Gabimi që bëjnë shumë biznese në fillim, Marmullaku: Duhet ta njohësh tregun

Flandra Marmullaku, CEO dhe bashkëthemeluese e Data4x, ka folur në podcastin “Rrugëtimi” për gabimet që bëjnë shpesh bizneset e reja në fillimet e tyre, duke theksuar rëndësinë e analizës së tregut dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.
E pyetur se cili është gabimi fillestar që bëjnë të rinjtë kur hapin një biznes, Marmullaku tha se shpesh ekziston bindja se para nisjes duhet të dish gjithçka, ose se tashmë i di të gjitha.
“Një prej gabime mundën me ndodhë për shkak që unë po e përmendi kohën e fundit në vazhdimësi që unë gjatë rrugëtimit ndoshta e kam mendu që duhesh me ditë gjithçka para se me fillu biznesin, ose mendon që i dinë të gjitha. Kur fillon e sheh që nuk dil edhe është pjesë e procesit”, tha Marmullaku.
Sipas saj, për të hyrë në një treg të ri apo për të nisur një produkt, është e rëndësishme që fillimisht të bëhet një analizë e tregut.
“Normalisht për me investu në diçka për me hy në një treg, për me fillu me një produkt ose çfarëdo qoftë është mirë me bo një studim të paktën tregut, gjë që ne jemi tu avoku dhe cilën jemi duke e bërë për biznese, edhe ata që dojnë me hy në tregjet e reja, edhe ata që dojnë me fillu nga fillimi, ose që dojnë me u rritë”, deklaroi ajo.
Marmullaku theksoi se bizneset duhet ta kuptojnë mirë tregun në të cilin synojnë të operojnë, por edhe dallimin që produkti apo shërbimi i tyre e sjell në krahasim me alternativat ekzistuese.
“Duhesh me e njoh tregun në të cilin ti po don me me operu, duhesh me e ditë se çka është qaj dallimi që produkte ose shërbimi yt po e ofron, qashtu ajo vlera që po e sjell, se normalisht gjithmonë ka me pasë shumë zgjidhje, shumë alternativa, shumë produkte, shumë shërbime po çka është diferenca që ti po e bën me produktin tënd dhe a e njeh tregun mirë?”, u shpreh ajo.
Sipas Marmullakut, vendimmarrja e bazuar në të dhëna është një nga elementet kryesore që mund t’ia rrisë një biznesi shanset për sukses.
“Thotë me u bazu në të dhëna për tregun tënd, për sektorin në të cilin ti ke me performu është shumë e rëndësishme përndryshe ë ka biznese që fillojnë për arsye të ndryshme, munden edhe mos me vazhdu”, tha ajo.
Ajo shtoi se dështimi i bizneseve nuk është fenomen vetëm në Kosovë, por ndodh në çdo vend, megjithatë një analizë e mirë e tregut mund ta ulë rrezikun e dështimit.
“Kjo ndodh në çdo vend, jo vetëm te ne, por besoj që kur e ke një analizë të mirë të tregut është një prej shanseve më të vogla për me dështu. Thotë analiza e tregut dhe edhe vendimmarrja e bazume në të dhëna është çelësi kryesor që me ta garantu njëfarë suksesi, sepse e njeh tregun shumë mirë”, theksoi Marmullaku. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com




































