IPKO vazhdon edhe këtë vit partneritetin shumëvjeçar me DokuFest, duke mbështetur si Sponsor i Artë një nga festivalet më të rëndësishme të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropën Juglindore.

Përtej rolit si Sponsor i Artë, IPKO kontribuon edhe me atë që di të bëjë më së miri, ofrimin e infrastrukturës së avancuar të telekomunikimit. Me internet me shpejtësi të lartë dhe kapacitete të përforcuara të rrjetit mobil në të gjitha kinematë, hapësirat e projeksioneve dhe lokacionet e festivalit, IPKO siguron lidhje të qëndrueshme për mijëra vizitorë gjatë gjithë DokuFest.


Si pjesë e partneritetit, IPKO do të ndajë edhe këtë vit çmimin Best Balkan Feature Dox, një nga çmimet kryesore të DokuFest, në ceremoninë përmbyllëse më 15 gusht. Çmimi do të prezantohet nga Drejtorja e Komunikimit Korporativ në IPKO, Afrika Zyferi, duke vazhduar traditën e mbështetjes së krijimtarisë filmike dhe promovimit të autorëve nga rajoni.

"Çdo lidhje e fortë fillon me krijimin e mundësive. Kjo është arsyeja pse vazhdojmë të mbështesim DokuFest, duke investuar njëkohësisht në art, kulturë, edukim dhe kreativitetin e brezave të rinj. Përmes këtij bashkëpunimi kontribuojmë që festivali të ofrojë një përvojë të shkëlqyer për mijëra vizitorë, ndërsa përmes DokuKids krijojmë hapësira ku fëmijët mund të mësojnë, të eksperimentojnë dhe të zhvillojnë potencialin e tyre krijues," tha Afrika Zyferi, Drejtore e Komunikimit Korporativ në IPKO.

DokuKids, ku lindin krijuesit e së ardhmes

Përveç mbështetjes së festivalit, IPKO vazhdon të investojë në edukimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja përmes programit DokuKids.

Në partneritet me Telegrafin dhe BONEVET, IPKO organizon dy punëtori interaktive që ndërthurin teknologjinë, kreativitetin dhe mësimin përmes përvojës.

Më 8 gusht, në bashkëpunim me BONEVET, do të organizohet punëtoria “Qyteti i së Ardhmes”, ku pjesëmarrësit do të eksplorojnë energjinë diellore, energjinë e erës dhe hidrogjenin përmes eksperimenteve dhe aktiviteteve praktike. Duke ndërtuar modele të një qyteti të qëndrueshëm, ata do të zhvillojnë kreativitetin, mendimin kritik, aftësitë inxhinierike dhe bashkëpunimin.

Më 9 dhe 10 gusht, në kuadër të punëtorisë “NextGen Filmmakers”, fëmijët e moshës 8–12 vjeç do të mësojnë procesin e plotë të krijimit të një filmi dokumentar, nga zhvillimi i idesë dhe skenarit, te xhirimi me telefona inteligjentë dhe kamera profesionale, deri te montazhi. Përmes kësaj përvoje praktike, ata do të zhvillojnë aftësi krijuese, teknike dhe të punës në ekip.

Me partneritetin e saj shumëvjeçar me DokuFest, IPKO vazhdon të mbështesë një festival që e ka vendosur Kosovën në hartën ndërkombëtare të kulturës dhe filmit, duke kontribuar në zhvillimin e komunitetit përmes teknologjisë, edukimit dhe artit.

IPKO është ofruesi kryesor i shërbimeve të telefonisë mobile, internetit, televizionit digjital dhe shërbimeve ICT në Kosovë. Ne synojmë të përmirësojmë jetët e klientëve tanë përmes inovacionit dhe përkushtimit ndaj kulturës dhe shoqërisë. Për më shumë informacion rreth shërbimeve të IPKO-s, vizitoni www.ipko.com.