Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike dhe tensioneve në Kuvendin e Kosovës.

Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka kritikuar veprimet e opozitës, duke thënë se, sipas saj, mungon një bashkërendim mes veprimit politik dhe kauzës.


“Veprimi politik dhe kauza duhet të kenë bashkërendim logjik. Por kur njëra kundërshton tjetrën, e kupton se nuk ka kauzë dhe se veprimi politik bëhet kaotik, i udhëhequr nga mllefi, emocioni dhe gjuha vullgare, që dëshmojnë instinktin e pakontrolluar dhe mungesën e një qëllimi të qartë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se kjo, sipas saj, është dëshmuar nga opozita gjatë dy ditëve të fundit.

“Mbrëmë, dy parti opozitare e refuzuan disa herë ftesën për takim nga Kryeministri Kurti, ndërsa tjetra kërkon shumë më tepër sesa ua besuan votuesit e këtij vendi, por njëkohësisht kërkon me ngulm konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Sipas saj, situata u përshkallëzua edhe më tej gjatë seancës së sotme, kur deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.

“Ndërsa sot, edhe përmes veprimit politik të një deputeteje, e cila, siç u dëgjua, nuk e kishte informuar as grupin e saj parlamentar, u kalua në sulm fizik ndaj Kryeministrit me vezë. Ishte një moment surreal, që dëshmoi se nervoza kishte kaluar përtej kontrollit dhe logjikës së veprimit politik”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka thënë se nuk ka koment shtesë për veprimin e deputetes, por ka bërë thirrje për qetësi dhe për angazhim në funksionalizimin e institucioneve.

“Nuk kam çfarë të shtoj për veprimin e deputetes, përveçse të uroj që të jetë qetësuar pas atij momenti dhe që, bashkë me grupin e saj parlamentar, të arrijnë të kuptojnë se me praninë dhe votimin e tyre për konstituimin e institucioneve mund të kontribuojnë shumë më dobishëm për vendin sesa me veprime të tilla”, ka thënë ajo.

Në fund, Kusari-Lila ka theksuar se dialogu ndërmjet liderëve politikë mbetet, sipas saj, mënyra kryesore për tejkalimin e krizës institucionale.

“Dialogu dhe takimet mes liderëve politikë mbeten mekanizmi i vetëm serioz për çbllokimin e kësaj situate. Çfarëdo paralele me të kaluarën, justifikim i situatës apo përpjekje për ta bartur përgjegjësinë te të tjerët nuk e ndryshon faktin themelor: vendi ka nevojë për institucione funksionale, ndërsa kjo arrihet përmes dialogut, kompromisit dhe votës në Kuvend, jo përmes refuzimit të takimeve, kushtëzimeve të njëanshme dhe veprimeve që degradojnë debatin politik”, ka përfunduar Kusari-Lila. /Telegrafi/