LAJMI I FUNDIT:

Taylor Swift, Papa, Putini: Kujt i beson në epokën e gënjeshtrës dhe inteligjencës artificiale?

Taylor Swift, Papa, Putini: Kujt i beson në epokën e gënjeshtrës dhe inteligjencës artificiale?
Ilustrim (kolazh i përgatitur nga ditorja “The Guardian”)

Nga: Alexander Hurst / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Nëse keni dashur të dini se çfarë ndodhte në botë, në Parisin e vitit 1750, atëherë keni shkuar te l’arbre de Cracovie, ose te “pema e Krakovit”. Kjo pemë e gështenjës u quajt kështu jo sepse e kishte ndonjë lidhje të veçantë me qytetin polak, por sepse termi për “lajmet e rreme” – në zhargonin e asaj kohë – ishte craques dhe hapësira nën degët e saj ishte përplot me to.


E, megjithatë, pema nuk i tërhoqi vetëm thashethemet që pretendonin se dinë se çfarë me të vërtetë po ndodh në korridoret e pushtetit – pasi më parë u përgjua një bisedë ose një letër private. Gjithashtu, e tërhoqi vëmendjen e qeverisë e cila donte të dinte se çfarë mendojnë parisienët dhe fuqitë e huaja të cilat atje i dërgonin agjentët për të mbledhur informacione – ose për t’i mbjellë ato.

Historiani i Harvardit, Robert Darnton, e ndoqi rrjedhën e këtij informacioni, pas një fjalimi të cilin – në fillim të mijëvjeçarit – e mbajti në Shoqatën Historike Amerikane. Me gazetat shumë të kontrolluara nga regjimi i vjetër, thashethemet e përhapura te trungu i pemës – të cilat morën format e ndryshme, si “zhurmë publike” dhe si këngë ritmike – u diskutuan kolektivisht në sallone dhe u shtypën në pamfletet satirike dhe shpifëse të quajtura libelle. Përfundimisht, argumenton Darntoni, këto anekdota dhe histori ndihmuan në përmbysjen e vetë monarkisë franceze.

Çfarë i shtyu francezët, për ta përmbysur monarkinë?
Lexo po ashtu Çfarë i shtyu francezët, për ta përmbysur monarkinë?

Rezultati përfundimtar i saj ishte, sigurisht, kontributi themelor të cilin revolucioni francez ia dha demokracisë. Por, këtu ku jemi tash, ata që si ne jetojnë në shtetet liberale demokratike – të cilat varen nga popullsia e arsimuar dhe e angazhuar për ekzistencën e tillë të vazhdueshme – gjenden përballë një arbre de Cracovie të shekullit XXI.

Por, kjo është shumë më e pranishme, më e menjëhershme, më dërrmuese dhe më e fuqishme. Dhe, teksa votuesit anembanë botës po kalojnë nëpër vitin më të madh zgjedhor në histori, gjithnjë e më shumë pyes veten: a mundet demokracia t’ju mbijetojë mediave sociale?

David Colon, historian francez i specializuar në propagandë dhe në manipulim masiv, thotë se derisa propaganda në vetvete nuk është asgjë e re, ajo që është e re është shpejtësia virale dhe shkalla globale që mundësohet nga mediat sociale – së bashku me rënien e besimit te “filtrat” (d.m.th. te mediat institucionale). Janë tri lëvizje që po veprojnë – dhe që ndoshta do të përkeqësohen – dhe që të gjitha këto ushqejnë njëra-tjetrën.

Fillimisht – dhe ndoshta në sasi më të madhe – janë lajmet e rreme. Rritja e fundit e inteligjencës artificiale [AI] po e krijon të ardhmen e klipeve të falsifikuara të politikanëve të cilët i thonë gjërat që në të vërtetë nuk i kanë thënë (natyrisht, të Papës që ka veshur gjërat që nuk i ka veshur) dhe të pornografisë së falsifikuar [deepfake] që synon të famshmit – si Taylor Swift. Por, do të jetë më keq se kaq. Studioja franceze e lojërave, Drama, së fundmi publikoi pamjet e lojës së ardhshme me të shtëna [first-person shooter] të quajtur Unrecord, që duken si pamjet aktuale të kapura nga kamera e lidhur në trup. Shikojeni dhe gjykoni.

