LAJMI I FUNDIT:

Shfaqja që thërret njerëzoren!

Shfaqja që thërret njerëzoren!
Pamje nga shfaqja “Shtëpia e nënës Elena” (foto: Agron Gërguri)

EBI (Euro Ballkan Institute) në bashkëpunim me Teatrin “Dodona” dhanë premierën e shfaqjes “Shtëpia e nënës Elena” me tekst të Osman Gorancit dhe regji të Sevdije Ajetit.

Nga: Agron Gërguri


Një lexim klasik mbase i duhur i tekstit të Osman Gorancit, që për temë ka trajtimin e të moshuarve të sëmurë në azil – gruan, intelektualizmin. Leximi regjisorial ishte i saktë dhe nxirrte atë që quhet nëntekst, duke dëshmuar gjuhën teatrore të cilën e kultivon regjisorja Sevdije Ajeti.

Rrëfimi me nuanca sentimenti zhvillohet natyrshëm, edhe pse pa ndonjë ritëm të jashtëm, deri në momentin kur i vjen Deni (Arlind Islami), i biri i nënës Lena. Ardhja e tij si fiksion, në funksion të dramatizimit të situatës, sjell testin moral, sado që në aspektin dramaturgjik duket se vjen se ashtu do autori. Shpejtësia e pendesës për gjykimin e padrejtë ndaj nënës, kur ajo i prezanton dashnorin, nuk përkonte me rrjedhën e natyrshme të dramës – aq më tepër nuk e zbërthente marrëdhënien e nënës së moshuar e të sëmurë për vdekje, e cila i kalon ditët e fundit në azil të pleqve, dhe të birit i cili nuk vjen ta vizitojë përveçse në ëndërr.

Në fakt kjo skenë, ëndërr, ishte refleksion i realitetit të jashtëm dhe si ndërgjegje e munguar. Personazhi ide, përveçse si test moral mbi trajtimin e te moshuarve në familje, nuk ka ndonjë pretendim tjetër.

Në fakt, ëndrra është dritarja e hapur komunikimit me familjen në kohën kur asaj po i mbyllej dritarja e jetës të cilën mundohet ta mbajë hapur motra kujdestare (Valinë Muçolli), e cila përveçse i jep terapinë mjekësore, krijon batuta për t’i kthyer buzëqeshjen dhe ushqyer forcën për të përballuar sëmundjen përkundër së cilës ajo rrezaton me bukuri e mirësi.

Në këtë mision vjen edhe personazhi i Dionit (Veton Osmani), si terapi dashurie, për t’ia bërë të përmbajtshme ditët e fundit të jetës, derisa si nëntekst alarmon trajtimin oportun të të moshuarve nga ana e familjarëve në këtë kohë që edhe dashuria na vjen e ambalazhuar me politikë interesi.

Regjisura konkrete dhe natyrshmëria e aktrimit

Regjisura e Sevdije Ajetit ishte ndërtuar me mizanakena spontane, pa veprime të sforcuara, duke e konkretizuar mendimin e saj skenik me shenja të gjetura si kafja, libri, mollët, të cilat plotësonin dhe zbërthenin gjendjen e personazhit kryesor të cilin e solli bukur dhe përmbajtshëm Zeta Bahtiri (Elena).

Zeta Bahtiri e kishte shartuar mirë personazhin e Elenës përmes mimikës, gjestit, diksionit, shikimit dhe krijimit të marrëdhënieve me personazhet tjera, me rekuizitat, ndërsa me veten intononte saktë duke na dhënë një kreacion të denjë.

Personazhi i kujdestares mjekësore në interpretim të Valina Muçollit, i jep ngjyrime jete shfaqjes, pasuruar sa me batuta, sa me poezi antologjike të Preverit. Këtë personazh Valina Muçolli e solli me një natyrshmëri interpretuese që na bënte t’i besojmë

Tandemi skenik Zeta Bahtiri dhe Valina Muçolli, në nivel aktrimi i kishin gjetur veprimet harmonike, në masë e pa patetikë, ku jo rrallë zhyten aktorët në role të tilla ku ka ngarkesë emocionale. Ato nxorën në pah karakteret e personazheve me nuanca të ndërtuara: gruan e vetmuar, intelektualen, sëmundjen dhe dashurinë për jetën, kujdesin, dashamirësinë duke i dhënë kuptim secilit veprim fizik apo foljor brenda karakterit. Mbase ky ishte roli më i realizuar i Zeta Bahtirit në karrierën e saj aktoreske.

Veton Osmani (Dioni), kishte realizuar një karakter interesant të një njeriu që do jetën deri në frymën e fundit – i përkushtuar sado fatkeq. Me gjeste të vogla, mimikë miniaturiale e artikulim ndjesor shquhej shprehja e tij interpretuese. Si përplotësim i personazhit të Dionit vjen Vesa, në interpretim të Suela Konjarit, e cila sado në rol episodik tregon potencë interpretimi.

Muzika si ambientim dhe zbërthim emocional

Muzika ishte një prej elementeve më të realizuara të shfaqjes. Partiturat muzikore, përveçse e ambientonin shfaqjen, provokonin emocione, i zbërthenin dhe përcillnin ndjenjat e personazhit në konceptin regjisorial. Tingujt e kompozuar të Agron Shalës depërtonin në thellësitë shpirtërore të personazhit kryesor dhe integronin lojën e aktorëve në rrëfim, duke prekur përjetimin e spektatorit.

Mesazhi dhe përbërësit e tjerë të shfaqjes

Mesazhi që thërret njerëzoren dhe alarmon hendekun midis gjeneratave, shprehet me (mos) kujdesin për të moshuarit të cilët kujtimet e ngrohtësisë familjare i bartin brenda vetes – të cilët e ruajnë shtëpinë e shpirtit, siç bën nënë Lena përmes së cilës ngre shqetësim edhe angazhimi (i munguar) intelektual në jetën shoqërore.

Kostumet e Samka Ferrit ishin të realizuara ashtu si edhe grimi shumë i mirë i Leonora Mehmetit – Hoxhës, dhe dizajnimi i ndriçimit nga mjeshtri Skender Latifi. Vlen për ta theksuar funksionalitetin e skenografisë së Jerina Hysajt e cila kishte bërë një përkufizim të saktë të hapësirës skenike! Kontribuues tjerë në realizimin e shfaqjes janë: asistentja e regjisë Anzotika Ana Ajeti, dhe puntorët e skenës: Bedri Maloku, Albert Gashi dhe Fadil Bekteshi.