Përplasja e madhe në FIFA: Kush po kërkon kokën e Infantinos dhe kush po e mbron?

Kriza rreth FIFA-s dhe presidentit Gianni Infantino po thellohet, pasi federatat kombëtare janë ndarë në dy kampe: disa kërkojnë largimin e tij, ndërsa të tjera vazhdojnë ta mbështesin.
Në qendër të përplasjes është FIFA Forward Enterprise (FFE), struktura e re komerciale ku FIFA kishte planifikuar të lejonte investitorë privatë të merrnin pjesë në pronësi. Projekti, i cili sipas FIFA-s mund të gjeneronte deri në 4.2 miliardë dollarë, shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit.
Pas kritikave, FIFA e tërhoqi propozimin dhe kërkoi falje për mënyrën se si u menaxhua situata. Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur presionin ndaj Infantinos.
UEFA dhe disa prej federatave të saj anëtare kanë dalë kundër presidentit të FIFA-s. Uellsi, Finlanda, Suedia, Anglia, Jordania, Shqipëria dhe Norvegjia kanë tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e tij.

Norvegjia ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar publikisht dorëheqjen e Infantinos.
“Besimi tashmë është humbur dhe FIFA ka nevojë për udhëheqje të re. Besojmë se koha e Gianni Infantinos si president i FIFA-s duhet të përfundojë dhe po i kërkojmë të japë dorëheqjen”, deklaroi presidentja e federatës norvegjeze, Lise Klaveness.
Por Infantino nuk është i vetëm. Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) e ka rikonfirmuar unanimisht mbështetjen për të, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e futbollit afrikan.
Në krah të presidentit të FIFA-s janë pozicionuar edhe Meksika, Paraguai dhe Argjentina. Federata meksikane ka shprehur mbështetjen për udhëheqjen e Infantinos, ndërsa Argjentina e ka vlerësuar punën e tij që nga zgjedhja në vitin 2016 dhe faktin që ai pranoi gabimet e bëra në lidhje me propozimin kontrovers.
Kështu, përplasja rreth Infantinos po shndërrohet në një ndarje të madhe brenda futbollit botëror, me UEFA-n dhe disa federata që kërkojnë ndryshim të lidershipit, ndërsa CAF dhe disa prej federatave të tjera vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë./Telegrafi/











































