I njohur nga miqtë dhe komuniteti me nofkën “Milton”, Luis Miguel ishte zhvendosur në Nicë që në moshën 11-vjeçare. Ai kishte ndjekur shkollën Vernier dhe më pas ishte vendosur në lagjen Gambetta, ku me kalimin e viteve ishte bërë një figurë e njohur dhe e dashur për të rinjtë e zonës.

Për njerëzit që e njihnin prej vitesh, Mendes nuk ishte thjesht një 20-vjeçar që jetonte në lagje. Ai përshkruhet si një djalë që përpiqej të shmangte përplasjet dhe të qetësonte situatat e tensionuara.


“Miltoni i ri ishte shumë i dashur dhe shumë i respektuar në lagje. Ai kishte një rol si ndërmjetës. Gjithmonë përpiqej të qetësonte konfliktet”, ka treguar për “Nice-Matin” Christophe Tassano, drejtor i përgjithshëm i shoqatës La Semeuse.

Mendes kishte qenë prej vitesh pjesë e aktiviteteve të organizuara nga kjo shoqatë, duke frekuentuar qendrën sociale “La Ruche”, ku mblidheshin adoleshentë dhe të rinj.

Pikërisht për këtë arsye, lajmi për vrasjen e tij në Shqipëri ka tronditur komunitetin ku ai ishte rritur.

Sipas “Nice-Matin”, udhëtimi drejt Shqipërisë nuk ishte pjesë e planit fillestar të Mendes dhe miqve të tij.

Të rinjtë kishin planifikuar të udhëtonin drejt Spanjës më 26 gusht, në kuadër të programit “Sac à dos”, të organizuar nga fondi i ndihmave familjare. Për shkak të vonesave në organizimin e udhëtimit, grupi vendosi të udhëtonte me shpenzimet e veta drejt Shqipërisë, ndërsa plani për Spanjën do të vijonte më pas.

Sipas Tassano, edukatorët e kishin këshilluar grupin që të mos udhëtonte drejt Shqipërisë, por të rinjtë kishin vendosur të vazhdonin me planin e tyre.

Pushimet, megjithatë, do të ktheheshin në një tragjedi për familjen dhe miqtë e 20-vjeçarit.

Dhimbja është rënduar edhe më shumë nga vështirësitë me të cilat familja Mendes po përballej para tragjedisë.

Apartamenti i familjes ishte dëmtuar së fundmi nga një zjarr, duke bërë që prindërit e 20-vjeçarit të strehoheshin në një hotel në lagjen Saint-Charles të Nicës.

Pas lajmit për vrasjen, strukturat sociale të qytetit janë mobilizuar për t’u qëndruar pranë familjarëve dhe miqve të viktimës.

Shoqata La Semeuse ka ofruar mbështetje, ndërsa edhe Metropoli Nice Côte d’Azur është vënë në dijeni të situatës. Ekipet e parandalimit kanë shtuar praninë në zonat ku jetonte i riu dhe kanë mbajtur kontakte me të rinjtë, përfshirë edhe miqtë që ndodheshin me të në Shqipëri.

Përveç dhimbjes, familja po përballet edhe me kostot e riatdhesimit të trupit të 20-vjeçarit, si dhe me shpenzimet që lidhen me procedurat ligjore në Shqipëri.

Familjarët pritet të kenë nevojë edhe për asistencën e një avokati në Shqipëri për ndjekjen e çështjes penale.

Për këtë arsye është hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve. Sipas “Nice-Matin”, deri të premten ishin mbledhur më shumë se 6,300 euro.

Në mbështetje të familjes është angazhuar edhe shoqata Dix Étoiles, e cila është aktive në komunitetin e Kepit të Gjelbër në Nicë.