Zhegrova në telashe të mëdha, Juventusi mund ta sakrifikojë atë për një ish-lojtar të Interit

Edon Zhegrova mund të marrë një tjetër goditje te Juventusi, pasi përjashtimi nga lista për ndeshjet e Ligës së Evropës mund të mos jetë problemi i vetëm për yllin kosovar.
Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për fazën e ligës së Ligës së Evropës, në një tjetër sinjal se anësori kosovar aktualisht nuk është në planet kryesore të trajnerit Luciano Spalletti.
Tani, sipas raportimeve në Itali, ekziston mundësia që 27-vjeçari të mbetet jashtë edhe nga lista e Juventusit për Serie A, nëse klubi vendos të shfrytëzojë një prej vendeve të kufizuara për lojtarët e formuar jashtë Italisë.
Situata është komplikuar pas lëndimit të kapitenit Manuel Locatelli, i cili pritet të mungojë për një periudhë të gjatë. Juventusi po shqyrton mundësinë e afrimit të një lojtari të lirë për ta zëvendësuar atë, ndërsa një prej emrave të përmendur është ish-mesfushori i Interit, Marcelo Brozovic.

Por këtu qëndron problemi.
Brozovic, si lojtar i formuar jashtë Italisë, nuk mund të regjistrohet në Serie A pa u liruar një vend për një tjetër futbollist me të njëjtin status. Juventusi tashmë i ka shfrytëzuar vendet në dispozicion dhe më herët ka lënë jashtë listës së kampionatit edhe Khephren Thuram dhe Arkadiusz Milik.
Sipas Gazzetta dello Sport, nëse Juventusi dëshiron të afrojë një lojtar si Brozovic, nuk mjafton të heqë një lojtar italian nga lista. Duhet të lirohet një vend i zënë nga një futbollist i formuar jashtë Italisë.
Në këtë skenar, emri i Edon Zhegrovës është përmendur si një prej kandidatëve për t'u larguar nga lista.
Kjo do të ishte një tjetër goditje për kosovarin, i cili tashmë është lënë jashtë Ligës së Evropës dhe deri tani ka pasur shumë pak hapësirë në kampionat.
Në ndeshjen hapëse ndaj Frosinones, Zhegrova luajti 21 minuta, ndërsa ndaj Parmës nuk u aktivizua fare. Në derbin e fundit ndaj Milanit, ai u inkuadrua vetëm për dy minuta. Juventusi e konfirmoi hyrjen e tij në minutën e 89-të në atë takim.
Megjithatë, largimi i Zhegrovës nga lista e Serie A nuk është ende vendim i marrë. Situata lidhet me mënyrën se si Juventusi do ta menaxhojë listën dhe nëse do të vendosë realisht të afrojë një mesfushor të huaj si Brozovic./Telegrafi/











































