Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar është vënë nën presion pasi gazeta sllovene Dnevnik dhe agjencia austriake e lajmeve APA publikuan detaje mbi udhëtimet e saj private në Rusi dhe zbuluan se shoqja e saj e ngushtë prej shumë vitesh, Viktorija Krivolucka, kishte qenë për vite në një lidhje me ish-zyrtarin e rangut të lartë të inteligjencës sllovene, Roman Jegliq.

Historia ka tërhequr vëmendjen edhe të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), e cila pyet se çfarë bënte Pirc Musar kaq shpesh në Rusi.


Ndërkohë, shërbimi slloven i inteligjencës SOVA njoftoi se gjatë verifikimit të sigurisë së Krivoluckës në vitin 2016 nuk kishte konstatuar asnjë rrethanë me rëndësi për sigurinë, transmeton index.hr.

Udhëtuan së bashku shtatë herë në Rusi

Sipas të dhënave të analizuara nga Dnevnik dhe APA, Pirc Musar, që nga viti 2015, është regjistruar të paktën shtatë herë në listat e udhëtarëve së bashku me Krivoluckën, shtetase ruso-sllovene, të cilën ajo e përshkruan si shoqen e saj më të mirë prej gati 20 vitesh.

Vëmendje të veçantë ka tërhequr udhëtimi në periudhën e ndërrimit të viteve 2021–2022. Sipas të dhënave të publikuara nga FAZ, Pirc Musar qëndroi në Rusi nga 26 dhjetori 2021 deri më 7 janar 2022, më pak se dy muaj para se Rusia të niste pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt.

Udhëtimi ishte privat dhe në atë kohë Pirc Musar ende nuk kishte hyrë zyrtarisht në garën presidenciale.

Zyra e presidentes konfirmoi se Pirc Musar kishte udhëtuar disa herë në Rusi para se të merrte detyrën, por hedh poshtë përpjekjet për t’u dhënë këtyre udhëtimeve një karakter tjetër. Ata deklarojnë se, para mandatit presidencial, ajo kishte vizituar më shumë se 80 shtete dhe se në Rusi kishte udhëtuar gjithmonë privatisht, si turiste, me familjen ose miqtë.

Krivolucka: Jegliq dhe unë kemi qenë çift

Hulumtimi i Dnevnik dhe APA zbuloi se Krivolucka dhe Roman Jegliq në vitin 2009 figuronin të regjistruar në të njëjtën adresë në Krasnojarsk të Siberisë. Në fillim të viteve 1990, Jegliq ishte zëvendësdrejtor i Shërbimit të atëhershëm Slloven të Sigurisë dhe Informacionit, paraardhës i SOVA-s së sotme. (Dnevnik)

Pas publikimit të historisë, zyra e presidentes konfirmoi se Pirc Musar e dinte që Krivolucka dhe Jeglič kishin qenë çift. Më pas, Krivolucka konfirmoi për emisionin 24ur zvečer se ata kishin qenë në një lidhje për disa vite, ndërsa të dy punonin për përfaqësinë e kompanive sllovene në Krasnojarsk dhe se për një periudhë kishin jetuar së bashku atje, shkruan gazeta sllovene Siol.

Krivolucka pretendon se në atë kohë nuk dinte asgjë për të kaluarën e Jegliqit në shërbimet e inteligjencës dhe se prej të paktën 15 vitesh nuk ka pasur asnjë kontakt me të. Ajo hodhi poshtë gjithashtu çdo lidhje me shërbime të huaja të inteligjencës.