“Pas 17 vjetësh martesë zbulova tradhtinë – tani kam frikë të dua përsëri”

Pas një lidhjeje 26-vjeçare dhe një tradhtie të fshehur për një kohë të gjatë, ajo nisi jetën nga e para. Sot ka një partner të ri, por frika se historia mund të përsëritet po e shtyn të mendojë edhe për ndarjen
Për 26 vjet isha në një marrëdhënie. Prej tyre, 17 vjet ishim të martuar. Pastaj zbulova se bashkëshorti im kishte një lidhje tjetër.
Nuk ishte diçka kalimtare. Tradhtia kishte zgjatur dhe ishte mbajtur e fshehtë. Përballë dyshimeve, ajo ishte mohuar derisa e vërteta më në fund doli në dritë.
Martesa përfundoi, por as divorci nuk solli menjëherë shkëputjen që më duhej. Për shkak të rrethanave, vazhduam të jetonim nën të njëjtën çati edhe për dy vjet të tjera.
Më në fund mbeta vetëm
Pas largimit nga ajo jetë, kalova rreth një vit në shtëpinë time të re, së bashku me djemtë e mi tashmë të rritur.
Ishte një periudhë pa një lidhje të re. Pas kaq shumë vitesh martesë dhe pas asaj që kishte ndodhur, duhej të mësohesha me një realitet tjetër.
Pastaj njoha dikë.
Sot kemi pak më shumë se një vit bashkë. Duhej të ishte një fillim i ri, ndoshta dëshmia se pas një tradhtie të madhe mund të ekzistojë përsëri afërsia.
Por pikërisht tani ka filluar frika, transmeton Telegrafi.

Kam frikë se do të ndodhë përsëri
Partneri im është nëntë vjet më i ri se unë dhe punojmë së bashku në një ambient ku shumica e kolegëve janë gra.
Kur e shoh duke vështruar një grua tjetër, brenda meje ndizet menjëherë alarmi. Mendimet shkojnë te ajo që kam përjetuar më parë.
Ndonjëherë dëshira ime e parë është ta përfundoj lidhjen.
Jo sepse kam zbuluar se më ka tradhtuar. Jo sepse kam prova se po ndodh diçka. Por sepse më duket sikur, nëse largohem e para, mund ta shmang dhimbjen që kam frikë se do të vijë.
Pastaj pyes veten nëse po e shkatërroj me duart e mia diçka që mund të jetë e mirë.
Si mund t’i besoj përsëri dikujt, kur një herë besimi im është thyer kaq rëndë?
A na mbron vërtet largimi?
Duke iu përgjigjur kësaj historie në The Guardian, kolumnistja Eleanor Gordon-Smith ndalet pikërisht te kjo dilemë: pas një tradhtie të madhe është e kuptueshme që njeriu përpiqet të mbrohet nga një dhimbje e dytë.
Por izolimi dhe tërheqja nuk janë domosdoshmërisht siguri.
Nëse frika na shtyn të dyshojmë vazhdimisht, të kontrollojmë sjelljen e partnerit ose të tërhiqemi sa herë ndihemi të rrezikuar, mund të humbasim edhe marrëdhënie që nuk kanë lidhje me atë që na ka ndodhur në të kaluarën.
Në këtë rast, gruaja nuk gjendet përballë një zgjedhjeje të thjeshtë mes “rrezikut” dhe “sigurisë”. Edhe largimi ka një çmim: mundësinë për të humbur një marrëdhënie të mirë vetëm për të garantuar se nuk do të përjetojë përsëri një marrëdhënie të keqe.
Dhe ekziston edhe një e vërtetë tjetër që tradhtia nuk mund t’ia marrë: ajo e ka përjetuar një herë atë që mendonte se nuk do ta përballonte dot – dhe megjithatë ka vazhduar jetën.
Tani sfida është tjetër: të mos lejojë që njeriu që e tradhtoi dikur të vazhdojë, përmes frikës, të vendosë edhe për dashurinë që ajo mund të jetojë sot. /Telegrafi/









































