Operacion i përbashkët ndërkombëtar në pesë qytete, arrestohen 5 të dyshuar


Pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “White Star”, i zhvilluar në disa lokacione të Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Operacioni është zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën mbikëqyrjen e institucioneve të drejtësisë dhe me urdhër të gjykatës kompetente.
“Operacioni policor është realizuar në disa lokacione nën monitorimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave.
Sipas autoriteteve, ata dyshohen për “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”.
Gjatë aksionit janë sekuestruar prova dhe pasuri të ndryshme, përfshirë armë, drogë, para të gatshme, automjete dhe pajisje elektronike.
Në njoftim thuhet se janë gjetur “6 armë; 239 fishekë; 25 telefona; 10 automjete dhe 1 motoçikletë; 7,595 euro para të gatshme; si dhe pajisje të ndryshme elektronike”.
Operacioni është mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë EUROPOL, si dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës.
“Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i, autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës”, thuhet në njoftim, ku theksohet se veprimet janë monitoruar edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në terren.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë me veprime të koordinuara për luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit. /Telegrafi/




