Është bërë e vështirë arritja deri te kuptimi koherent dhe i përbashkët për konfliktet që ndodhin. Çfarë do të ndodhë në një epokë – të afërt – kur, gjatë krizave globale, njerëzit bombardohen me pamjet e krijuara për sulmet që nuk kanë ndodhur dhe që nxisin reagimin në kohë reale? Teoritë e konspiracionit do të jenë edhe më të shfrenuara; si ato që lindën pas vdekjes së dyshimtë të Alexei Navalnyt, duke pretenduar se ai u vra nga agjencitë perëndimore të inteligjencës apo edhe se ishte pjellë e Kremlinit. Disa gjithçka do të besojnë – duke përfshirë gjërat që janë të rreme; të tjerët asgjë nuk do të besojë – përfshirë gjërat që janë të vërteta.

Së dyti, është rritja e “ndikuesve në lajme” [newsfluencers] që copëzojnë edhe më tej realitetin tonë të dikurshëm informativ – ndonjëherë pa e kuptuar këtë as ne. Për shembull, sa prej afro 500 mijë ndjekësve në TikTokBreakthrough News janë të vetëdijshëm se është një nga gjysmë duzinat e llogarive të mediave sociale që ndërlidhen me miliarderin amerikan Neville Roy Singham, promovimi i supozuar i të cilit i interesave të Kremlinit dhe Pekinit ishte i trajtuar me kujdes dhe në detaje në hulumtimet e botuara nga The New York Times dhe The Daily Beast.

Epoka e një mijë të vërtetave
Lexo po ashtu Epoka e një mijë të vërtetave

Nuk është vetëm TikTok-u problem specifik: kanali i Russell Brandit në YouTube arrin në 6.8 milionë ndjekës në raportimin “vetëm po bëj pyetje, o ti njeri”, ku informacionet përzihen me pretendimet e rreme që i lënë shikuesit me dyshimin e shtuar se kjo është e pamundur të dihet me siguri, por se njëkohësisht ka edhe një të vërtetë të mjegullt që “ata” fshehin. (Po, gati shtatë milionë njerëz në mënyrë të pashpjegueshme e konsiderojnë Russell Brandin si burim të mirë të analizave gjeopolitike.)

Vetë këto tendenca janë mjaft shkatërrimtare, por siç detajon Peter Pomerantsev në librin e tij të vitit 2019, Kjo nuk është propagandë [This Is Not Propaganda], shigjeta e tretë që synon zemrën të demokracisë është se regjimet autoritare në mënyrë aktive i shfrytëzojnë dhe i shtyjnë ato në një luftë të gjithëpranishme të informacionit. Shpeshherë përfshihen manipulimet përgjatë vijës së hollë të gjërave që tingëllojnë paksa të besueshme, por që nuk janë – siç është dezinformimi i fundit i shtyrë nga Kremlini me pretendimin se “mercenarët” francezë u vranë në Ukrainë. Në fakt, agjencia dixhitale e kundërzbulimit e Francës, Viginum, javën e kaluar identifikoi një rrjet të gjerë propagandistik rus të quajtur Portal Kombat, i cili në mënyrë specifike ka synuar Evropën Perëndimore.

Për akterët shtetërorë si Rusia, Kina dhe Irani, qëllimi i këtyre operacioneve është më pak për të bindur publikun perëndimor që të besojë diçka në veçanti, e më shumë të çmontojë besimin në gjithçka.

“Nëse e dobësoni të vërtetën dhe krijoni ekuivalenca të rreme, në terma afatgjatë e dobësoni aftësinë e qytetarëve për të dalluar atë që është reale dhe atë që nuk është, dhe nga ky projektim demokracia bëhet e pamundur”, thotë Coloni. Në rezultatin përfundimtar – natyrisht, në këtë zbrazëti të humbjes së përgjithshme të besimit, të mosbesimit dhe të mos diturit se kujt t’i besoni – gjithnjë e më shumë njerëz do t’i drejtohen dorës së fortë të autoritarizmit.

Pra, ja ku jemi duke u përballur me një botë të kompleksitetit gjigant – të trajnuar në mënyrë konjitive, sipas kërkesës së menjëhershme – që pritet të ketë dhe të ndajë mendimet për gjithçka dhe të copëtohet në depo informative sepse filtri, në një kohë kur është shumë i nevojshëm, nuk mund funksionojnë më në mënyrë efektive. Media e trashëguar është larg të qenit perfekte, por kur platformat e vjetra bëjnë diçka të gabuar, ato e bëjnë demantin. A e pret dikush të njëjtën gjë nga Russell Brandi?

