Pacolli: Deponia ilegale në Zveçan do të mbyllet dhe zona do të rehabilitohet

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se deponia ilegale e mbeturinave në Zveçan do të mbyllet dhe zona do të pastrohet e rehabilitohet.
Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se lufta ndaj deponive ilegale të mbeturinave po vazhdon në të gjithë Kosovën.
“Beteja ndaj deponive ilegale të mbeturinave vazhdon në çdo cep të Kosovës!”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka paralajmëruar se djegiet e shpeshta dhe grumbullimi i pakontrolluar i mbeturinave në këto deponi paraqesin burim të vazhdueshëm të ndotjes dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Pacolli ka bërë të ditur se së bashku me kryeshefin e KMDK-së, Dardan Velija, ka vizituar deponinë ilegale në Zveçan, për të cilën ka thënë se ndër vite është përballur me djegie të përsëritura.
“Sot, bashkë me kryeshefin e KMDK-së, Dardan Velija, ishim në Zveçan, në deponinë ilegale e cila ndër vite është përballur me djegie të përsëritura dhe është shndërruar në një burim serioz të ndotjes dhe rrezikut për shëndetin e banorëve”, ka deklaruar ajo.
Sipas Pacollit, shqetësimet për gjendjen e deponisë janë ngritur vazhdimisht nga banorët e zonës dhe shoqëria civile nga komuniteti serb.
“Banorët e kësaj ane dhe shoqëria civile nga komuniteti serb e kanë ngritur vazhdimisht këtë shqetësim dhe kanë kërkuar ndërhyrje institucionale”, ka shkruar ministrja.
Ajo ka theksuar se institucionet do të ndërhyjnë për eliminimin e problemit.
“Kjo situatë nuk do të vazhdojë më. Deponia do të mbyllet, ndërsa zona do të pastrohet dhe rehabilitohet, në mënyrë që banorët të kenë një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm”, ka përfunduar Pacolli. /Telegrafi/




































