LAJMI I FUNDIT:

Një mësim nga historia, për luftën e suksesshme kundër propagandës

Një mësim nga historia, për luftën e suksesshme kundër propagandës
Sefton Delmer gjatë transmetimit të lajmeve që i dedikoheshin popullatës së Gjermanisë naziste (Londër, nëntor 1941)

Nga: David Aaronovitch / The Financial Times (titulli origjinal: How to Win an Information War – a history lesson in effective counter-propaganda)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Si e fiton luftën e informacioni?” – pyet Peter Pomerantsev në hyrjen e librit të tij të ri, përpara se t’i drejtohet pyetjes më aktuale që përfshin edhe përvojën personale: “Çfarë mund të bësh kur ata që do … rrëshqasin nën rërën e gjallë të gënjeshtrave dhe mendërisht lëvizin në një realitet alternativ, aty ku e zeza është e bardhë dhe e bardha është e zezë”?


Fjala kryesore këtu, që më mori goxha kohë për ta kuptuar, është “lufta”. Në luftë bën gjithçka për të mos humbur. Nuk ka të bëjë me vendosjen e vlerave tua më të mira kundër atyre të armikut, por për ta minuar besimin popullor në “të vërtetën” e tyre.

Sot, armikja kryesore e Pomerantsevit është Rusia e Vladimir Putinit, për regjimin kompleks dhe efektiv të propagandës të së cilës studiuesi dhe shkrimtari – i lindur në Ukrainën Sovjetike nga prindërit disidentë – tashmë ka shkruar dy libra: Asgjë nuk është e vërtetë dhe gjithçka është e mundshme [Nothing Is True and Everything Is Possible, 2014] dhe Kjo nuk është propagandë [This Is Not Propaganda, 2019]. Të dy këta libra janë shkruar përpara se Putini të niste luftën e tij të plotë, me bomba dhe me armë, kundër fqinjit të vet evropian.

Si ta fitosh luftën e informacionit [How To Win an Information War] u shkrua në kohën kur rusët, të cilët kontaktohen nga miqtë dhe të afërmit e tyre ukrainas dhe dëgjojnë se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur, zakonisht përgjigjen me mosbesim dhe refuzim. Rusët e zakonshëm janë bërë të paarritshëm nga e vërteta reale. Ndërkohë, në ShBA, deri në 40 për qind e amerikanëve besojnë se zgjedhjet e fundit presidenciale janë “vjedhur” dhe është e mundur që autori i korruptuar i kësaj proze do të jetë sërish president i ShBA-së.

Çfarë ndodh kur liderët e shpërfillin të vërtetën?
Lexo po ashtu Çfarë ndodh kur liderët e shpërfillin të vërtetën?

Pra, kjo është ajo me të cilën përballemi dhe pak pyetje, si kjo që shtron Pomerantsevi, i mbajnë demokratët – konservatorë apo liberalë – zgjuar natën. Është pyetje në të cilën ai përgjigjet duke na sugjeruar që të reflektojmë mbi karrierën e jashtëzakonshme të antipropagandistit më të shquar britanik të kohës së luftës, Sefton Delmer – i cili ishte autoritet i gjithanshëm në luftën e informacionit kundër Gjermanisë naziste.

Si djali i një studiuesi australian që jepte mësim në Universitetin e Berlinit, Delmeri ishte 10 vjeç – në gushtin e vitit 1914 – kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Kudo rreth tij bëheshin festimet për burrërinë gjermane, parashikimet e fitores dhe shprehjet e përbuzjes për armiqtë e Rajhut. Seftoni i ri e pësoi nga mujsharët në shkollë dhe babai i tij u internua.

Edhe si i ri, Delmeri e kuptoi tërheqjen që kanë parullat patriotike dhe nacionaliste, sepse vetë ai e ndjente fuqinë e tyre. Por, derisa lufta vazhdonte, kjo siguri nisi të dobësohej te njerëzit takoi. “Kur më vonë këtë e kujtoja, shumica e këtij entuziazmi [fillestar] ishte artificial”, shkroi më vonë, “dhe vetë u bindën për këtë”.

