Dy persona kanë rrezikuar të mbyteshin në det në plazhin e Velipojës, por janë shpëtuar në kohë falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë Kufitare.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër ka intensifikuar monitorimin e zonave bregdetare përmes dronëve dhe mjeteve lundruese, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror.


Gjatë monitorimit të vijës bregdetare, punonjësit e Policisë kanë konstatuar dy shtetas që ndodheshin në rrezik për t'u mbytur në det.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndërhyrë menjëherë me mjete lundruese Jet Ski, duke bërë të mundur nxjerrjen në breg të dy personave.

Bëhet fjalë për M. P., 67 vjeç, banues në Burrel, dhe Z. N., 41 vjeç, banues në Velipojë.

Pas ndërhyrjes së shpejtë, të dy shtetasit janë nxjerrë nga situata e rrezikshme.

Policia Kufitare vijon monitorimin intensiv të vijës bregdetare dhe thotë se është në gatishmëri të plotë për t'u ardhur në ndihmë pushuesve dhe për të garantuar sigurinë e tyre. /Telegrafi/