dhe e përfundoi garën si golashënuesi më i mirë.

Në fund të sezonit, ai u shpall Futbollisti holandez i Vitit nga vetë lojtarët. Cruyffi i kishte dhënë atij edhe një mësim që do ta kuptonte plotësisht vetëm disa vite më vonë.

“Ruud, klubi i ardhshëm ku do të shkosh, përgatitu që njerëzit të mos të duan më. Dhe duhet t’i bësh lojtarët përreth teje të luajnë më mirë”, kujton ai.

Gullit nuk e kuptoi menjëherë. Por kur kaloi te PSV-ja dhe më pas te Milani, kuptoi se çfarë kishte dashur të thoshte Cruyffi.

PSV-ja dhe rruga drejt Milanit

Pas Feyenoordit, Gullit kaloi te PSV-ja dhe vazhdoi të rritej si futbollist. Edhe aty pozita e tij ndryshonte shpesh, por kjo nuk e ndalonte së shënuari.

Në një ndeshje kundër Ajaxit, ai lexoi një pasim të gabuar në mesfushë, shpërtheu përpara dhe shënoi pas një aksioni individual. Më pas asistoi dhe shënoi sërish në fitoren 4-2.

Edhe kur u kthye në rolin e mbrojtësit, ai vazhdonte të dilte përpara dhe të shënonte gola. PSV-ja fitoi titullin me tetë pikë avantazh ndaj Ajaxit dhe Gullit, në moshën 23-vjeçare, u shpall për herë të dytë Futbollisti holandez i Vitit.

Sezoni 1986/87 ishte edhe më mbresëlënës. Gullit shënoi 22 gola në 34 ndeshje, ndërsa PSV-ja fitoi sërish titullin.

Por marrëdhënia me trajnerin Hans Kraay u përkeqësua. Gulliti ishte lodhur nga ndryshimi i vazhdueshëm i pozitës së tij dhe një vendim për ta aktivizuar sërish si mbrojtës shkaktoi një përplasje të madhe. Kjo situatë përfundimisht e hapi rrugën për transferimin e tij te AC Milan.

Gulliti pushton Evropën

Në dhjetor të vitit 1987, Gullit fitoi Topin e Artë, pasi kishte shkëlqyer me PSV-në dhe në fillimin e aventurës së tij me Milanin. France Football e përshkroi atë si një fenomen që kombinonte teknikën, fuqinë, kreativitetin, spektaklin dhe lojën në shërbim të ekipit.

Në Milan, ai u bashkua me një tjetër gjeni holandez, Marco van Basten. Mes tyre u krijua një lidhje e jashtëzakonshme.

Gullit e shpjegonte rolin e tij në mënyrë shumë të thjeshtë: “Kisha një lidhje të jashtëzakonshme me Marcon në fushë. Shikoni ndeshjen kundër Anglisë dhe do të shihni se vazhdimisht po e kërkoj atë. Unë isha i dobët, ai ishte i fortë dhe unë luaja për të”.

Në Kampionatin Evropian të vitit 1988, Holanda kaloi Anglinë, Irlandën dhe Gjermaninë Perëndimore për të arritur në finale. Atje e priste Bashkimi Sovjetik.

Gullit shënoi me kokë për ta hapur finalen, pas një asistimi të Van Bastenit. Më pas Van Basten shënoi një prej golave më të famshëm në historinë e futbollit evropian.

Holanda fitoi 2-0 dhe Gullit, si kapiten, u bë holandezi i parë që ngriti një trofe të madh ndërkombëtar.

Në sezonin pasues, te Milani u bashkua edhe Frank Rijkaard, duke krijuar treshen e famshme holandeze Gullit–Van Basten–Rijkaard.

Gullit kishte luajtur me Rijkaardin që në ekipet e të rinjve dhe të dy kishin lidhje të forta me njëri-tjetrin. Sipas Gullitit, Rijkaard ishte pjesa që i mungonte Milanit.

Dhe me të tre në ekip, Milani do të pushtonte Evropën. Në gjysmëfinale të Kupës së Evropës, Milani barazoi 1-1 me Real Madridin në Spanjë. Në ndeshjen e kthimit, italianët bënë një nga paraqitjet më të jashtëzakonshme në historinë e klubit: 5-0 ndaj Real Madridit. Gullit shënoi një nga golat dhe asistoi për Van Bastenin.

Në finale ndaj Steaua Bukureshtit, në Camp Nou, ai ishte përsëri protagonist. Shënoi golin e parë dhe më pas realizoi edhe të tretin, ndërsa Milani fitoi 4-0 dhe u shpall kampion i Evropës.

Dëmtimi që ndryshoi gjithçka

Por karriera e Gullitit nuk do të vazhdonte në të njëjtën mënyrë. Një dëmtim i rëndë e mbajti pothuajse jashtë të gjithë sezonit pasues. Ai luajti vetëm dy ndeshje në Serie A dhe një në Kupën e Evropës – finalen.

Pas kthimit, Gulliti nuk ishte më i njëjti lojtar. “Pas dëmtimit, nuk isha më Ruud Gulliti që isha më parë. M’u desh ta përshtatja mënyrën time të lojës”, pranoi ai.

Ai vazhdoi të fitonte trofe me Milanin, por roli i tij gradualisht u zvogëlua. Në huazim te Sampdoria, megjithatë, tregoi se klasi ende ishte aty. Shënoi 15 gola dhe ndihmoi skuadrën të përfundonte në vendin e katërt. Në vitin 1995, Gullit u transferua te Chelsea.

Edhe atje historia u përsërit. Fillimisht luante në mbrojtje, por natyra e tij ofensive nuk mund të mbahej prapa. Ai dilte përpara, kontrollonte topin, krijonte raste dhe kërkonte të ndikonte në lojë.

Trajneri Glenn Hoddle përfundimisht i tha se do të ishte më mirë ta përdorte në mesfushë. Në Londër, Gullit nuk ishte më ai dominuesi i Milanit, por ende ishte një lojtar i klasit botëror. Më vonë u bë edhe trajner-lojtar i Chelseat, duke e udhëhequr klubin drejt një trofeu të FA Cup.

Ai e fitoi trofeun në sezonin e tij të parë si trajner, por aventura e tij në bankinë nuk do të ishte aq e suksesshme sa karriera si futbollist.

Më pas drejtoi edhe Newcastle United, ku arriti në finalen e FA Cup, përpara se të kishte aventura të shkurtra si trajner te Feyenoordi, LA Galaxy dhe Terek Grozny.

Por në fund, ajo që mbeti ishte karriera e një futbollisti që nuk mund të futej në një kallëp.

Ruud Gullit ishte mbrojtës që u bë sulmues, mesfushor që mund të luante si libero, kapiten që fitoi Evropianin, yll që fitoi Topin e Artë dhe lider i një Milani që pushtoi Evropën. Ndoshta kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të përcaktohet pozita e tij më e mirë. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com


telegrafi sport app