Në vitin 1917, para përfundimit të luftës, Delmeri dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Angli. Pasi mbaroi shkollimin, shkoi në universitet dhe nga aty nisi të punojë për ditoren ultra-patriotike Daily Express – atëherë gazeta me tirazhin më të madh në botë – të manjatit kontrovers Lord Beaverbrook [William Maxwell Aitken].

Si folës i rrjedhshëm i gjermanishtes, u dërgua në Berlin ku, në shkurt 1929, për herë të parë e dëgjoi Adolf Hitlerin duke mbajtur fjalim për një auditor të gjerë – por, gjysmë të mbushur. Delmeri e kishte të vështirë ta merrte seriozisht.

Më vonë, në atë vit të Shembjes së Uoll-Stritit [Wall Street Crash] dhe krizës që pasoi, Delmeri sërish e dëgjoi fjalimin e Hitlerit. Këtë herë ishte më ndryshe: turma ishte më e madhe dhe me më shumë militantë. Delmeri ashpër u qortua nga një “njeri i vogël trashullak” për krimin se pse nuk iu bashkua përshëndetjes naziste. Delmeri kujtoi: “’E sheh ti pastaj’, vazhdoi të kërcënonte. ‘Do të ta tregojmë qejfin; do të të mbushim mend’”!

Interneti është makthi i Vrapuesit në Teh, por është një mënyrë për ta frenuar valën e gënjeshtrave
Lexo po ashtu Interneti është makthi i Vrapuesit në Teh, por është një mënyrë për ta frenuar valën e gënjeshtrave

Pomerantsevi tregon se si psikanalistët bashkëkohorë të cilët i studiojnë fjalimet e Hitlerit, e analizuan edhe strukturën e tyre të pandryshueshme. Dhjetë minutat e para ishin “orgji për vetëkeqardhjen”, gjithçka për vuajtjet dhe ankesat. Dhjetë minutat e ardhshme iu kushtuan fajësimit të njerëzve të tmerrshëm që ishin përgjegjës, meqë “vetëkeqardhja ia la vendin urrejtjes”. Pastaj erdhi pjesa shpresëdhënëse për rritjen përrallore të rezistencës që mishërohet në emrin e tij, dhe më në fund ftesa për të kapur armët.

Autori vëren – ashtu siç mund të bëjë lexuesi – disa nga ngjashmëritë strukturore me fjalimet e Donald Trumpit dhe gjithashtu me fjalimet e mbajtura nga Putini – me pikënisjen nga poshtërimi i Rusisë.

Më 1941, Delmeri u rekrutua për t’u bashkuar me Ekzekutivin e sapokrijuar të Luftës Politike (PWE) – një organizatë sekrete e ngarkuar për përhapjen e propagandës në Evropën e pushtuar. Detyra e tij ishte të minonte solidaritetin dhe entuziazmin nazist, kryesisht duke përdorur radion – dhe ai veçse kishte një mori të njohurive që skalitën qasjen e tij unike. Siç shkruan Pomerantsevi, Delmeri e kishte kuptuar se: “Në rrënjë duhej trajtuar lidhja e njerëzve me nazistët; nevoja për përkatësi, sadizmi dhe identiteti i thjeshtuar që ofronin nazistët. Dikush duhej të kapej te marrëdhëniet e gjermanëve me nazistët – jo t’u jepte atyre leksione nga jashtë”.

Sipas mendimit të Delmerit, dështuan përpjekjet e para të PWE-së për të transmetuar – nga Londra – propagandën për popullin gjerman, kjo për shkak të mendësisë së tjetërsuar. “Përpjekjet për të apeluar te gjermani i mirë”, Delmeri i quajti “Meida Vejli thërret Hampstedin [dy zona të Londrës]”.

Delmeri pohoi se, në vend të kësaj, antipropaganda duhej të kërkonte çarjen që gjithmonë ekzistonte midis ideologjisë dhe realitetit. Kërkojeni dhe lehtësojeni hapjen e saj. Kishte vërejtur se një pjesë e madhe e mbështetjes për regjimin nazist nuk ishte dhënë nga bindja. Për shembull, statisticienët e zhgënjyer të SS-it kishin llogaritur se vetëm 24 për qind e denoncimeve të qytetarëve ndaj shokëve tradhtarë ishin bërë për arsye ideologjike; shumica e pjesës tjetër për inate personale.

