Al-Ahli shfaq interesim serioz për transferimin e yllit të Barcelonës

Klubi saudit Al-Ahli ka shfaqur interesim serioz për transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Marc Casado, raporton eksperti i afatit kalimtar, Matteo Moretto.
Mesfushori 22-vjeçar pritet të largohet nga Barcelona gjatë këtij afati kalimtar veror, pasi gjatë sezonit të fundit nuk arriti të siguronte një rol të rëndësishëm në planet e trajnerit Hansi Flick.
Casado ka mbetur kryesisht në rolin e një alternative nga banka rezervë, duke e bërë gjithnjë e më të mundshëm largimin e tij nga “Camp Nou”.
Sipas raportimeve, Casado nuk e përjashton mundësinë e transferimit në Arabinë Saudite, por para se të marrë një vendim përfundimtar dëshiron t’i shqyrtojë me kujdes të gjitha ofertat që do t’i vijnë.

Al-Ahli tashmë ka shfaqur interesim konkret dhe mund të jetë një prej destinacioneve më serioze për mesfushorin spanjoll.
Barcelona, ndërkohë, është e hapur për largimin e tij. Situata e Casados pritet të bëhet edhe më e komplikuar nëse Barça arrin ta transferojë Rodrin, pasi ardhja e yllit të Manchester Cityt do ta rriste ndjeshëm konkurrencën në mesfushën qendrore.
Në këto rrethana, drejtuesit katalanas mund ta shohin shitjen e Casados si një mundësi për të krijuar hapësirë në skuadër dhe për të arkëtuar një shumë të konsiderueshme nga largimi i tij./Telegrafi/










































