Serbë nga fronti në Ukrainë me mesazhe kërcënuese për Kosovën, përmendet edhe Daut Haradinaj

Disa persona që thonë se janë serbë dhe se po luftojnë në anën e Rusisë në Ukrainë janë shfaqur në disa video-incizime duke dërguar mesazhe kërcënuese për Kosovën dhe duke paralajmëruar se “së shpejti” do të vijnë nga fronti.
Videot janë shpërndarë nga Bojan Kalakoviq, ndërsa në njërën prej tyre përmendet edhe Daut Haradinaj (David) nofka që e ka pasur në luftë gjatë vitit 1998-99.
Në pamjet e publikuara shihen disa persona, ndërsa njëri prej tyre flet para kamerës dhe një tjetër prezantohet si rus.
Ata thonë se ndodhen në një zonë lufte.
“Po përgatitemi për Kosovën e shenjtë, të shohim çfarë do të ndodhë kur të vijmë atje nga ky front. Siç thonë, gjithçka do të jetë Rusi, vetëm Kosova Serbi. Na prisni, së shpejti po vijmë dhe atëherë do të shohim kush jeni ju e kush jemi ne”, dëgjohet duke thënë njëri prej tyre.
Në video u dërgohen përshëndetje serbëve në Serbi, Republikën Srpska dhe Kosovë, si dhe atyre që, sipas tyre, i mbështesin luftëtarët serbë që ndodhen në anën ruse.
“Besoni, nuk do të zgjasni edhe shumë ju që ruani bizneset tuaja të vogla, që e mbështesni atë Vuçiq dhe atë bandë që po e shkatërron edhe Serbinë, edhe popullin serb. Tradhtar më të madh nuk kemi pasur”, deklaron ai.
Në fund të një prej incizimeve dëgjohet edhe thirrja: “Serbia dhe Rusia, vëllezër përgjithmonë”.
Në videot e shpërndara përmendet edhe Daut Haradinaj, megjithatë nga materialet e siguruara nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur identiteti i të gjithë personave që shfaqen, vendndodhja e tyre, koha e regjistrimit apo nëse ata janë realisht pjesëtarë të forcave që luftojnë në Ukrainë./Telegrafi/



