Delmeri u tha shefave të vet se “duhet t’i bëjmë thirrje zërit të brendshëm të heshtur të çdo gjermani”. Me fjalë të tjera, takoje aty ku është, jo aty ku dikush mund të donte të ishte.

Der Chef (Shefi) lindi kështu. Gjoja duke transmetuar nga stacioni Gustav Siegfried Eins në Gjermani ose nga Evropa e pushtuar (në fakt nga Britania), Der Chefi ishte nacionalist gojëndyrë gjerman i cili nuk i donte hebrenjtë dhe Winston Churchillin, i cili e donte ushtrinë, por urrente burokratët e korruptuar dhe të shitur nazistë.

Duke përdorur informacione reale të mbledhura nga kontaktet në Gjermani dhe të depozituara në një sistem të indeksimit të kartave, Der Chefi trondiste për krimet e ndryshme të kryera nga anëtarët e emëruar në Parteikommune [zyrtarët nazistë] të cilët kishin rezerva dhe kënaqeshin në luks, derisa gjermanët e zakonshëm vuanin nga mungesa e të mirave.

Për ta bërë lojën më pikante, kishte akuza seksuale kundër SS-it – të përshkruara në detaje pornografike. Loja ndezi dhe shumë shpejt (megjithëse ishte krim për ta dëgjuar) Gustav Siegfried Eins ishte një nga stacionet më të famshme të Gjermanisë.

Taylor Swift, Papa, Putini: Kujt i beson në epokën e gënjeshtrës dhe inteligjencës artificiale?
Lexo po ashtu Taylor Swift, Papa, Putini: Kujt i beson në epokën e gënjeshtrës dhe inteligjencës artificiale?

Der Chefi ishte vetëm një nga krijesat e hershme të Delmerit. Të tjerët, që gjoja ishin në mesin e ushtarakëve, shfaqnin njohuri të detajuara për jetën dhe rënkimin e zakonshëm dhe gjithmonë luanin me hendekun midis ushtrisë “së mirë” dhe partisë “së keqe” dhe gjithmonë bënin me dije për boshllëkun në zemër të xhingoizmit [nacionalizmi agresiv].

Por, duke pasur parasysh se gjermanët luftuan deri në fundin më të keq, a funksionoi në të vërtetë diçka nga kjo? Pomerantsevi mendon se kërkimet bashkëkohore – jo më pak se në mesin e të burgosurve – treguan se ai me të vërtetë “ndikoi”. Delmeri, përfundon ai, “kishte treguar se besimi zhvillohet kur je i dobishëm për audiencën, kur ata ndiejnë se e njeh botën e tyre po aq nga afër saqë pothuajse nuk ka rëndësi se kush je ti”.

Ku na shpie kjo? Në mënyrën më kontroverse, me përgënjeshtrimin e devotshmërisë tonë të zakonshme liberale. Pra, Pomerantsevi pohon se ne nuk duhet të besojmë në një “treg të ideve” ku informacioni “më i mirë” do të fitojë disi nëse ne thjesht e publikojmë atë. Suksesi nënkupton angazhimin e atyre njerëzve që janë rezistentë ndaj asaj që duam të themi. Duhet ta kuptoni botën e tyre – botën e qytetarit rus ose të mbështetësit të Trumpit – dhe të flisni me të. Dhe, përdoreni “artin” teksa këtë e bëni.

Anti-propaganda e stilit të Pomerantsevit ashiqare nuk është punë e BBC-së apo ndonjë mediumi që dihet se bazohet në pikëpamjen objektive për të vërtetën. Mendësia e tillë mund të jetë kundërpesha thelbësore, por nuk e bën luftën e informacionit. Nuk është e mjaftueshme.

Kjo më shtynë të pyes veten nëse ka diku ndonjë liberal apo demokrat të pasur të gatshëm t’i japë paratë e veta te, le të themi Radioja e punëtorit të bardhë radikal [Radio Radical Redneck], Gjithçka për burrat [All About Men] dhe Rusia nesër [Russia Tomorrow]. Nëse po, Peter Pomerantsevi dëshiron t’ju dëgjojë. /Telegrafi/