KFOR: Për shkak të rrethanave të paparashikuara, nuk mbahet takimi Kurti-Ulutash

Takimi i planifikuar sot ndërmjet komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutas, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk është zhvilluar për shkak të rrethanave të paparashikuara.
Njoftimin e ka bërë të ditur për media vet KFOR-i përmes një komunikate.
“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i sotëm midis komandantit të KFOR-it, gjeneraljamorit Ulutash dhe z. Kurtit nuk u zhvillua. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.
“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore", tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.
Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si "absurde" që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur.
"Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti./Telegrafi/





































