LAJMI I FUNDIT:

Gjysma e vendeve anëtare kundërshtojnë idetë e Macronit rreth ndryshime drastike në BE

Gjysma e vendeve anëtare kundërshtojnë idetë e Macronit rreth ndryshime drastike në BE

Një grup prej 13 shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian, nuk e mbështesin amendamentin e propozuar të Traktatit të BE-së, një nga konkluzionet e Konferencës për Ardhmërinë e Evropës, të mbështetur nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Disa nga propozimet e Konferencës për të ardhmen e Evropës, si heqja e “vetos në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, bëjnë thirrje për një ndryshim të Traktatit të BE-së, prandaj Parlamenti Evropian pritet të organizojë një konventë për të diskutuar këto çështje,


“Ndërsa ne nuk përjashtojmë asnjë opsion në këtë fazë, ne nuk mbështesim përpjekjet e pamatura dhe të parakohshme për të filluar procesin e ndryshimit të Traktatit. Kjo do të rrezikonte devijimin e energjisë politike në gjetjen e përgjigjeve rreth kërkesave të qytetarëve tanë dhe nga sfidat gjeopolitike me të cilat po përballet Evropa”, thuhet në non-paper e 13 vendeve anëtare të BE-së.

Macron propozon ndryshime të mëdha në BE - Nga heqja e vetos për vendet anëtare deri në promovimin e bujqësisë organike
Lexo po ashtu Macron propozon ndryshime të mëdha në BE - Nga heqja e vetos për vendet anëtare deri në promovimin e bujqësisë organike

Index.hr raporton se shtetet kundërshtuese janë Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Suedia.

Shtetet nënshkruese besojnë se BE-ja mund të menaxhojë me sukses krizat brenda marrëveshjeve aktuale, siç dëshmohet me luftën kundër COVID-19 dhe me përgjigjen ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Bashkimi Evropian ka vepruar shpejt duke gjetur dhe zbatuar zgjidhje të përbashkëta dhe efektive. Ne tashmë kemi një Evropë funksionale, nuk kemi nevojë të nxitojmë në reforma institucionale për të arritur rezultate”, thuhet në non-paper, transmeton Telegrafi.

Non-paper kritikon Parlamentin Evropian, megjithëse nuk e përmend në mënyrë eksplicite, për instrumentalizimin e Konferencës për të Ardhmen e Evropës.

“Idetë e paraqitura në Konferencë meritojnë vëmendjen e duhur. Ato nuk duhet të instrumentalizohen për t’i shërbyer interesave të veçanta institucionale”, thuhet në tekst.

Kujtojmë se Rekomandimet përfshijnë, për shembull, promovimin e bujqësisë organike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër kudo që është e mundur, krijimin e një rrjeti evropian të transportit publik, futjen e standardeve minimale shëndetësore në nivel të BE-së, integrimin e mëtejshëm të një tregu, reduktimin e varësisë nga vendet e treta etj.

Macron: Ukrainës ndoshta do t'i duhen disa dekada për anëtarësim në BE
Lexo po ashtu Macron: Ukrainës ndoshta do t'i duhen disa dekada për anëtarësim në BE

Krahas propozimeve të tilla parimore, kërkesat specifike që devijojnë më shumë nga situata aktuale janë votimi me shumicë të cilësuar për të gjitha çështjet, përveç zgjerimit të BE-së, si dhe mundësia e një referendumi në nivel evropian të thirrur nga Parlamenti Evropian.

AFP thekson se Franca, Italia, Spanja, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu kanë shprehur mbështetje për ndryshimin e marrëveshjes ndërsa 13 shtete janë kundër këtij propozimi.

Ndryshe, nevojitet një shumicë për të nisur një debat mbi këtë çështje në Këshill dhe të gjitha shtetet anëtare duhet të japin pëlqimin e tyre për ndryshimin e Traktatit. /Telegrafi/