Të gjithë janë specialistë të thashethemeve
Lexo po ashtu Të gjithë janë specialistë të thashethemeve

Ende nuk arritëm në mes të këtij pylli të turbullt; çfarë duhet të bëjmë?

Shtetet autoritare kanë zgjidhje: kontroll të rreptë mbi hapësirat e izoluara të internetit. Por, për demokracitë liberale, modeli i Kinës do të ishte “shkatërrim i fshatit për të shpëtuar fshatin”. Dhe, përveç kësaj, publiku perëndimor është shumë i vetëdijshëm për censurën; çdo qasje që mbështetet në kontroll, ka të ngjarë të dështojë.

E, largimi i plotë nga rrjetet sociale? Muaj më parë, frustrimi me X-in (i njohur më parë si Twitter) më shtyri të largohem nga ai, por kur ia përmenda këtë David Colonit, ai u ndal, më shikoi drejt dhe më tha: “Nuk duhej ta bëje këtë”. Në nivelin personal të jetës më cilësore, nuk mund të them se jam penduar për vendimin, por mbase ishte vendim egoist. Qëllimi i Colonit ishte se, duke u larguar, unë e braktisa përgjegjësinë më të gjerë shoqërore për të mos e lejuar fitoren e dezinformimit.

Në fakt, disa njerëz si Elica Le Bon – avokate iraniane e lindur në Britani dhe e trajnuar në ShBA – kanë marrë vendimin e kundërt. Ju mund t’i konsideroni ata si “kundërndikues” [counterfluencers], sepse e kanë rritur praninë në mediat sociale të dedikuara për t’iu kundërvënë fushatave dezinformuese të mbështetura nga shteti. Në rastin e Le Bonit, ajo lufton atë që ajo e përshkruan si përrua të pamëshirshëm dezinformimi dhe propagande për Lindjen e Mesme e që në mënyra të ndryshme buron nga Irani.

ChatGPT po krijon artikuj të rremë të Guardian-it
Lexo po ashtu ChatGPT po krijon artikuj të rremë të Guardian-it

Kur e pyeta për mësimet nga përvoja e saj në luftën kundër dezinformatave specifike, për të krijuar mënyrat më të gjera për të vaksinuar njerëzit kundër kësaj, ajo e gjeti një arsye se pse mediat institucionale kanë mbetur prapa. Për shumë njerëz, “mungesa e fytyrës” në fakt i bën më pak të besueshme. “Shiko”, tha ajo gjatë bisedës me video, “fakti që unë mund të shoh fytyrën tënde dhe e di se kush je, kjo e shton besueshmërinë në atë që thua”.

Si zgjidhje, Coloni gjithashtu u përqendrua në forcimin e besimit në mediat e lajmeve, duke sjellë në mënyrë specifike Iniciativën e Mirëbesimit në Gazetari [Journalism Trust Initiative] e cila, siç e thotë emërtimi, do të identifikonte organizatat e lajmeve që mbështesin një mori të praktikave gazetareske. Kjo mund të jetë e dobishme për ata që duan të besojnë dhe që thjesht nuk janë të sigurt se kujt t’i besojnë – por, çfarë ndodh me ata skepticizmi i përgjithësuar i të cilëve tashmë është shumë i thellë?

Më duhet të pranoj, transparenca dhe etiketimi duken të pamjaftueshme, duke pasur parasysh atë me çfarë tashmë përballemi dhe me çfarë po vjen. Për të parafrazuar këtu mendimtarin italian Antonio Gramsci, ka shumë arsye për t’u dorëzuar ndaj pesimizmit të intelektit. Për të mos bërë këtë, na duhet përpjekja më e madhe për të kultivuar optimizmin e vullnetit. /Telegrafi/

Inteligjenca gjeneruese Artificiale po i mbjell farat e dyshimit në shkencën serioze
Lexo po ashtu Inteligjenca gjeneruese Artificiale po i mbjell farat e dyshimit në shkencën serioze
I urrej indiferentët!
Lexo po ashtu I urrej indiferentët!